E Shtunë, 31 Tetor 2026

Condoleezza Rice: Bushi done ta njihte Kosovën më 2007

Presidenti amerikan George Bush donte ta njihte pavarësinë e Kosovës që më 2007, mirëpo ai e shtyu këtë afat me kërkesë të aleatëve. Kështu thuhet në librin më të ri të ish sekretares amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice, me titull “Nuk ka nder më të madh,” të botuar ditë më parë në New York.

Ish kryediplomatja amerikane përshkruan në një pjesë të librit periudhën e negociatave për statusin e Kosovës, i cili thotë se çoi në një propozim të njohur si plani i Ahtisaarit që rekomandoi pavarësi për kosovarët.

Rice shkruan se nga fundi i verës 2007 kosovarët po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë rreth statusit, ndërkohë që edhe Beogradi mund të synonte aneksimin pak nga pak të një të tretës së Kosovës, atje ku jetonin serbët radikalë.

Me tej Rice shpjegon se si në samitin e G 8-ës në Gjermani, presidenti Sarkozy kishte kërkuar negociata edhe për 120 ditë.

“Pas samitit më 9 qershor, presidenti Bush në një konferencë për shtyp në Romë bëri thirrje për pavarësinë e Kosovës. Ai të nesërmen në Shqipëri përsëriti mbështetjen e tij për pavarësinë dhe planin Ahtisaari”.

“Vetëm edhe një muaj,” më tha presidenti, shkruan Rice, dhe pastaj do t`a njohim (Kosovën), qoftë edhe të vetëm nëse duhet ta bëjmë. Unë ju kam premtuar dhe këtë duhet ta përmbushim”. Më vonë presidenti Bush kishte rënë dakort me shtyrjen edhe për 120 ditë, por me kusht që kjo do të jetë shtyrja e fundit.

“Më 18 shkurt 2008, ne zyrtarisht njohëm Kosovën ashtu siç bënë edhe shumë shtete të tjera evropiane”, shkruan Condeleezza Rice.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›