E Diel, 1 Nëntor 2026

Corriere della Sera: Shqipëria, vend me bukuri të rralla

“Në Shqipëri mund të kalojë pushime ai turist që ka shpirtin e udhëtarit, që është kurioz, i gatshëm për gjëra të reja dhe që nuk kërkon perfeksionin”, shkruan gazetarja Marisa Famugalli.

Gazetarja italiane vë në dukje bukuritë e rralla, detin transparent, plazhet e pandotura, lumenjtë, pyjet, malet dhe vendet arkeologjike që ofron Shqipëria.

“Sigurisht që ambienti urban po rritet në mënyrë të parregullt me ndërtime të egra, që është dukuri në vendet me demokraci të reja dhe të dobëta. Megjithatë, duhet theksuar diçka jo pak e rëndësishme: Shqipëria sot është një vend i sigurtë. Shqiptarët janë kryesisht mikpritës dhe gati për dialog. Shumë prej tyre kanë mësuar italishten duke parë televizor, ndërsa të rinjtë mësojnë vullnetarisht gjuhët e huaja, kryesisht atë angleze", shkruan gazetarja e “Corriere della Sera”.

Famugalli nuk lë pa përmendur edhe Rivierën e mrekullueshme shqiptare, ku sipas saj mund të shijohen plazhet e pastra, gjiret e shumta me rërë të imët apo gurë e shkëmbinj. Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana është një tjetër mundësi ku mund të kalohen disa ditë pushime, sipas saj.

"Po le të kthehemi te udhëtimi buzë brigjeve. Nga Vlora duhet të marrësh Llogaranë, një rrugë tashmë e gjere dhe e rregulluar që arrin deri në 1 mijë metra mbi nivelin e detit. Me të arritur majën zbret ngadalë drejt fshatrave bregdetarë. Fillimisht Dhërmiu, i cili ka edhe një manastir antik. Prej këtu përmes një rruge të ngushtë zbret në plazhin e Gjipesë, një peizazh spektakolar. Po ashtu, ka edhe disa fshatra të tjerë, të cilët janë pushtuar nga ndërtime të shumta. Më pas mbërrijmë në Himarë e pak më poshtë në Porto Palermo, ku ndodhet kështjella e Ali Pashait, që sot është zonë ushtarake", thuhet më tej në shkrimin e gazetares italiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›