Miratohen ndryshimet në ligjin për Gardën e Republikës
Qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme uniformën, formën, elementët e gradave dhe shenjave dalluese të efektivëve të Gardës së Republikës. Uniforma, forma dhe elementët e gradave dhe të shenjave dalluese të efektivave të Gardës së Republikës së Shqipërisë duhet të jenë sipas modeleve dhe specifikimeve teknike të paraqitura gjatë propozimit të Ministrisë së Brendshme. Në vendimin e qeverisë janë përcaktuar edhe uniformat për efektivat e Gardës së Republikës së Shqipërisë, të cilat do të jenë: a) uniforma e oficerit dhe e nënoficerit; b) uniforma për shërbim e stërvitje; c) uniforma ceremoniale; ç) uniforma e truprojës së nderit dhe d) uniforma civile. Në vendim është përcaktuar gjithashtu që do të jetë ministri i Brendshëm ai që do të miratojë: a) rregulloren e uniformës së Gardës; b) normën e materialeve të veshmbathjes, në përbërje dhe në inventar të strukturave të Gardës; c) normën e furnizimit me veshmbathje për efektivat e Gardës, ç) normën e furnizimit me veshje civile ose konvertimin e saj në vlerë (në lekë); d) normën e materialeve të konsumit dhe të mirëmbajtjes; dh) normën e veshmbathjes së posaçme të shërbimit civil, sipas profesioneve; e) normën e pajisjeve për qentë, në organikë të Gardës; ë) uniformën për shërbime të veçanta: për shërbimin e trupave speciale, me motoçikletë, me helikopter dhe me mjete lundruese, si dhe elementet speciale të tyre; f) zëvendësimet e materialeve të veshmbathjes, brenda vlerës së normës, si dhe g) ndryshimet e mundshme në elemente të veçanta të uniformës, të elementeve të gradave dhe shenjave dalluese, sipas ndryshimeve, që mund të ndodhin në strukturën e Gardës së Republikës së Shqipërisë. Pas miratimit të shenjave të reja dalluese, Këshilli i Ministrave shfuqizoi vendimin nr. 511, datë 9.11.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e uniformës të truprojës së nderit dhe të stemës së Gardës së Republikës”, dhe vendimin nr. 67, datë 22.1.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e uniformës dhe të shenjave dalluese të Gardës së Republikës së Shqipërisë”.