Çmimet e referencës, biznesi troket në dyert e doganës
12/02/2009 Administrata doganore dhe komuniteti i biznesit do të zhvillojnë një takim në lidhje me problemet e bashkëpunimit dypalësh. Dhoma Amerikane e Tregtisë njofton se sot do të zhvillohet aktiviteti Forum Biznesi me Drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Përparim Dervishi. Sipas burimeve, temat e takimit do të fokusohen në probleme të tilla si rritja e efiçencës së bashkëpunimit mes doganave dhe biznesit, apo çmimet e referencës dhe çmimet e origjinës, kontrolli doganor dhe faturat e blerjes si dhe mbi mënyrën e shlyerjes së detyrimeve doganore. Ky forum biznesi është një aktivitet periodik i Dhomës Amerikane të Tregtisë, e cila është e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri si dhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare. Qëllimi është që bizneset të marrin informacion të freskuar mbi të gjitha ndryshimet ligjore dhe teknikat e reja financiare që aplikohen sot.