Të shikojmë përpara

Igli Tare e pranon se humbja në derbi nga Roma e ka ‘lënduar’ të gjithë skuadrën e Lazios, por ai preferon të shikojë përpara.
“Kjo humbje ka qenë e rëndë. Është vështirë ta harrosh menjëherë, sepse këto ndeshje kanë domethënie të veçanta, por nuk duhet të shikojmë më prapa. Duhet t’i pranojmë kritikat dhe të punojmë”, theksoi ish futbollisti shqiptar për Lazio Style Radio.
Tare beson shumë në ekipin aktual të Lazios, për të cilin mendon se në fund të kampionatit mund ta ketë një sezon të suksesshëm.
“Duhet të shikojmë përpara. Duhet të fitojmë që nga ndeshja e ardhshme me Cesenan, të cilën nuk duhet ta nënvlerësojmë. Ky sezon ishte i paparashikueshëm, në fund të tij do t’i bëjmë llogaritë, duke shpresuar se do ta festojmë ndonjë të arritur të madhe. Këtë sezon është zbuluar puna e vërtetë e Lazios, pas sezonit zhgënjyes të vitit të kaluar. Duhet të rritemi ende, por me punë mund të arrijmë shumëçka”, përfundoi Tare.