Countryman Te respektohen institucionet

Në vijim të intervistës së tij për VOA, Countrymen është shprehur se Shtetet e Bashkuara po punojnë për kthimin në normalitet të situatës në vendin tonë.
“21 janari ishte një ditë e trishtueshme për gjithë shqiptarët, sidomos për humbjen e jetëve të tre personave. Nga kjo ngjarje ka vetëm humbje dhe dëmtim të imazhit të Shqipërisë në botë. Kjo humbje sjell vetëm dhunë. Ambasadori Arvizu po bashkëpunon me BE që të qetësojnë dy palët”, ka pohuar Countryman.
Sipas tij, e rëndësishme në këto momente është që të respektohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë, në vecanti prokurorisë që të hetojë e pavarur ngjarjet e së premtes. Countryman ka nënvizuar se Shtetet e Bashkuara do të japin asistencën e tyre në këtë drejtim.
“Pas kërkesës së prokurores së përgjithshme, ne do të japim asistencë teknike. Kjo do t’u jepte palëve garancinë se hetimi po kryhet në mënyrë të pavarur. Partitë nuk duhet t’i përdorin hetimet e prokurirsë si mjet politik, por duhet ta lejojnë atë që të hetojë e pavarur”, ka deklaruar Countryman.
Më tej, për rikthimin e qetësisë, ai u ka sugjeruar liderëve politikë në vend që të anulojnë nismat e tyre për mitingje, mbajtja e të cilave sipas tij do të ishte e rrezikshme.
“Ne e mirëpritëm vendimin e kryeministrit Berisha për të anuluar mitingun e së shtunës, është një vendim në përputhje me tentativat për të qetësuar situatën. Kreu i PS ka deklaruar se do bëjë një protestë paqësore të premten. Unë kam respekt për atë, por mendoj se kjo nuk është gjë e mirë. Nëse demonstrata zhvillohet, nëse kalohet në dhunë, në vend që të nderohen viktimat, do të ndodhë e kundërta”, ka theksuar Countryman.
Më tej zyrtari i lartë amerikan ka hedhur nota kritike ndaj klasës politike shqiptare, duke vënë në dukje se ajo është personalizuar mes dy liderëve. Ai ka nënvizuar se tani është momenti që Shqipëria t’i zgjidhë vetë problemet e saj.
“Politika është personalizuar, Rama dhe Berisha sulmojnë dhe kundërsulmojnë dhe kjo nuk pasqyron atë që kërkon Shqipëria. Por kam parë liderë më armiq se ata të dy, që janë ulur në bisedime dhe kanë gjetur një marrëveshje. Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjnë SHBA është që të bindin shqiptarët që të mos i kthejnë sytë nga SHBA dhe BE, por t’i zgjidhin vetë problemet e tyre”, ka shtuar Countryman.