Kantrimen: Palët politike, konsensus për qetësimin e situatës

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Tom Kantrimen, në një intervistë për Zërin e Amerikës, u bën thirrje palëve politike në Shqipëri të qetësojnë situatën. Kantrimen e quan të gabuar vendimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për organizimin e protestës të premten.
“E premtja, 21 janari, ishte një ditë e trishtueshme për gjithë shqiptarët, veçanërisht për shkak të humbjes së jetës së tre personave gjatë dhunës politike. Në një situatë të tillë nuk ka fitues. Ka vetëm humbës mes udhëheqësve politikë, humbet populli dhe imazhi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, aty ku ajo synon të anëtarësohet. Vazhdimi i përpjekjeve për të kthyer këtë gjendje humbjeje në një gjendje fitoreje, rrezikon të sjellë dhunë të mëtejshme. Shtetet e Bashkuara, si një mik i mirë i Shqipërisë, ndajnë thellësisht shqetësimet që ekzistojnë sot për dhunë dhe për përsëritjen e dhunës. Prandaj ambasadori Arvizu me mbështetjen e fortë të Departamentit të Shtetit, po punon intensivisht me Bashkimin Evropian, me OSBE-në, t`u japë palëve një mundësi të ndalen për një moment, të marrin frymë thellë, të rivlerësojnë dhe qetësojnë situatën”.
Ndërkaq, Kantrimen thekson se SHBA është e gatshme për të ndihmuar Shqipërinë, kjo pas ngjarjeve të 21 janarit. Për këtë fakt, zyrtari i lartë amerikan thekson se duhet të jenë udhëheqësit politike ata të cilët, duhet të mos përzihen, por të bashkëpunojnë me Prokurorinë për hetimet.
“Lidhur me gjendjen e sotme, dua të ritheksoj atë që tha ambasadori Arvizu, se pas kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë teknike. Hetimet do të drejtohen nga pala shqiptare, me ndihmën teknike nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë, në mënyrë që përgjegjësia për dhunën, për vrasjet e së premtes, të përcaktohet në mënyrë ligjore, në një formë që përmbush standartet evropiane. Kjo do t`u jepte të dy palëve mundësinë të thonin se shqetësimet e tyre për dhunën po zgjidhen në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për situatën e sotme politike, por edhe për zhvillimin e institucioneve të Shqipërisë. Është jetike që një institucion i pavarur si Prokuroria të jetë në gjendje të bëjë punën, të jetë në gjendje të bëjë një hetim të besueshëm të asaj të ndodhi të premten. Së dyti, dua të them se ne mirëpritëm vendimin e Kryeministrit për të anuluar manifestimin që partia Demokratike kishte planifikuar për të shtunën. Pas bisedave që pati me ambasadorin Arvizu dhe ndihmës sekretarin e shtetit Phil Gordon, ai arriti një vendim, që unë besoj është në përputhje ne nevojën e sotme për të qetësuar situatën dhe shmangur një rritje të temperaturave. Ne e mirëpresim këtë vendim”.
Kantrimen më tej theksoi se gjëja më e rëndësishme që mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara, është të bindin shqiptarët, që të mos shikojnë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja për zgjidhjen e problemeve të tyre.
“Këto janë çështje që një shtet evropian, demokratik, një anëtar i NATO-s, duhet të jetë në gjendje t`i zgjidhë përmes sistemit të vet politik. Eshtë po ashtu jetike, që populli i Shqipërisë t`i kërkojë udhëheqjes së vendit zgjidhje paqësore, kompromisi. Këtu nuk arrihet menjëherë. Eshtë për të ardhur keq, por është e vërtetë, që në stadin e tanishëm të zhvillimit të saj politik, Shqipëria mbështetet shumë tek Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur probleme, që vendi duhet të gjejë rrugën t`i zgjidhë vetë. Në të ardhmen e afërt, ne do të ndihmojmë me hetimet, do të vazhdojmë të flasim me të dy partitë, për të ulur temperaturat, dhe ne do të punojmë me gjithë partitë, me gjithë shoqërinë civile dhe organizatat jo-qeveritare dhe me OSBE-në, për të ndihmuar që zgjedhjet e majit për pushtetin vendor të jenë të pastra, transparente dhe që ato t`u përkasin qytetarëve të Shqipërisë” thotë më tej Kantrimen .