E Shtunë, 31 Tetor 2026

Credins, aksionerë me Zvicrën e Gjermaninë

• Banka Credins ka festuar dje 5-vjetorin e themelimit të saj.

Fabiola Çela

 Gjatë një ceremonie të organizuar dje për ditëlindjen e kësaj banke, drejtori Artan Santo ka dhënë edhe një lajm të mirë, atë të hyrjes së dy aksionerëve të rinj të bankës.
Krijimi
Banka Credins, e para bankë private shqiptare, u krijua në 31 mars të vitit 2003, nga bashkimi i kapitalit të disa prej bizneseve më të suksesshme shqiptare. Në pesë vite të veprimtarisë së saj, Banka Credins ka ecur përtej çdo parashikimi. "Ne jemi në përvjetorin tonë të pestë të krijimit, e megjithatë ndihemi të rritur, pasi vetëm pesë vjet më parë u krijua mundësia që shqiptarët të mund të kishin bankën e tyre. Këtë privilegj na takoi ta kishim të parët ne dhe me tepër kënaqësi konstatuam se pas nesh erdhën simotrat e saj me kapital po shqiptar", u shpreh gjatë ceremonisë drejtori i përgjithshëm i Bankës Credins, Artan Santo. Gjatë këtyre 5 vjetëve, Banka Credins është bërë e njohur për të gjithë konsumatorët, duke fituar kështu besimin e tyre qofshin ata biznese apo konsumatorë të thjeshtë. Pas pesë vitesh pune Banka Credins u shërben plot 50 mijë klientëve dhe është e shtrirë si në Tiranë ashtu edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, ku numërohen plot 32 degë. Vetëm në Tiranë Banka Credins ka 16 degë. "Kur e nisëm startin, e nisëm nga vendi i 16-të dhe sot për nga fitimi renditemi të gjashtit në sistem, duke tejkaluar kështu të gjitha parashikimet tona. Kjo është arritur përmes një stafi të mrekullueshëm bashkëpunëtorësh e punonjësish", tha Santo. 
Shitja
Numri një i Bankës Credins ka lançuar dje hyrjen e dy aksionerëve të rinj. "Pjesëmarrja e fondeve qeveritare zvicerane dhe gjermane, nëpërmjet fondit të investimeve në Ballkan (BFSe) dhe sekretariatit shtetëror për marrëdhëniet ekonomike (SECO) është e rëndësishme jo vetëm për Bankën Credins, por shënon edhe një zhvillim të veçantë në tregun shqiptar", tha drejtori Santo. Aksionerët e rinj do të zotërojnë 25.34 për qind të aksioneve të Bankës Credins. Të dy fondet do të menaxhohen përkatësisht nëpërmjet kompanive të specializuara, të cilat janë Fondi i Zhvillimit Financiar (Development Financial Equity Partners) DFE  dhe Fondi i Investimeve Zvicerane për Tregjet e Reja (Swiss Investment Fund for Emerging Markets) SIFEM AG. Duke nisur nga ky vit, si rrjedhojë e rritjes së kapitalit të bankës si dhe e produkteve të reja që do të promovohen, Banka Credins do të rrisë prezencën e saj në treg. Në ceremoninë e djeshme merrnin pjesë përfaqësues të qeverisë zvicerane, të Republikës Federale Gjermane, përfaqësues të qeverisë shqiptare, institucioneve financiare dhe të biznesit shqiptar etj.  

35.7 miliarde
lekë është totali i aseteve të bankës në 2007, ndërsa portofoli i kredisë është 16.1 miliardë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›