E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshqet toka nën varreza

• Varrezat e qytetit të Fierit rrezikojnë të shkatërrohen si pasojë e rrëshqitjes së terrenit ku ato janë vendosur.

FIER/MAJLINDA RAMA

Alarmi jepet nga banorë, të cilët kanë dalluar dëmet e para në varret ku prehen të afërmit e tyre. Sipas tyre, shirat e ditëve të fundit kanë rrezikuar seriozisht varrezat publike të qytetit të Fierit. Terreni i pjerrët, faktorët atmosferikë si dhe ndërhyrjet e personave të papërgjegjshëm në territorin e varrezave kanë sjellë shumë pranë rrezikun e rrëshqitjes së tokës. "Kam parë pjesë të çarash tek varri i nënës dhe kjo nuk është e drejtë. Vendin e varrezave e ka caktuar shteti dhe ata duhet të marrin masa për të lënë të qetë të vdekurit. Nga çasti në çast mund të shohim në sipërfaqe kockat e të afërmve. Të merren masa", u shpreh Irena, një 35-vjeçare nga Fieri. Ndërkaq duket se ky fakt i ka irrituar pothuajse të gjithë ata që kanë varret e të afërmve aty. "Edhe një shi tjetër si ky i fundit dhe të gjitha varrezat do të na gjenden në rrugë të madhe. Kam parë masa të mëdha dheu që zbresin në rrugën nacionale. Kush është përgjegjës duhet të vërë dorë. Më duhet një shumë e madhe lekësh të riparoj varrin e vëllait. Eshtë plasaritur e gjithë pjesa e sipërme e tij", ka vijuar një tjetër qytetar. Ndërkaq afër varrezave është një ledh i madh, i cili vazhdon të gërryhet nga uji. Familjarët e banorëve të varrezës janë ankuar disa herë, por ankesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje. Si të mos mjaftonin faktorëve natyrorë, shkak i rrëshqitjes po bëhen edhe gërmime nga njerëz në tokat aty pranë, duke bërë që të tronditet edhe pjesa e poshtme e varrezës. Përgjegjësi i varrezave publike shprehet se erozioni i tokës është faktori kryesor për këtë rrezik. "Jemi në dijeni të këtij fenomeni, por tani për tani nuk mund të bëjmë diçka konkrete, për faktin se duhen fonde për të ngritur një mur të madh në anën e rrugës. Ndërtimi i këtij muri do ta bënte më të qëndrueshme tokën dhe do të ndalonte rrëshqitjen e mëtejshme të saj. Gjithashtu problem është edhe kanali ujëmbledhës, i cili është bërë pre e abuzimeve të qytetarëve të papër-gjegjshëm. Ata kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme dhe kanë prishur sistemin e tij, duke bërë që gjithë uji të rrjedhë mbi varreza", ka pohuar ai. Edhe pse nga prefektura janë ngritur grupet e emergjencës civile problemi i varrezave të erozionit të tokës nuk është planifikuar, duke i lënë në mëshirë të fatit.

Precedenti në varrezat e Beratit
Pak ditë më parë 4 varre në varrezën e qytetit të Beratit janë shkatërruar si pasojë e goditjes nga trungjet e disa pishave shekullore. Pishat e vjetra, të cilat ndodhen në sipërfaqen e varrezave janë thyer nga era dhe kanë rënë mbi varre duke i shkatërruar. Nga Bashkia e Beratit është bërë një tender për prerjen e tyre, por fondi jo i mjaftueshëm, si edhe rrezikshmëria e dëmtimit të varreve të tjera gjatë prerjes ka bërë që asnjë firmë mos marrë përsipër këtë veprim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›