E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH depoziton çdo ditë energji në Kosovë

• Prej disa ditësh KESH ka nisur të depozitojë energji në Kosovë. Prurjet e larta të ujit kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit në hidrocentralin e Fierzës.

Në një situatë të tillë për të evituar rrezikun e përmbytjeve të zonave përreth, KESH ka nisur të depozitojë energji në Kosovë dhe do ta rimarrë atë gjatë periudhës së pikut, pra në verë. Sipas të dhënave më të fundit nga KESH, çdo ditë depozitohet gati 1.5 milionë kwh energji në Kosovë dhe kjo do të vazhdojë derisa të ketë reshje të dendura. Si rrjedhojë e reshjeve të dendura, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është rritur ndjeshëm, ai është 288.94 metra, ku prurjet e ujit janë 583 metër kub në sekondë dhe rritet me 74 cm në ditë. Aktualisht KESH ka stakuar turbinat e Fierzës dhe prodhohet energji vetëm nga Komani dhe Vau i Dejës. Kjo është bërë me qëllim që të krijohet një rezervë e konsiderueshme ujore. Niveli i ujit në Koman është 172.11 metra, ku prurjet anësore janë 228 metër kub në sekondë, ndërsa në Vaun e Dejës niveli është 74.28 metra. Sipas të dhënave më të fundit nga Korporata, pjesa më e madhe e kërkesës për energji plotësohet nga prodhimi vendas, i cili është në kuotën e 11.1 milionë kwh, ndërsa importi është 8.2 milionë kwh. Me uljen e temperaturave është rritur edhe konsumi i energjisë, i cili ka arritur në 19.3 milionë kwh. Këtë vit nuk do të ketë kufizime të energjisë dhe kjo është konfirmuar nga vetë ministri i Energjetikës, Genc Ruli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›