E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdec, zbulohet kasaforta e Delijorgjit

• Ngjyrë e bardhë, madhësi mesatare, e nxirë nga baruti i djegur dhe e mbushur me ujë. Dera elektronike e shkatërruar nga zjarri.

Fatos Mahmutaj

 Brenda: Blloqe shënimesh e faturash, dokumente, kartëvizita, një celular “Nokia-Biznes”, një koleksion kartëmonedhash të disa vendeve dhe një pistoletë “Mini-blow”. Kjo ishte kasaforta e firmës së Delijorgjit në të cilën Dritan Minxolli kishte mbyllur sendet dhe dokumentet më të rëndësishme. Hapja e derës së të cilës i kushtoi jo pak kohë grupit hetimor. Zjarri në të cilin kishte kaluar e kishte shkatërruar thuajse tërësisht bravën elektronike, ndërsa për hapjen e saj u desh të përdorej një levë. Grupi special hetimor i Prokurorisë së kryeqytetit i drejtuar nga prokurori Arben Dollapaj e zbuloi kasafortën mes malit me inerte, ku e kishte hedhur shpërthimi, ndërsa padyshim ajo përmbante provat më të vlefshme që kanë rënë në dorë të organit të akuzës deri tani. Gjetja e pistoletës në kasafortë i dha tjetër drejtim hetimit. Të paktën për drejtorin e burgosur të “Alb demil” Dritan Minxolli. Tashmë mbi të do rëndojë edhe akuza e armëmbajtjes pa leje, pasi paraprakisht ekspertët dhanë mendimin se pistoleta e gjetur ishte luftarake, megjithëse pranë saj nuk u gjetën fishekë.
Dokumentet
Kasaforta e fabrikës u gjet në vendin ku ndodhej banesa e tij. Diku, pranë fabrikës së demontimit, në mes të repartit një nga godinat ai e kishte kthyer në banesë të tijën. Në kasafortë u gjetën tre blloqe me kapakë të fortë, në të cilët Minxolli kishte mbajtur shënim të gjitha inventarët e kompanisë “Alb demil”. Në to ishin shënuar me përpikmëri edhe pagesat e ndryshme që ai kishte bërë, shuma që fillonin nga rreth 5 mijë lekë të reja e shkonin deri në 300 mijë USD. Brenda kasafortës nuk mungonin as urdhrat e pranimit të municioneve, të saktësuara për çdo ditë. Në disa tabela të printuara në format A3, ishin shënuar ditët e punës për punëtorët dhe pagesat për secilin 10 ose 15 mijë lekë të vjetra. Në dokumente të tjera Minxolli kishte mbajtur procesverbale në lidhjen me mbarëvajtjen e punëve, shënime të ndryshme si dhe porosi që kishte marrë. Diku jashtë kasafortës u gjetën dokumente të tjera, nga të cilat më të rëndësishme ishte statuti i shoqërisë “Alb demil” sh.a., disa dokumente të tjera në greqisht, bullgarisht si dhe mjaft etiketa, që u ngjiteshin thasëve me barut, të cilët priteshin të niseshin jashtë shtetit. Gjithashtu aty u gjet edhe libreza e kontributeve të Sigurimeve Shoqërore e Minxollit.
Kontrata
Veç “Alb demil” Minxolli kishte lidhur edhe një kontratë tjetër me Delijorgjin për të drejtuar kompanitë e këtij. Bëhet fjalë për kompaninë “Park Construction Albania”, në të cilën Minxolli mbante postin e drejtorit. Kontrata rezulton të jetë lidhur nga Mihal Delijorgji, në cilësinë e administratorit të kësaj shoqërie dhe punëmarrësit Dritan Minxolli. Dokumenti i kontratës u gjet thuajse i shkrumbuar nga hetuesit kryeqytetas, ndërsa në të kishin mbetur pa u dëmtuar shumë teksti i saj, ku shënohej se data e lidhjes së kontratës ishte data 3 janar e këtij viti dhe kjo ishte e vlefshme vetëm për vitin 2008. Siç duket Minxolli ishte një koleksionist monedhash. Në kasafortën e tij u gjetën dhjetëra kartëmonedha, prerjet më të vogla të disa vendeve. Nuk mungonin në të dollarët, dinarët maqedonas, lirat bullgare, lekët etj. Diku në katin e poshtëm të kasafortës ndodhej një foto e tij, bardhë e zi, në të cilën i përkiste moshës afërsisht një vjeç.

Vendi ku u gjet kasaforta
Kasaforta e Dritan Minxollit u gjet e hedhur nga shpërthimi mes inerteve të krijuara nga shembja e banesës së tij brenda mjediseve të ish-repartit ushtarak të përshtatur në fabrikë demontimi. Siç duket kasaforta ka qenë në një nga dhomat e banesës ndërsa në sajë të konstruktit të saj të fortë kishte shpëtuar pa u dëmtuar nga shpërthimi dhe zjarri. Gjetja e saj u bë mesditën e djeshme gjatë punës për dokumentimin e tragjedisë.

Brava e kasafortës e dëmtuar
Si pasojë e djegies së bravës elektronike dhe guarnicionit të gomës në kasafortë kishte hyrë lagështira. Brava e shkatërruar u bë shkak që dera e kasafortës të hapej me levë duke e shqyer atë, ndërsa brenda u gjet se kishte hyrë lagështirë. Kjo për faktin se izoluesi i lagështirës ishte djegur nga nxehtësia, por fatmirësisht kishin shpëtuar të paprekura dokumentet e rëndësishme që ndodheshin në të, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës.

Dokumentet qe u gjetën në kasafortë
Pa dyshim që provat më të rëndësishme për hetimin në ngarkim të Dritan Minxollit u gjetën brenda kasafortës së tij. Nëpër blloqe të ndryshme ai kishte mbajtur shënim të gjitha veprimet që kishte kryer me sasitë e municioneve, shitjen e arkave bosh, paletave, madje kishte detajuar edhe paratë që kishte harxhuar me pagimin e drekave. Të gjithë këto dokumente u sekuestruan nga Prokuroria dhe do analizohen një nga një nga grupi hetimor i çështjes.  

Pistoleta që mbahej pa leje 
“‘Mini-blow’, 8 mm, prodhim turk, nga ato që hyjnë rëndom nëpërmjet Malit të Zi në Shqipëri”. Kështu mësohet se është klasifikuar nga ekspertët e Kriminalistikës arma që u gjet dje në kasafortën e Minxollit, në rrënojat e ish-fabrikës së demontimit në Gërdec. Menjëherë pas kësaj arma u dërgua në laboratorin e Kriminalistikës, ndërsa pritet që mbi të arrestuarin për tragjedinë e Gërdecit të shtohet edhe akuza e “armëmbajtjes pa leje”

Dosja “Gërdeci” hetim për trafik e shpërdorim detyre

Prokuroria zbulon se në skandalin që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit ka pasur shpërdorim detyre ndërsa dyshohet edhe për trafikim municionesh.

Trazhgim Sokolaj

Burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se aktivizimi i një prokurori të Task-Forcës Antikorrupsion në grupin e hetimit është bërë pas thellimit të investigimit në pistën e shpërdorimit të detyrës nga zyrtarë të shtetit dhe ushtrisë. Burimet e akuzës sqaruan më tej se angazhimi i një prokurori të Krimeve të Rënda në grupin e hetimit të tragjedisë është bërë pas zgjerimit të hetimeve në pistën e dyshuar të trafikimit të armëve nga fabrika e Gërdecit në destinacione ende të panjohura. Lidhur me shpërdorimin e detyrës mësohet se Prokuroria e Tiranës tashmë ka në hetim të paktën dy ushtarakë. Njëri prej tyre është shefi i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, që sipas ligjit ka qenë përgjegjës për të gjitha municionet që janë çuar në fabrikë, të gjitha mjetet e ushtrisë që janë vënë në shërbim të saj dhe zbatimin e të gjithë urdhrave të dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm për furnizimin e fabrikës së Gërdecit. Nën hetim është marrë edhe një zyrtar i ndërmarrjes “Meico” që në emër të saj ishte ngarkuar të mbikëqyrte fabrikën e firmës së nënkontraktuar “Alb Demil”.
Dëshmia e Kolonelit
Shefi i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Dashamir Çaushi është marrë dje në pyetje për katër orë në Prokurorinë e Tiranës nga prokurorët që po hetojnë tragjedinë e Gërdecit. Për të tretën herë me radhë brenda një jave, zyrtari i Sektorit të Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm ka dhënë sqarime të hollësishme para grupit hetimor lidhur me aktivitetin e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec të Vorës. Kolonel Dashamir Çaushi ka dalë nga Prokuroria e kryeqytetit rreth orës 22:00, pasi ishte marrë në pyetje për tri-katër orë lidhur me të gjitha mjetet që ushtria ka vënë në dispozicion të fabrikës private të firmës “Alb Demil” në Gërdec si dhe ngarkesat me municione e predha që janë transportuar aty. Një nga çështjet kryesore për të cilat është pyetur Shefi i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm, ka qenë mosrespektimi i grafikut të furnizimit të fabrikës së Gërdecit me municione. Grafiku i autorizuar nënkuptonte që furnizimi me municione dhe predha i fabrikës të bëhej në mënyrë të tillë që aty të mos krijohej grumbullim predhash apo baruti ç’ka do të përbente rrezik serioz në rast të ndonjë shpërthimi apo gabimi gjatë çmontimit. Mirëpo ky grafik rezulton të jetë shkelur dhe në fabrikë është krijuar një grumbullim i madh baruti e predhash si pasojë e furnizimit mbi normë. Për këtë çështje, shefi i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm ka fajësuar ndërmarrjen “Meico”. “Shtabi dhe Forcat e Armatosura kanë transportuar municione në fabrikën e Gërdecit në bazë të sasisë së kërkuar nga ndërmarrja “Meico”, mësohet të ketë thënë para prokurorëve Koloneli Dashamir Çaushi.
Mbikëqyrësi i “Meico”
Prokurorët e dosjes “Gërdeci” kanë thirrur për të dëshmuar mbrëmjen e djeshme edhe një tjetër zyrtar, por kësaj radhe nga ndërmarrja shtetërore “Meico”. Sokol Ngjeçi, mbikëqyrës i fabrikës së Gërdecit në emër të ndërmarrjes “Meico” që varet nga Ministria e Mbrojtjes, është marrë në pyetje për më tepër se dy orë nga prokurorët që po hetojnë tragjedinë e Gërdecit. Atij i janë kërkuar të dhëna e sqarime për inspektimet dhe kontrollet që ndërmarrja “Meico” kishte bërë në fabrikën e firmës private “Alb Demil” lidhur me zbatimin e kushteve të sigurisë teknike. Në orët e vona të mbrëmjes mbikëqyrësi i ndërmarrjes “Meico” ka dalë nga Prokuroria e Tiranës, e cila mësohet se ka kërkuar që ai të paraqitet përsëri në organin e akuzës për të dhënë sqarime të tjera mbi mungesën e zbatimit të rregullave të sigurisë në Fabrikën e firmës “Alb Demil” në Gërdec e cila furnizohej nga ndërmarrja shtetërore “Meico”.

Ina Rama shton edhe dy prokurorë për Gërdecin

TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda përfshihet në hetimet për tragjedinë e Gërdecit. Me urdhër të prokurores së Përgjithshme Ina Rama, zv/drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Kostaq Beluri është aktivizuar në hetimet që po zhvillohen për tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec mesditën e 15 marsit 2008. Kryeprokurorja ka urdhëruar gjithashtu së në grupin e hetimit të përfshihet edhe Njësia Hetimore Task-Force Antikorrupsion. Prokurori i kësaj njësie Gentian Osmani prej ditës së djeshme është pjesë e grupit të hetimit të dosjes “Gërdeci”. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme Holta Zhiti e cila tha se grupi i hetimit të tragjedisë së Gërdecit tashmë përbëhet nga gjashtë prokurorë: Genci Qana, Arben Dollapi, Etien Kapo dhe Petrit Bica nga Prokuroria e Tiranës dhe Task-Forca dhe nga Kostaq Beluri i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në historinë e Prokurorisë shqiptare vetëm rasti i vrasjes së ish-deputetit Azem Hajdari është bërë shkak për angazhimin e gjashtë prokurorëve në hetim pasi asnjë ngjarje tjetër nuk ka pasur kaq prokurorë në dispozicion për hetimin e saj.                                                      t.s

“Gërdeci”, Kuvendi pro LSI-së

Lëvizja Socialiste për Integrim depoziton kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për ngjarjen e 15 marsit në Gërdec.

BLEDAR HOTI

Konferenca e krerëve të grupeve parlamentare ka shqyrtuar dje kërkesën e LSI-së, duke e pranuar që të iniciohej krijimi i një Komisioni parlamentar Hetimor për çështjet e veprimtarisë së ministrisë së Mbrojtjes. Në kërkesën e saj LSI-ja thekson se "ngjarja katastrofike në zonën e Gërdecit padyshim që zbuloi një problematikë të rënduar që lidhet me trajtimin dhe eliminimin e municionit të vjetër. Kuvendi duhet të njihet me faktin se si paraqitet aktualisht gjendja me stokun e armatimit që duhet eliminuar, me rrezikshmërinë që ai paraqet imediatisht, me faktin se si është trajtuar ai deri më sot dhe si mendohet të veprohet në të ardhmen për parandalimin e katastrofave dhe ngjarjeve të rënda".
Hetimi
Komisioni Hetimor do të ketë afat 3 mujor dhe propozohet të përbëhet nga 13 anëtarë, 6 nga opozita dhe 7 nga pozita. Ky komision do të drejtohet nga ana e opozitës. Në këto muaj synohet hetimi i veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me zhvillimin e reformave në fushën e mbrojtjes që siguron anëtarësimin në NATO dhe çështjet e sigurisë kombëtare që rrjedhin nga problematika që ka krijuar procesi i çarmatimit. Konferenca e kryetarëve, sipas burimeve mësohet se e ka pranuar nismën e LSI-së, duke bërë të gatshme dhe projektvendimin e Komisionit parlamentar Hetimor për këtë çështje. Ndërsa pritet që një kërkesë e tillë të paraqitet për votim në seancë parlamentare. Disa nga kërkesat për hetim nga ana e LSI-së, si objekt i punës së komisionit janë "veprimet dhe procedurat si dhe tërë problematika që trajton Ministria e Mbrojtjes që kanë të bëjnë me problemet e Sigurisë Kombëtare të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me procesin e çarmatimit apo eliminimin e armatimit të vjetër stok". "Kuvendi duhet të vihet në dijeni nëse ka pasur një strategji apo plan veprimi lidhur me procesin e çarmatimit nga Ministria e Mbrojtjes dhe a ka qenë dhe është i mjaftueshëm kuadri ligjor në fuqi dhe mbi cilat akte ligjore apo nënligjore kanë vepruar deri tani strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes", thuhet në pikën d të p/vendimit. Gjithashtu theksohet se në punën tre mujore të komisionit, "Kuvendi duhet të njihet me faktin se si paraqitet aktualisht gjendja me stokun e municionit dhe armatimit që duhet eliminuar, vendosjen e tij si dhe rrezikshmërinë që paraqet imediatisht. Si është trajtuar ky problem dhe si mendohet të veprohet në të ardhmen për parandalimin e katastrofave dhe ngjarjeve të rënda?". Në pjesën e hetimit do përfshihet edhe nëse kanë qenë të rregullta dhe të bazuara me ligj orientimet, veprimet dhe procedurat e ndjekura nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes (Shtabi i përgjithshëm, Drejtoritë Operative, MEIKO) për operacionet e zhvilluara në drejtim të trajtimit, asgjësimit apo shitjes së armatimit të municioneve stok. Një pjesë e punës pritet të jetë edhe veprimi i dikasterit të mbrojtjes në procesin e anëtarësimit të NATO-s, masat e marra për arritjen e standardeve të kërkuara.
Konferenca
Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare ka diskutuar gjithashtu në parim edhe për kalendarin e punimeve tre javore dhe më pas dhe për rendin e ditës së seancës së sotme parlamentare. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj në konferencën e djeshme ka kontestuar vazhdimin normal të Kuvendit, duke kërkuar që Kryeministri Sali Berisha të raportojë për ngjarjen e Gërdecit. Sipas Leskajt nuk mund të ketë vazhdim rutinë të seancës pa u sqaruar ngjarja tragjike e Gërdecit. "Ne kërkojmë që Kryeministri Sali Berisha të japë dorëheqjen nga posti që mban dhe të dorëzojë imunitetin si deputet", theksoi Leskaj. Sipas burimeve, kryetarja e Kuvendit, Topalli ka kontestuar qëndrimin bojkotues të opozitës, duke u shprehur se parlamenti do të vazhdojnë punën e tij. Ndërkohë në axhendën e seancës së sotme parashikohet votimi i dekretit të Presidentit Bamir Topi për emërimin dhe shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, si dhe të shkarkimit të zv.kryeministrit. Dekreti i Presidentit parashikon që ministër i Mbrojtjes të jetë Gazmend Oketa, i cili më parë ka mbajtur postin e numrit dy të qeverisë.

Kerkesat e LSI per hetim

    Të hetohen procedurat e ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes dhe "Meico" për asgjësimin e armëve apo shitjes së armatimit të municioneve stok.
    Kuvendi duhet të njihet me faktin se si paraqitet aktualisht gjendja me stokun e municionit dhe armatimit që duhet eliminuar.
    Kuvendi duhet të vihet në dijeni nëse ka pasur një strategji apo plan veprimi lidhur me procesin e çarmatimit nga Ministria e Mbrojtjes dhe a ka qenë dhe është i mjaftueshëm kuadri ligjor në fuqi.
    Mbi ç'akte ligjore apo nënligjore kanë vepruar deri tani strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes në fushën e çarmatimit

Grupi i PS: Berisha të sqarojë deputetët në Kuvend

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste pas diskutimeve të shumta vendosi të thërrasë sërish Kryeministrin Berisha në seancën parlamentare për të dhënë sqarime rreth zhvillimeve të reja që ka rreth tragjedisë së Gërdecit. Tregtia e armëve, përgjegjësitë rreth liberalizimit të tregtisë së armëve, dëshmitë e ushtarakëve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si dhe dalja në dritë e fakteve të reja rreth tragjedisë, kanë detyruar deputetët socialistë të kërkojnë kreun e qeverisë për të dhënë shpjegime në kuvend. Sipas tyre, grupi socialist nuk do të bojkotojë Kuvendin, por nuk do lejojë që seancat parlamentare të zhvillohen sipas kalendarit të parashikuar javë më parë. "Parlamenti nuk mund të futet në një rrugë rutinore, pa dhënë të gjitha shpjegimet, pa gjetur të gjitha shkaqet e Gërdecit, dhe zgjidhje për këtë çështje", është shprehur dje kryetarja e grupit parlamentar Valentina Leskaj. Deputetët socialistë në mbledhjen e grupit të tyre parlamentar e kanë cilësuar si provokim të rëndë përpjekjen e kryetares së parlamentit për të hyrë në rrjedhën rutinë të zhvillimit të seancave parlamentare. Sipas tyre, ngjarja e Gërdecit nuk është një situatë e zakonshme por e jashtëzakonshme, ndërsa kanë kërkuar që të vazhdojnë qëndrimin e tyre bashkë me të gjitha forcat opozitare në sqarimin e kësaj tragjedie. Sipas deputetëve socialistë përgjegjësia duhet të dalë e plotë në kuvend emër për emër. Grupi parlamentar socialist ka  mirëpritur vendimin e kryesisë socialiste për ngritjen e një grupi pune, i cili do të merret me grumbullimin dhe analizimin e të gjitha aspekteve politike, juridike, fiskale, të sigurisë, të punësimit etj., që kanë ndikuar në tragjedinë e Gërdecit. Mësohet se Fatmir Xhafaj, Shpëtim Idrizi, Blendi Klosi janë disa nga deputetët që bëjnë pjesë në grupin që po analizon elementët e tragjedisë. Mbi bazën e kësaj analize do të përgatitet dhe strategjia e grupit parlamentar socialist, i cili do të thërrasë në debate ministrat e linjave që mbajnë përgjegjësi për ngjarjen. Gjithashtu socialistët do t'i përgjigjen pozitivisht banorëve të Gërdecit për të mbështetur krijimin e një shoqate, e cila do të ngrejë padi penale ndaj personave me pushtet që akuzohen për veprim ose mosveprim në ngjarjen e 15 marsit.

Majko: Prokuroria të më hetojë

Ish-ministri i socialist i Mbrojtjes është treguar i gatshëm të flasë para Prokurorisë për çdo aludim që bëhet ndaj tij.

Aristir Lumezi

Pandeli Majko i është drejtuar me një letër Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, ku i kërkon që të hetohet edhe periudha kur ai kryente detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Shkas për këtë kërkesë të Majkos, është bërë botimi i një korrespondence mes tij si ministër Mbrojtje dhe ish-zv.kryeministrit të asaj kohe, Ilir Meta në lidhje me shqetësimet e ambasadorëve të huaj në Tiranë, për thyerje të embargos ndaj Ruandës nga ana e Shqipërisë për shitje armësh. Majko nga ana e tij, i konsideron ato aludime mediatike. "Kohët e fundit, në një pjesë të shtypit, lidhur me shit-blerjen e armatimeve, janë bërë aludime ndaj veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes edhe për periudhën kur ky institucion drejtohej nga unë. Në këto kushte, kur nuk e shoh të nevojshëm vetëm një përgënjeshtrim formal të tyre, në përsëritje edhe të disa kërkesave të mia të mëparshme drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar çdo lloj aludimi të bërë kur unë kam qenë Ministër i Mbrojtjes, Ju drejtohem sërish juve, që nga ana e institucionit tuaj të verifikohet çdo lloj aludimi i bërë si më parë ashtu edhe sot për periudhën që unë kam drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes", shprehet Majko në letrën drejtuar Prokurores së Përgjithshme. Ish-ministri i Mbrojtjes, shprehet i gatshëm të japë ndihmesën e tij në punën e prokurorisë për të zbardhur çdo aktivitet të kësaj ministrie. "Për sa më sipër shprehem i gatshëm t'ju informoj dhe t'ju vë në dispozicion çdo informacion të nevojshëm", shprehet Majko.
Historia
Në një shkrim, në një nga të përditshmet dalin fakte se Shqipëria i ka shitur fishekë Ruandës në vitin 2003, në një kohë që Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte vendosur embargo për blerje armësh për këtë vend. Në këtë kohë Ministria e Mbrojtjes drejtohej nga Pandeli Majko. Por vetë Majko sqaron, përmes korrespondencës me drejtorin e "Meico", Ylli Pinari se konfirmimin për Ruandën si vend jashtë embargos, e kishte dhënë gabimisht Ministria e Jashtme e Shqipërisë, ndërsa shitja e fishekëve ishte bërë brenda të gjitha rregullave në fuqi. Ish-ministri socialist i Mbrojtjes tregon se që pas atij rasti, ka kërkuar me urdhër të posaçëm nga ndërmarrja shtetërore "Meico" të bëjë transparencën e aktivitetit të saj. Sipas këtij urdhri, "Meico" detyrohet të informojë çdo tre muaj, Presidentin e Republikës, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhur me veprimtarinë e import-eksporteve që kryhen. Hetimi i plotë i të gjithë veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe në veçanti të funksionimit të ndërmarrjes së import-eksport të kësaj ministrie, "Meico" ka krijuar shumë aludime në histori për raportet e Mihal Delijorgjit me drejtuesit e lartë të kësaj ministrie.

Rama: S’ka transparencë me donacionet në Gërdec

Socialistët ngrenë dyshime për kontributet e dhuruara nga individët dhe sipërmarrjet private për rimëkëmbjen e të prekurve nga shpërthimi i 15 marsit në Gërdec. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi dje në një konferencë për shtyp se "nuk dihet si po trajtohen këto kontribute të derdhura në llogaritë bankare të hapura për të dëmtuarit e tragjedisë". Rama ka akuzuar qeverinë se nuk ka asnjë plan për të përmirësuar gjendjen në Gërdec. "Nisur nga papërgjegjshmëria, paaftësia dhe korrupsioni që ka kapur në fyt këtë maxhorancë, konstatoj me keqardhje dhe shqetësim të thellë, se nuk ka as plan dhe as transparencë për t'i kuruar këto plagë në kohën e duhur dhe në mënyrën më të efektshme", tha Rama. Sipas tij, "tragjedia e Gërdecit, nuk është rasti i vetëm, por është pa asnjë dyshim, rasti më spektakolar në monstruozitetin e kapjes së shtetit me litarin e interesave personale të atyre që na qeverisin".

Fondacioni "Mësoj për Shqipërinë" për Gërdecin
Kreu i LSI-së Ilir Meta, u shpreh dje në Bashkinë e Vorës se bashkë me Fondacionin "Mësoj për Shqipërinë", ku deputeti Neranxi është një nga themeluesit e tij, do të ndihmojë shkollat e kësaj zone që tashmë janë të shkatërruara. Sipas tij, LSI do të vazhdojë të kontribuojë edhe të apelojë edhe tek anëtarët dhe simpatizantët e saj për të kontribuar edhe në llogaritë e hapura për këtë qëllim. "LRI-ja ishte e para që ka kontribuar me një shumë modeste prej 1 mln lekësh në një maratonë të zhvilluar nga TVSH-ja", tha Meta.

G99 ndihma për familjet e Gërdecit
Përfaqësues të 'Grupit 99' vizituan dje familjet e Gërdecit që janë përkohësisht të strehuara në ambientet e shtëpisë së pushimit në Durrës dhe biseduan me ta për gjendjen aktuale dhe ndihmat e ndryshme për të cilat ata kanë nevojë Gjithashtu 'G99' me mbështetjen e një grupi organizatash bamirëse solli një sasi ndihmash me ushqime, veshmbathje, batanije dhe lodra për fëmijët. Këto ndihma iu dorëzuan nga 'G99' koordinatorëve dhe vullnetarëve të Kryqit të Kuq që janë dhe përgjegjës për mbarëvajtjen e shpërndarjes së ndihmave.

Madhi: Transparencë për hetimet e Gërdecit
"Partia Republikane po kërkon transparencë të plotë për ngjarjen e Gërdecit, duke i hapur rrugë hetimit, ndërkohë që një pjesë e opozitës po abuzon me këtë tragjedi duke hedhur baltë mbi Partinë Republikane", u shpreh Arjan Madhi. Sipas tij, "grupi parlamentar i PR-së analizoi ngjarjen e Gërdecit, në çdo aspekt duke konkluduar se ndihma e dhënë nga strukturat shtetërore, Forcat e Armatosura, forcat civile dhe gatishmëria me efeciencë të plotë për të dëmshpërblyer të gjitha dëmet e kryera nga kjo ngjarje, dëshmon për një punë perfekte të kryer nga qeveria".

“Urdhri i Shtabit kishte mangësi”

“Më kanë kërkuar me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të çoj 15 kontejnerë në Gërdec të Vorës”.

Dashamir Biçaku

Ky është konfirmimi i kreut të Komandës së Mbështetjes Logjistike, të Ushtrisë shqiptare, Gjeneral Brigade, Zija Bahja. Ai ka pohuar dje për gazetën “Panorama”, se atij i është kërkuar të dërgonte në fshatin Gërdec të Vorës, një sasi prej 15 kontejnerësh me kërkesë të ndërmarrjes MEICO. Dorëzimi i përkohshëm i kontejnerëve do të bëhej me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Leitnant, Luan Hoxha. “Por ky urdhër nuk është zbatuar pasi ne nuk kishim mundësitë për ta përmbushur atë, si dhe për shkak se në dokumentin e urdhrit kishte disa mangësi”, thotë Gjeneral Bahja. Sipas tij, në urdhrin e dërguar nga Shtabi i Përgjithshëm është kërkuar që në dispozicion të ndërmarrjes MEICO, të viheshin 15 kontejnerë të repartit ushtarak nr.4001 të cilët duhej të transportoheshin me mjetet e ushtrisë. “Ne nuk mund të zbatonim këtë urdhër pasi nuk kishim mjetet e transportit në dispozicion. Mjetet tona, ishin të angazhuar në një operacion tjetër. Po ashtu në urdhër nuk ishte i përcaktuar destinacioni ku duhej të dërgoheshin kontejnerët, që do të bëheshin dalje nga magazinat e Komandës së Mbështjes Logjistike”. Gjeneral Bahja, tha se edhe ngritja me vinç e kontejnerëve nuk mund të kryhej pasi vinçi i ushtrisë ishte i angazhuar në një operacion tjetër ushtarak. Në fund Gjenerali i Logjistikës shton se ndërmarrja MEICO, nuk merrte përsipër as shpenzimet e karburantit që mbetej të bëheshin nga “xhepi” i Ushtrisë.
Anulimi i urdhrit
“Në këto rrethana, i kam komunikuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm riformulimin e këtij urdhëri ku të saktësohej destinacioni i kontejnerëve, mjetet me të cilat do të kryhej transporti dhe koëzgjatja e këtij procesi. Më tej kam kërkuar që të përcaktohej qartë kush do të mbulonte shpenzimet e karburantit”,- sqaron komandanti Bahja. Urdhri i Shtabit të Përgjithshëm i firmosur nga Gjeneral lejtnant Luan Hoxha është bërë publik dje në gazetën “Panorama”. Ai urdhër kërkonte që ushtria të dorëzonte tek ndërmarrja “Meico” 15 kontejnerë të repartit ushtarak nr.4001 në Tiranë. Ndërmarrja shtetërore “Meico” do t’i dorëzonte kontejnerët tek fabrika e firmës “Alb Demil” në Gërdec me qëllim që ata të përdoreshin për vendosjen e barutit. Kërkesa për një sasi të tillë kontejnerësh sipas burimeve tregon se në fabrikë ishte lënë të grumbullohej një sasi e madhe baruti e cila ka kontribuar në fuqinë e shpërthimit fatal mesditën e 15 marsit. Por duket se nuk ka qenë vetëm sektori i Logjistikës ai që ka gjetur mangësi në urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm. Kreu i këtij institucioni i cili nuk ndodhej në Shqipëri në ditët që urdhri i tij duhej zbatuar, ka urdhëruar një nga punonjësit e Shtabit që të anulonte urdhrin për dërgimin e kontejnerëve në Gërdec. Në fund të dokumentit në krah të djathtë, është bërë një shënim ku thuhet se urdhri është anuluar dhe mbi këtë shënim është vendosur vula e Shtabit të Përgjithshëm.
Municionet e predhat
Ndërkaq mësohet se një sasi e konsiderueshme municionesh, janë transportuar në Gërdec, nga Komanda e Mbështjes Logjistike gjatë muajit janar deri në mars kur ndodhi katastrofa. Fabrika e çmontimit është furnizuar me municione edhe nga komandat e tjera, si ajo e Forcës së Bashkuar apo Forcat Ajrore. Sipas burimeve nga Shtabi i Përgjithshëm, më datën 15 mars ditën e shpërthimit në Gërdec, në fabrikën e demontimit kanë qenë rreth 160 tonë barut i pa larguar nëpërmjet kontejnerëve që ndodheshin në oborrin e fabrikës së çmontimit të predhave dhe municioneve. Të dhënat zyrtare tregojnë se ditën e shpërthimit në fabrikë ishin grumbulluar së paku 70 tonë predha dhe municion luftarak të pa çmontuar. Që prej fillimit të këtij viti, në Gërdec janë dërguar për t’u çmontuar më tepër se 9400 tonë municione luftarake.

Municionet në Gërdec

160 tonë barut i grumbulluar në thasë dhe në kontejnerë ndodhej në fabrikën e Gërdecit më 15 mars, ditën kur ndodhi shpërthimi

70 tonë predha luftarake të kalibrit të madh ndodheshin në pritje të çmontimit në fabrikën e Gërdecit mesditën e 15 marsit, ditën e tragjedisë

9400 tonë municione luftarake janë transportuar nga repartet dhe depot e ndryshme ushtarake për në fabrikën e Gërdecit nga janari deri në mars 2008

10 kontejnerë që përdoreshin për depozitimin e barutit të predhave ndodheshin në oborrin e fabrikës kur ndodhi shpërthimi

4 kontejnerë të mbushur me barut morën flakë dhe shpërthyen duke rritur fuqinë shkatërrimtare të ngjarjes mesditën e 15 marsit

“Meico” çdo tre muaj duhej të raportonte te Presidenti e KLSH

TIRANE – Një urdhër i datës 23 janar 2003 i Ministrisë së Mbrojtjes, detyronte ndërmarrjen e import-eksportit të armëve dhe municioneve “Meico” që çdo tre muaj të raportonte me hollësi për veprimtarinë e saj tek Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes firmosur në janar 2003, “Meico” detyrohej që të raportonte çdo tre muaj me raporte të hollësishme për veprimtarinë e saj. Por pak ditë më parë Presidenti dhe  Kryeministri janë shprehur se nuk kanë pasur informacione për atë që po ndodhte në Gërdec, ndërkohë që municionet dërgoheshin aty nga ndërmarrja “Meico”. Lidhur me këtë çështje nuk është prononcuar në mënyrë publike kryetari i KLSH-së për të cilin ende nuk mund të thuhet nëse ka pasur informacione për këtë çështje apo jo. Por gjithsesi, nëse urdhri i Ministrit të Mbrojtjes, i janarit 2003 është ende në fuqi, atëherë “Meico” ka raportuar tek kreu i shtetit dhe Qeverisë për municionet që çonte në Gërdec. Nëse ndërmarrja “Meico”, nuk e ka bërë një gjë të tillë, titullarët e saj mes të cilëve edhe ish-drejtori i arrestuar Ylli Pinari veç të tjerave kanë kryer edhe shkeljen e këtij urdhri. Prokuroria e Tiranës e cila po heton çështjen, e pyetur dje nga gazeta “Panorama” tha se ende nuk kishte bërë ndonjë verifikim lidhur me këtë urdhër që e detyronte ndërmarrjen “Meico” të raportonte hollësisht për punën e saj. Prokuroria tha se do të verifikojë rreth këtij fakti, pasi nëse do të zbatohej ku urdhër atëherë institucionet shtetërore do të merrnin informacion lidhur me atë që po ndodhte në Gërdec dhe tragjedia mund të ishte parandaluar ose të paktën veprimtaria e ndërmarrjes së çmontimit do të ishte vendosur në kontroll dhe brenda rregullave strikte. Derisa Prokuroria ta verifikojë këtë urdhër, hetuesit kanë ngritur dyshime se ai ose nuk është zbatuar nga ndërmarrja “Meico” ose është shfuqizuar pas janarit të vitit 2003. Urdhri nëse nuk është anuluar, u konsiderua prej hetuesve si një instrument i mirë për të kontrolluar veprimtarinë e ndërmarrjes “Meico” jo vetëm në drejtim të procesit të demontimit të armëve dhe municioneve luftarake por edhe në aspektin e tregtisë së ligjshme apo ilegale që ajo mund të ketë bërë gjatë aktivitetit të saj që tashmë po hetohet nga Prokuroria.

Gërdec, shkëndija fatale ndezi barutin

Që tragjedia e Gërdecit ka zënë fill nga ndezja e një sasie baruti teksa punohej, kjo nuk ka pikë dyshimi për hetuesit, ndërsa shkaku më i mundshëm i zjarrit mund të jetë njëra prej karrocave me të cilat transportoheshin gëzhojat, predhat apo baruti.

Tashmë në këtë pistë, grupi special i Prokurorisë së kryeqytetit i kryesuar nga prokurori Arben Dollapaj po kryen veprime hetimore në dy drejtime; atë të ndezjes së barutit pasi ishte vendosur mbi karrocën e sapo salduar; dhe atë të krijimit të shkëndijës fatale nga rrotat e çelikta të karrocës që lëvizte mbi betonin e varfër. Në të njëjtin mendim me Prokurorinë e kryeqytetit është edhe 19-vjeçarja Arta Prini, ish-punëtore e fabrikës, e cila kishte qenë vetëm pak metër larg kur kishte parë flakën fillestare, pas së cilës kishte vrapuar të largohej, por që nuk e kishte pasur këtë fat bashkëmoshatarja e saj Zelie Leti. “Ja këtu isha unë, duke ngarkuar predha në karrocë”, tregoi ajo dje vendin diku pranë hyrjes së fabrikës, ndërsa pohoi se puna e saj ishte rreth 100 metër më larg, por aty kishte ardhur të ndihmonte të vëllanë. 19-vjeçarja Prini ndodhej dje në ambientet e ish-fabrikës së tmerrit për të ndihmuar të afërmit e saj që po kërkonin kufomën e Letit. Pak çaste para momentit fatal kjo e kishte parë bashkëmoshataren e vet duke punuar, ndërsa pasi tregoi vendin u largua sërish.
Në gjithë sipërfaqen e ish-fabrikës gjenden të shpërndara gëzhoja, predha dhe metale të tjera, të shkatërruara nga shpërthimi. Madje, forca e eksplozionit duket më së miri në prerjen përgjysmë të një sasie predhash, shumica e të cilave ishin demontuar me anë të forcës së krahut me mjete primitive. Tavolinat e punës nuk ishin gjë tjetër veçse gryka topash të sharruara, në të cilat vendoseshin predhat nga maja dhe gëzhoja hapej me forcën e krahut. Kjo metodë aplikohet kryesisht në predhat e kalibrit të vogël. Karrocat, njëra prej të cilave mendohet se ka shkaktuar tragjedinë ndodhen të përhapura në të gjithë sipërfaqen. Mendohen se kanë qenë gjithsej rreth 20 copë, pasi 18 grupet e punës e kishin nga një në dispozicion. Të gjitha karrocat ishin primitive dhe të ndërtuara në mënyrë artizanale. Gjithçka ishte një pllakë metalike 10 mm, të cilës i ishin salduar nga poshtë katër rrota metalike me diametër rreth 12 centimetër dhe një bisht metalik 120 centimetër i gjatë në formën e germës “T”. Rrotat mendohet se kanë pasur mbështjellje gome, kusht i domosdoshëm ky për të punuar me to në vende ku kishte barut afër. Por sipas dëshmitares Leti kishte edhe karroca që nuk kishin mbështjellje gome. Pikërisht rrota e çeliktë e njërës prej këtyre karrocave ose e ka shkaktuar shkëndijën fatale duke u fërkuar me zhavorrin e betonit të varfër, ose ka shtypur ndonjë kokërr baruti e cila është ndezur e stimuluar edhe nga temperaturat e larta të 15 marsit. Ndërsa pista e dytë, të cilës po i mëshon fort organi i akuzës i kryeqytetit është ndezja e barutit nga pika e saldimit të karrocës. Si pasojë e punës me ritme të shpejta, karrocave u këputej doreza thuajse përditë. Pas defektit ato nxirreshin jashtë repartit, pranë banesës së Qemal Deliut ku saldoheshin dhe ktheheshin sërish në repart. Ndoshta ndonjë prej punëtorëve duke u përpjekur të kapte sa më shpejt normën nuk ka pritur që karroca e tij të ftohej, por ka ngarkuar në të barutin që kishte dalë nga çmontimi i predhave. Të gjitha karrocat që u gjetën në sipërfaqen e mbushur me metale të ish-fabrikës së demontimit në Gërdec u dokumentuan nga grupi special hetimor, por ende nuk mund të flitet se cila prej karrocave ishte shkaktarja e tragjedisë pasi koha e saldimit nuk mund të dallohej me sy të lirë te asnjëra nga ato për shkak të ndryshkut të krijuar nga shirat e pandërprerë të ditëve të fundit.

Banorët kërcënohen nga 32 tonë amoniak

BERAT – Pas depove të municionit, një tjetër kërcënim serioz vjen për Beratin nga sasia e amoniakut brenda ambienteve të ish-kombinatit. Specialistët pohojnë se në disa rezervuarë në godinat e tij ndodhen 32 tonë amoniak, gati për shpërthim. Dhe burime nga bashkia e konfirmojnë këtë fakt, duke pohuar se nga amortizimi i saraçineskave dhe vetë rezervuarëve amoniaku ka filluar të rrjedhë në sipërfaqe, duke krijuar një tjetër rrezik. Kjo sasi e madhe amoniaku ka mbetur prej vitesh në këtë ambient dhe askush nuk po kujtohet për ta hequr. Specialistët e ambientit kanë dhënë alarmin jo vetëm për ndotjen, por për ndonjë shpërthim të mundshëm të këtyre rezervuarëve me tonazh të madh. Ato ndodhen shumë afër lagjeve të qytetit, të populluara nga vendas dhe të ardhur vitet e fundit. Pronarët e ish-kombinatit janë shprehur për gazetën se janë të pafuqishëm përballë një situate të tillë. Ata janë shprehur se gjendja është rënduar nga rrjedhjet e amoniakut, por çka është më e rrezikshme është shpërthimi i mundshëm i rezervuarëve. Për këtë është njoftuar dhe Drejtoria e enëve nën presion me qendër në Fier. Specialistët kanë ardhur dhe ka qenë e pamundur çmontimi i tyre, pasi është çdo veprim me rrezik për një shpërthim të mundshëm.     d.xh

Kontrolli, depot e Grizës jashtë rregullave teknike

FIER - Shkelje të të gjitha rregullave të sigurisë teknike në repartin ushtarak të Grizës në Patos. Ka qenë një kontroll i befasishëm nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, i cili ka dalë në konkluzionin se kushtet ku qëndrojnë municionet janë të papërshtatshme, pasi godina nuk as ka dyer, as dritare të sigurta. Ky konkluzion është nxjerrë nga kontrolli të imtësishëm në zonën e Grizës, nga më shumë se 15 ekspertë të ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare. Të ndodhura vetëm pak kilometra larg qytetit të Fierit bazat me municione paraqesin një rrezikshmëri të lartë për 500 familjet e Grizës. Pasi kanë hyrë në brendësi të 9 kapanoneve gjigantë të mbajtjes së municioneve, ekspertët kanë verifikuar me imtësi të gjithë materialin e rrezikshëm që ndodhet në brendësi të tyre. Megjithëse ushtarakët nuk kanë dhënë informacion të detajuar për llojin e municionit të ndodhur në këto depo dhe sasinë e tij, ata kanë pohuar se pakujdesia më e vogël mund të shkaktojë një Gërdec të ri. Për këtë arsye aty, numri i rektrutëve që ruajnë depot është shtuar në 15. Alarmi në këtë zonë është dhënë kohë më parë nga prefekti i Qarkut të Fierit, Shahin Bejdaj, i cili disa herë ka inspektuar bashkë me ekspertët e prefekturës këtë zonë të rrezikshme. Bejdaj është shprehur gjatë kësaj vizite se sasia e municioneve në këto depo është rreth tre mijë tonë mes predhave dhe mjeteve të tjera luftarake.                                                          m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›