Politikat që asfiksojnë lirinë e biznesit
• Prof.Dr. Anastas Angjeli
Hartimi dhe zbatimi i politikave
ekonomike, financiare e administrative, në dobi të zgjerimit të hapësirave të lirisë ekonomike për zhvillimin e biznesit privat, gjatë këtyre gati tre viteve të kësaj qeverisjeje, pa mohuar ndonjë arritje, siç është ajo e fillimit të shkurtimit të kohës së regjistrimit të bizneseve, përgjithësisht, vazhdon të jetë e mbërthyer nga një mentalitet dhe veprim ende kufizues, i cili në vitin 2007 dhe gjatë këtij fillim viti 2008, po manifestohet dukshëm.
Pra, fjala është për mentalitetin dhe hapat konkretë ligjorë dhe praktikë që janë ndërmarrë e që po zbatohen në vendosjen, në mënyrë të centralizuar të çmimeve referenca, kudo dhe në çdo aktivitet e veprimtari, me synimin që, mbi bazën e tyre të përcaktohen dhe të bëhet kontrolli i detyrimeve tatimore të personave të tatueshëm, qofshin këto shoqëri, persona fizikë apo individë. Sado “i mirë të jetë qëllimi” i masave të tilla, sado të jetë i motivuar me luftën kundër ekonomisë informale, abuzimit, konkurrencës së pandershme apo kompensimit të të ardhurave të munguara si rrjedhojë e fillimit të aplikimit të taksës së sheshtë, ato, në qofte se nuk mbeten të kufizuara në kohë (të përkohshme) dhe si të tilla vetëm në aktivitete e mallra të veçanta, do të kthehen dhe realisht po kthehen në instrumente mbytëse të lirisë së biznesit.
Veprime të tilla nuk janë objekt i një debati teorik (të kapërcyer prej vitesh në vendin tonë që ka zgjedhur rrugën e ekonomisë së tregut), por dëshmojnë mentalitet dhe veprime të gabuara, pasojat e së cilave po shfaqen dukshëm në rritje, jo thjeshtë në “asfiksimin” e një apo dy bizneseve të parregullta, por në atë të ekonomisë në përgjithësi.
Më konkretisht:
Konstatime që shndërrohen në shqetësime
Së pari; Siç dihet sektori i ndërtimit është shumë i rëndësishëm dhe ka një peshë të konsiderueshme në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Me këtë sektor nuk lidhet thjeshtë dhe vetëm ndërtimi i objekteve, thjesht dhe vetëm si objekte, por ai është sektori ku lidhen, pleksen dhe përballen gjithë faktorët dhe sektorët ekonomikë, financiarë e socialë të vendit. Kështu në zinxhirin e veprimtarisë së ndërtimit janë një sërë hallkash të lidhura fortë me njëri-tjetrin (me industrinë e ndërtimit janë të lidhura mbi 160 profesione e veprimtari të tjera shumë të rëndësishme të ekonomisë), që nga sektorët e prodhimit dhe të shitjes së çimentos, hekurit, tullave, gëlqeres, pajisjeve hidraulike e elektrike, ato të prodhimit dhe montimit të vetratave, dyerve e dritareve, të xhamave, shoqëritë e transportit, zyrat e real-state etj., e deri te punësimi, pagesat e tatimeve dhe taksave, sigurimeve shoqërore e shëndetësore, sistemi financiar-bankar etj.
Prandaj, shteti me politikat e veta ekonomike, financiare dhe masat administrative nxit, motivon këtë sektor, mbështet zhvillimin e të gjithë “hallkave të zinxhirit ekonomik”, në të kundërt e frenon dhe e asfikson atë.
Eshtë kjo arsyeja që problemi që po shtrojmë (jo vetëm për sektorin e ndërtimit, por në përgjithësi) nuk janë rastësi, as shembuj hipotetikë dhe as një dëshirë për kritikë. Ato janë konstatime që po kthehen në shqetësime, dhe ja sepse:
A-Siç dihet prej disa kohësh është miratuar dhe ka hyrë në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili kërkon hartimin e një manuali çmimesh, të centralizuara dhe të fiksuara, mbi bazën e të cilit të bëhet llogaritja e detyrimeve tatimore për të gjitha shoqëritë e ndërtimit. Ky vendim, i cili “bën të detyrueshëm zbatimin e manualit për llogaritjen e kostos dhe të çmimeve të punimeve të ndërtimit”, në kushtet e ekonomisë së tregut, është plotësisht jashtë kohe, tërësisht arbitrar dhe pa sens, është kthim prapa, në metodat centralizuese, bile centralizim në ekstrem.
Ky “kthim në të kaluarën” i përket ekonomisë që drejtohej në mënyrë të planifikuar e të centralizuar, ku çmimet, normativat e harxhimit të materialeve, rendimenti i punës, numri i punonjësve, teknologjia e ndërtimit, mekanizimi i punës dhe elementë të tjerë, caktohen e kontrollohen nga shteti dhe janë të pandryshueshme. Në kushtet e ekonomisë së tregut, të instaluar edhe në vendin tonë, nuk mund të veprohet kështu, përkundrazi duhet vepruar në të kundërt. Kjo, sepse shkalla e mekanizimit ndryshon në mënyrë të vazhdueshme dhe varion nga një shoqëri në një tjetër, lëndët e para dhe materialet e ndërtimit gjithashtu janë të larmishme dhe me kosto të ndryshme e cilësitë e tyre të shumëllojta, fuqia punëtore, si në volum ashtu dhe përsa i përket pagesës për njësi kohe, është e ndryshme dhe në ndryshim të vazhdueshëm etj. Prandaj është jo vetëm non sens, por disi absurde, të pretendosh, të hartosh e të zbatosh një manual preventivimi të detyrueshëm, mbi bazën e të cilit të bëhet kontrolli i punëve publike apo private.
Ideja për fiksimin e centralizuar të çmimeve dhe mbi këtë bazë për përcaktimin e detyrimeve tatimore dhe kontrollin e këtyre detyrimeve, është jo vetëm konceptualisht, plotësisht e gabuar, por edhe me pasoja në rast se do të vazhdojë të zbatohet. Por jo vetëm kaq, përveç se sa më sipër, në kushtet e sotme, praktikisht një gjë e tillë është thuajse e pamundur për zbatim, (kështu që detyrimisht do të veprohet apriori dhe në mënyrë arbitrare dhe abuzive) pasi:
- Nivelet e çmimeve janë nga më të ndryshmet dhe në çdo moment mbi to veprojnë shumë faktorë, si konkurrenca, klientela, ekskluziviteti, sasia e kërkuar, cilësia e ofruar, korrektësia e marrëdhënieve shitës-blerës, mënyra dhe koha e pagesave etj.
- Normativat e harxhimit të materialeve të ndërtimit janë tejet të ndryshme dhe ato varen nga shumë faktorë që kanë të bëjnë me shumëllojshmërinë e tyre në treg, me teknologjinë që përdoret, me shkallën e mekanizimit të proceseve të punës, me cilësinë e materialeve etj.
- Numri i punonjësve dhe rendimenti i punës së tyre për çdo volum punimi është gjithashtu i ndryshëm në shoqëri të ndryshme dhe kjo lidhet me faktin që çdo biznes sot bën të gjitha përpjekjet për uljen e numrit të punonjësve, duke mekanizuar sa më shumë të jetë e mundur proceset e punës, duke rritur specializimin e ngushtë etj., të cilat në fund të fundit çojnë edhe në rritjen e rendimentit në punë;
- Teknologjia e ndërtimit sot ka evoluar në mënyrë të paimagjinueshme dhe ajo perfeksionohet çdo ditë e më shumë për shkak të konkurrencës së madhe, e cila vë në lëvizje të vazhdueshme investimet për mekanizimin e proceseve të punës në ndërtim.
Së dyti; Po me të njëjtën logjikë dhe në të njëjtën linjë shkon edhe udhëzimi i para pak kohëve i ministrit të Financave, i cili përcakton çmimet e shitjes së apartamenteve të banimit për efekt të llogaritjes së tatimit mbi të ardhurat personale që duhet të paguajnë personat individë që shesin apartamente.
Së treti; Dëshmi tjetër e hartimit dhe zbatimit të një filozofie dhe mentaliteti centralizues e të rrënjosur fort në politika ekonomike e financiare që po zbatohen, është edhe Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.285, datë 04.05.2007, (për pagat referuese), në bazë të të cilit janë fiksuar një herë e mirë të gjitha nivelet e pagave për punonjësit e të gjithë kategorive dhe për të gjithë sektorët e ekonomisë, për efekt të llogaritjes së detyrimeve për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe për tatimin mbi të ardhurat personale.
Sikur të mos mjaftojë kjo, sipas këtij vendimi, në mjaft raste, nivelet e këtyre pagave janë përcaktuar edhe më të larta nga sa realisht janë, gjë që, me fjalë të tjera, do të thotë se shoqëria dhe individi janë të detyruar të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale dhe kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për një pagë të pa marrë realisht, në fakt. Kjo përveçse është një shkelje flagrante, që bie në kundërshtim edhe me Kushtetutën e RSH, e cila në mënyrë eksplicite ka përcaktuar se, askush, përveçse me ligj, nuk mund të kërkojë pagimin e tatimeve dhe të taksave, është njëkohësisht një barrë e padrejtë mbi këdo që aplikohet.
Së katërti; Në të njëjtën linjë me mentalitetin e vendosjes në mënyrë të centralizuar të çmimeve, është gjithashtu edhe zbatimi në praktike i çmimeve të referencës në dogana (ku referimi në këto çmime, praktikisht mbisundon mbi çdo mënyrë tjetër vlerësimi të vlerës doganore, për efekt të llogaritjes së detyrimeve doganore të mallrave të importuara). Për hir të së vërtetës, kësaj metode, të vendosur që prej vitit 1999, tashmë i ka kaluar koha. Në kushtet e zhvillimit ekonomik e financiar të vendit, të përmirësimeve të bëra në administratën fiskale e doganore në këta 10 vjet dhe, veçanërisht të hapave që janë bërë e duhen bërë për harmonizimin e legjislacionit fiskal me atë evropian, në kuadër të zbatimit të MSA-së, kjo metodë duhet të rishikohet përmes përmirësimeve të nevojshme në legjislacionin fiskal dhe Kodin Doganor.
Së pesti; Gjithashtu, sipas shumë informacioneve dhe veprimeve që po kryhen, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (nën diktatin e Ministrisë së Financave) ka miratuar listë të pafund çmimesh për mallra e artikuj të ndryshëm, në mënyrë që ato të përdoren nga administrata tatimore për kryerjen e kontrolleve tatimore dhe llogaritjen e detyrimeve tatimore të shoqërive tregtare. Me fjalë të tjera, është vendosur që edhe për shitjet në tregun e brendshëm të veprohet si në dogana, me çmime reference. Se sa absurde do të ishte kjo, këtë gjithkush e ka të qartë, po të ketë parasysh atë se çfarë ndodh praktikisht me çmimet, të cilat janë aq dinamike sa, për të njëjtën cilësi të mallit ato ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme edhe brenda së njëjtës ditë, pa folur pastaj që cilësia e të njëjtit lloj malli është e larmishme dhe ndryshon në varësi të prodhuesve apo të tregjeve nga vijnë.
Pra siç shihet, nuk kemi të bëjmë me një rast të shkëputur e sporadik dhe as me një gabim teknik, por përkundrazi me një filozofi, botëkuptim dhe prirje dukshëm në rritje, për të ndërhyrë në mënyrë arbitrare dhe të padrejtë në sektorin privat, në treg, që e “mbyt lirinë e biznesit”. Eshtë e qartë se mentalitete dhe të tilla prirje nuk bazohen as në parimet e teorisë fiskale në kushtet e ekonomisë së tregut dhe as në praktikat më të mira të vendeve të tjera (pasi nuk ka të tilla), por vetëm në “shkollën e vjetër” të cilës i ka kaluar koha prej vitesh, edhe në vendin tonë.
Pasojat
Zbatimi i politikave të mësipërme po sjell dukshëm “asfiksimin” e lirisë së biznesit, të zhvillimit të sektorit privat e cila nuk mund të mos dëmtojë zhvillimin ekonomik në përgjithësi. Kjo sepse nga zbatimi i këtyre politikave, ka më pak zhvillim të prodhimit, më pak punësim, më pak marrëdhënie e shkëmbime tregtare dhe më pak të ardhura nga tatimet dhe taksat e pagesa të detyrimeve për sigurimet shoqërore etj., duke mos dhënë efekte as në uljen e ekonomisë informale.
Nga ana tjetër, zbatimi i politikave të tilla, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, jo vetëm që po e bllokon këtë sektor (po t’i shtojmë kësaj edhe faktin që për gati 2 vite, nuk u dhanë lejë ndërtimi, ky bllokim quhet i stërzgjatur), por druaj se mund të sjellë implikime të paparashikuara edhe në sistemin bankar si dhe të falimentimit të shumë kompanive të këtij sektori, të cilat veprimtarinë e tyre (thuajse tashmë të bllokuara) e kanë të bazuar në financimet me kredi apo janë të lidhura me njëra tjetrën, përmes “zinxhirit të kliringut”.
ÇFARË DUHET BERE?(ZGJIDHJA)
Eshtë e vërtetë që shkalla e pagimit të tatimeve në vendin tonë është ende e ulët, shumë biznese nuk kanë ndërgjegjësimin e duhur për të vetëdeklaruar dhe paguar vërtetësisht të gjitha detyrimet e tyre tatimore dhe për këtë shkak konkurrojnë në mënyrë të pandershme bizneset e tjera që e bëjnë këtë.
Po kaq i vërtetë është edhe fakti që, kapacitetet administrative të administratës sonë tatimore, për të ushtruar kontrolle efikase dhe të paanshme, me gjithë punën e bërë dhe asistencën e përfituar, janë tepër modeste.
Por, zgjidhja për këto probleme dhe këtë situatë, nuk mund të jenë metodat e mësipërme, të zbatimit të çmimeve e referencave të kontrolluara, apriori, të pa qarta, pa strategji, pa largpamësi, si “me një shkop magjik”.
Zhvillimi i një sistemi fiskal i përparuar dhe adekuat, kërkon, edhe për vendimin tonë, zgjidhje që kalojnë përmes dy rrugëve kryesore:
a) në rrugën e rritjes së shkallës së pranimit të tatimeve nga taksapaguesit(rritjen e ndërgjegjësimit dhe të nivelit të edukatës fiskale nga taksapaguesit),dhe;
b) në rrugën e përmirësimit dhe forcimit të kontrollit fiskal;
Natyrisht, për momentin, mendoj se mund të punohet paralelisht, edhe në një rrugë tjetër, të ndërmjetme.(Rrugë e cila kërkon shfuqizimin e vendimeve të mësipërme dhe fillimin e punës për ndryshimet në Kodin Doganor dhe Dispozitat e tij, për çështjen e referencave).
Kjo rrugë nuk do të pranonte vendosjen në mënyrë të centralizuar e të kontrolluar të çmimeve për të gjithë nomenklaturën e mallrave e të shërbimeve (siç po bëhet aktualisht), por do të bazohej në vendosjen e disa parametrave të tjerë orientues minimalë fiskal, poshtë të cilëve të mos lejohej të zbriste asnjë shoqëri apo person. Në këtë mënyrë do të garantohej që shoqëritë apo personat që mashtrojnë rëndë të mos kenë më mundësi ta bëjnë një gjë të tillë, që tregu përgjithësisht të karakterizohet nga një konkurrencë më e drejtë dhe e ndershme, dhe së fundi, që administrimi i tatimeve në përgjithësi dhe kontrolli tatimor i administratës në veçanti, të bëhej më i lehtë dhe më efikas. (Natyrisht, kjo rrugë kërkon shfuqizimin e vendimeve të mësipërme, caktimin e parametrave të rinj fiskalë dhe fillimin e punës për ndryshimet në Kodin Doganor dhe Dispozitat e tij, për çështjen e referencave, etj).
* * *
Ekonomia Shqiptare, që prej fillimit të viteve ‘90, është futur në rrugën e pakthyeshme të zhvillimit të saj sipas parimeve të ekonomisë së tregut të lirë. Kuptohet, kjo do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë, që do të shoqërohet në mënyrë të vazhdueshme me shumë probleme e sfida, gjatë të cilës nuk do të mungojnë sukseset, por as edhe dështimet. E rëndësishme është që, këto të fundit,(dështimet) t’i njohësh, t’i pranosh dhe të reflektosh në kohë.
Sigurisht, një rol jo pak të rëndësishëm në këtë proces do të vazhdojë të ketë shteti, me politikat e veta ekonomike e financiare të ndërhyrjes së tërthortë në ekonomi, të cilat sa herë dhe sa kohë që do të jenë të pamatura, të pastudiuara e të influencuara nga “mentaliteti i shkollës së vjetër të centralizmit”, do të shoqërohen me frenimin dhe asfiksimin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe me pasoja të tjera të padëshiruara.