Crepeau: Të votojnë në ambasada
Emigrantët në zgjedhje
Emigrantët duhet të votojnë në ambasadat shqiptare në vendet ku jetojnë. Ky është një prej sugjerimeve që eksperti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Francois Crepeau dha gjatë vlerësimit të të drejtave të emigrantëve në vendin tonë. Raportuesi special i OKB-së ka qëndruar nëntë ditë në Shqipëri për të ndërtuar një raport të cilin do ia paraqesë këshillit të të drejtave të njeriut në qershor të vitit që vjen.
“Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të ushtrojnë të drejtën e votës vetëm në Shqipëri. Duhen shikuar strategji në mënyrë që të llogaritet edhe vota e emigrantëve të cilët nuk kanë mundësi të vijnë në Shqipëri ditën që zhvillohen zgjedhjet”, tha Francois Crepeau, ekspert i OKB.
Gjatë fjalës së tij, eksperti i OKB-së theksoi se Shqipëria është një vend tranzit për migrimin e paligjshëm. Ai kërkoi nga qeveria të marrë masa për të përballuar këtë situatë. “Shqipëria është një vend ku shqiptarët që jetojnë jashtë po kthehen. Për shkak të krizës ekonomike, 80 për qind e të kthyerve vijnë nga Greqia. Por ka edhe një numër të huajsh që e përdorin Shqipërinë si tranzit apo si vend për të kërkuar azil. Megjithëse për këtë të fundit mund të them se kemi një numër të vogël, por që me kalimin e kohës rrezikon të rritet”, vijoi Crepeau.
Në këtë raport specifikohet se 1/3 e shqiptarëve jetojnë jashtë Shqipërisë, kryesisht në vende si Greqia dhe Italia. Eksperti i OKB-së tha se do të kërkojë që fëmijët që lindin nga prindër shqiptarë me dokumente të parregullta, duhet të marrin mënyrë automatike kombësinë e vendit në të cilin ata lindin.