“Të kthesh një trupë gjyqësore, në një bande kriminale, sinjali më i keq që mund t’i çosh sistemit të drejtësisë”

Në Konferencën Kombëtare të Shërbimit të Provës, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi u përgjigjet akuzave të Edi Ramës për gjyqësorin
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi deklaroi dje se opozita nuk duhet vetëm të lëshojë akuza ndaj gjyqtarëve, por të japë votën e saj në ligjet me 3/5 për reformimin e gjyqësorit. Madje, në Konferencën Kombëtare të Shërbimit të Provës, ministri Halimi theksoi se lidershipi i socialistëve duhet të kërkojë falje që për vite me radhë ka penguar reformimin e sistemit të drejtësisë, duke urdhëruar mosmiratimin e këtyre ligjeve. “Adresimi dhe dërgimi i sinjaleve te forta aktoreve, rrit përgjegjësinë e tyre për daljen nga status quo. Adresimi dhe dërgimi i sinjaleve të forta, do të bëjë ndihen mirë ata qindra gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm të cilët e kanë të lidhur jetën tyre me misionin e rëndësishëm që ju është besuar, dhe do të bëjë të ndihen më të përgjegjshëm ata dhjetëra gjyqtarë e prokurorë të cilët llogaridhënien dhe përgjegjësinë ndaj ligjit e shkelin me këmbe sa here që munden. E thashë se adresimi duhet bërë edhe nga organizatat ndërkombëtare dhe ekspertiza e tyre sepse duhet bere me mençuri, pjekuri dhe maturi. Të adresosh kritika nga mëngjesi deri në darkë dhe të quash gjithë gjyqtarët e një gjykate bande kriminale e organizuar, nuk i bën mire sistemit, sepse e para duhet te kërkosh falje që vite e vite, ke penguar reformimin e sistemit duke urdhëruar mosmiratimin e ligjeve me 3/5. E dyta, dallimi mes të mirës dhe të keqes, mes ndershmëve dhe të korruptuarve, është shumë i rëndësishëm dhe deçiziv në çdo betejë, në çdo luftë, në çdo sistem dhe në çdo reformë.
Dallimi mes menaxhuesve të sistemit dhe gjyqtareve e prokurorëve të thjeshtë është deciziv dhe është tërësisht e papranueshme që të kthesh një trupe gjyqësore, pa bërë dallim, në një bande kriminale. Ky është padyshim, sinjali më i keq që mund ti çosh sistemit të drejtësisë sot. Sinjali më i mirë që mund të lëshojë opozita për të përmirësuar sistemin e drejtësisë është kontributi i saj në reformën në drejtësi”, tha Halimi. Deklarimet e tij, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, i bëri dje gjatë Konferencës Kombëtare të Shërbimit të Provës.
Midis të tjerave, në këtë konferencë, ministri i Drejtësisë, bëri të ditur se, Reforma e Shërbimit të provës, padyshim ngelet një nga reformat me të suksesshëm të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo reformë, sipas tij, pati në qendër të vëmendjes së saj dy anë shumë të rëndësishme procesin e riintegrimit të personave të cilët janë nën ekzekutimin e një vendimi penal, uljen e kostove publike për ekzekutimin e dënimeve, por nga ana tjetër dhe kujdesin për sigurinë publike.
Padyshim që suksesi i dënimeve alternative dhe Shërbimit të Provës është edhe rrjedhojë e angazhimit konkret të të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët besuan tek dënimet alternative dhe i dhanë jetë dispozitave ligjore.
Aktualisht Shërbimi i Provës ka nën vëmendjen dhe kujdesin e vet rreth 3500 persona, nga të cilët të dënuar janë rreth 2800 persona, që padyshim pa këtë Shërbim do të ishin të destinuar për sistemin penitenciar me kosto financiare të ndjeshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës Arben Sefgjini, deklaroi dje se Shërbimi i Provës ka garantuar sigurinë publike, ndërsa shtoi se, personat që mbikëqyren nga ky institucion janë persona me rrezikshmëri të ulët
Ai bëri të ditur se zyra të tjera do të hapen në të gjithë vendin.