“Shqipëria ka nevojë për reforma dhe klimë bashkëpunimi mes dy forcave kundërshtare”

Bashkëpunimi PD-PS/Flet Franko Frattini
Konsensusi i ditëve të fundit mes mazhorancës dhe opozitës është një ogur i mirë për nisjen e reformave të mëdha të vend.
Ky është mendimi i shprehur nga ish-ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini, në një intervistë dhënë për agjencinë e lajmeve NOVA, ku flet gjerësisht për integrimin e Ballkanit Perëndimor. “Shqipëria ka nevojë për reforma dhe klima e re mes dy forcave kundërshtare, mazhorancës së kryeministrit Sali Berisha dhe opozitës socialiste të Edi Ramës është për t’u vlerësuar”, është shprehur Frattini.
Ish-kreu i diplomacisë italiane në intervistën e tij ka deklaruar se vendi ynë ka nevojë për reforma të përbashkëta, duke nisur që nga mekanizmat e fortë të Parlamentit, rregullat për të çrrënjosur korrupsionin brenda institucioneve publike dhe natyrisht reforma elektorale. Ndërsa duke folur për integrimin e Ballkanit Perëndimor, ish-ministri i Jashtëm italian shprehet se lodhja e disa vendeve evropiane po krijon shumë probleme në këtë drejtim. Në intervistën e tij ai përmend edhe veprimin e liderëve të BE-së, për të mos i dhënë statusin e vendit kandidat Serbisë, duke thënë se “ishin Austria dhe Gjermania ato që i vendosën vulën këtij vendimi, me të cilin pa dyshim që ndihmuan në tensionet e fundit në veri të Kosovës”, ka përfunduar Frattini.