Faza e tretë, fituesit më datë 6 nëntor
Rishpërndarja e kuotave, tërheqja e Formularit A3, regjistrimi, dokumentet.
Tërheqja e Formularit deri më datë 26 tetor. Përfitojnë edhe kandidatët që kanë dhënë provimet Z1, Z2 në 2007-ën
Formulari A3 do të fillojë të tërhiqet në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe ato Zonale, duke nisur nga data 22 tetor 2008. Ministria e Arsimit dhe e Shkencave ka shpallur të hapur, në një vendim të saj të fundit, zyrtarisht fazën e tretë të regjistrimeve në institucionet e arsimit të lartë publik në vend. Në këtë proces, në dallim nga dy fazat e para, do të përfshihen krahas kandidatëve që nuk kanë fituar në fazën paraprake dhe përfundimtare, edhe ata individë, të cilët janë përfshirë në listat e fituesve, por që për asrye të ndryshme, nuk janë regjistruar në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2008-2009. Po kështu, në fazën e tretë, për herë të parë do të regjistrohen kandidatët maturantë, të cilët kanë fituar provimet me zgjedhje në vitet 2007 dhe 2008 dhe nuk figurojnë të regjistruar në programet e studimit në universitete; kanë fituar konkurset e pranimit në Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve në korrik të vitit 2008 dhe kanë fituar të dyja provimet me zgjedhje Z1 dhe Z2 në vitin 2007 ose 2008, apo edhe ata, të cilët janë fitues të regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2008-2009 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi.
***
Për të kryer tërheqjen e Formularit A3, aplikantët do të duhet të drejtohen në Drejtoritë Arsimore Rajonale në data të ndryshme, sipas specifikës që ata kanë. Kandidatët të cilët nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në ciklin e parë të studimeve në Institucionet publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2008-2009, duhet të paraqiten në Drejtoritë Arsimore Rajonale në datat 22-26 tetor. Për kandidatët e tjerë, për ata të cilët kanë fituar një degë, por nuk janë rregjistruar; janë fitues por duan të ndryshojnë degën, apo kanë fituar konkurset e pranimit në Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve në korrik të vitit 2008 dhe kanë fituar të dyja provimet me zgjedhje Z1 dhe Z2 në vitin 2007 ose 2008, MASH-i, ka lënë si periudhë të tërheqjes së Formularit A3, datën përfundimtare 22 tetor 2008. Aplikantët, të cilët u përkasin kategorive të sipërcituara, duhet ta tërheqin Formularin A3 jo në DAR por në APRIAL.
***
Brenda 5 ditësh nga koha e marrjes së Formularit A3, kandidatët duhet të bëjnë dorëzimin e tij në Drejtoritë Arsimore Rajonale. Pas datës 27 tetor DAR-ët, nuk do të pranojnë asnjë Formular, ndërkohë që, vetëm një ditë më pas, Drejtoritë Arsimore duhet të bëjnë dorëzimin e tyre në APRIAL. Në përputhje me udhëzimin e dalë nga MASH-i, APRIAL-i, do të përpunojë të dhënat e marra nga Formularët A3 dhe, më datë 5.11.2008, do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht e dorëzon këtë listë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Më datë 6 nëntor, lista do të shpërndahet në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik, duke i dhënë kësisoj fund kalvarit të gjatë të rregjistrimeve në universitete.
Rregjistrimi, rregullat që duhet të dini
Regjistrimi i kandidatëve fitues në fazën e tretë, do të bëhet pranë sekretarive mësimore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë deri në datën 15.11.2008. Për rregjistrim, kandidatët duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme si; Dëftesë pjekurie; Certifikatë lindjeje me fotografi; 2 fotografi, si edhe Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekësh.
Për kandidatët, të cilët janë fitues të rregjistruar në një program studimi në vitin akademik 2008-2009, dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi, është i detyrueshëm edhe vërtetimi i çrregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit. Në rast se kandidatët fitues nuk kanë dëftesë pjekurie origjinale të kërkuar, është e detyrueshme të paraqesin dublikatën e dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse. Këta kandidatë do të evidentohen edhe në lista të veçanta nga sekretaritë mësimore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë, të cilat, më pas, do t’i dërgojnë ato në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Pas verifikimit të bërë nga MASH-i, do të bëhet rregjistrimi përfundimtar nga sekretaritë mësimore të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë.
Kandidatët përfitues
a-Ata që nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u rregjistruar në ciklin e parë të studimeve, në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, në vitin akademik 2008-2009;
b-Janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë rregjistruar në Institucionet publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2008-2009;
c-Janë fitues të rregjistruar në një program studimi në vitin akademik 2008-2009 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi;
d-Kanë fituar provimet me zgjedhje në vitet 2007 dhe 2008, por nuk figurojnë të rregjistruar në programet e studimit në Institucionet publike të Arsimit të Lartë;
e-Kanë fituar konkurset e pranimit në Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në korrik të vitit 2008 dhe kanë fituar të dyja provimet me zgjedhje Z1 dhe Z2, në vitin 2007 ose 2008.
Dokumentet e rregjistrimit:
Dëftesë pjekurie
Certifikatë lindjeje me fotografi
2 fotografi
Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh
Për kandidatët e përcaktuar në pikën 4/c, vërtetimi i çrregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit