E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatlumët dygjuhësh

 

E ftuar në një seminar dy- ditor mbi ndikimin e gjuhës dhe medias italiane në rajonin e Evropës Juglindore, shkrimtarja Elvira Dones, përmes eksperinecës së saj jetësore dhe letrare, shpalosi laboratorin krijues të një shkrimtari të ashtuquajtuar “migrant”

“Përveç krahut të punës në fusha, kantiere e ushtri, gra të trafikuara në vitet e para pas rënies së bllokut komunist, kemi dhënë këngëtarë lirikë, balerinë të suksesshëm, poetë dhe shkrimtarë. Në italisht shkruajnë tashmë disa pena të bukura me origjinë shqiptare, që personalisht preferoj t’i quaj shkrimtarë italianë dhe kaq”. Elvira Dones e quan veten tashmë pjesë të pandashme të letërsisë italiane. Shkruan në italisht, veprat e saj, (“Yjet nuk vishen kështu”, “Virgjëreshat e betuara”) janë të pëlqyera, madje ka merituar edhe çmime si ai “Granzane Cavour”, që mori pak ditë më parë. Jo më pak të suksesshëm janë edhe një dorë e mirë shkrimtarësh e poetësh të tjerë si Gëzim Hajdari, Ron Kubati, Artur Spanjolli, Ornela Vorpsi, së fundi edhe Anilda Ibrahimi me romanin e saj “E kuqe si një nuse”. E ftuar në një seminar dy- ditor mbi ndikimin e gjuhës dhe medias italiane në rajonin e Evropës Juglindore, Dones, përmes eksperiencës së saj jetësore dhe letrare, shpalosi laboratorin krijues të një shkrimtari të ashtuquajtuar “migrant”. Çfarë merr me vete nga vendi i origjinës, si nis e përdor gjuhën e vendit pritës si gjuhë shprehëse letrare… “Gjuha e re,( italishtja, në rastin tonë), i përket një kapitulli të dytë të jetës, botës së “re”, mbi të cilën ne shkrimtarët migrantë jemi përballur. Jemi kështu, dyfish fatlumë. Zotërojmë dy fonde shprehëse gjuhësore. Por nuk është gjithsesi një proces i lehtë, kërkon lodhje e përqendrim të dyfishtë, një nivel vëmendjeje shumë të lartë dhe ndjeshmëri për të kuptuar, cila shprehje, fjalë, apo ngjyrim është shprehur më mirë, në secilën gjuhë. Problemi i zgjedhjes e vendos shkrimtarin përpara një nyjeje që duhet zgjidhur”, - thotë Dones në referatin e saj “Italishtja në letërsinë ballkanike e më gjerë: Takime, tregime, përballje”. Sipas saj, kapërcimi nga njëra gjuhë në tjetrën, nuk është një vendim që mund të merret lehtësisht. Duke iu referuar gjithnjë eksperiencës së saj tregon së si e la Shqipërinë në tetor të vitit 1988, kur ende ishte diktaturë dhe ishte 28 vjeç. Nuk dinte asgjë se çfarë e priste nga ana tjetër e murit. Madje, ishte aq e “trallisur” nga ëndrrat për botën e madhe nga dëshira të nxjerrë që nga “stomaku”, të gjitha gjuhët që dinte, italishten, anglishten, frëngjishten e spanjishten, që nuk kishte mundur t’i fliste, saqë nuk arrinte as ta pyeste veten për të ardhmen. Megjithatë, duket se Donesit, por edhe të tjerëve shkrimtarë shqiptarë, apo nga vende të tjera të Ballkanit, apo Amerikës Latine, u priu mbarë në “botën e madhe”. Me tharmin e marrë nga vendi i origjinës me ato historitë e çuditshme të vendit të vogël, me identitetin kombëtar, që e mbajnë si një valixhe udhëtari gjithnjë me vete, të shprehura në një gjuhë më të “madhe”, mundën të evidentohen në tregun e madh të konsumit.

“Shpesh më ndodh të flas për letërsinë e televizionin në italisht. Kur më ndodh të flas në Shtetet e Bashkuara, është e vështirë të shpjegosh ku është vendi im i origjinës dhe kur them më pas se Shqipëria ka rreth 3 milionë e gjysmë banorë, publiku mbetet pa fjalë. Në biografinë time shkruhet “shkrimtare shqiptare, shkruan në italisht, ka jetuar 16 vjet në Zvicër dhe tashmë është vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe shumë njerëz që më pyesin: “përse në italisht?”, iu përgjigjem: “Sepse kam jetuar për shumë vjet në Ticino, Zvicrën italiane”. Por përgjigjja ime, në vend që të sqarojë i ngatërron edhe më shumë gjërat”, - tregon Dones, tashmë një qytetare dhe një shkrimtare e botës, që nuk e pëlqen ta etiketojnë si një shkrimtare migrante. “E kuptoj konceptin e “shkrimtarit emigrant”, por kjo etiketë i lidh shkrimtarët që përdorin italishten si gjuhën adoptive në një grup të ndarë me karakteristika të kushtëzuara e të limituara. Nëse librat e parë të shkrimtarëve “të ftuar” janë më së shumti tregime të jetës së shkuar në tokën e tyre, më vonë puna e tyre bëhet rrëfim i botës në të cilën jetojnë, që përqafon kultura të ndryshme, që i shton letërsisë italiane shijet e një kontinenti që nuk mundet më të qëndrojë brenda “gardhit të kopshtit e vet të rregulluar me fanatizëm”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›