E Shtunë, 31 Tetor 2026

Secili damirët e tij

Sikur të kenë pirë ndonjë lëng magjik, sekret, që ia pikojnë njëri-tjetrit në hundë, sapo kalojnë pragun.

Ky “kalimi i pragut”, duket si një rit i fshehtë nga ato brenda grupit, gati-gati një akt zhvirgjërues, që e shkul protagonistin prej botës së zakonshme. Jeta e tyre e mëpasme “publike” do ta bënte të kishte zili edhe Harri Poterin. Të shkulurit nuk i sheh më në rrugë, në bare, paralel në trafik. I lëshohen bashkarisht, nën një tundim të heshtur boshakësh, garës për ca kile më shumë, kostume, aksesorë, bizhuteri, këpucë të shtrenjta, makina të orës së fundit.

Fundja të gjithë kemi dobësitë tona dhe dihet që, uria e të pangrënit, është ajo që është. Nuk do ti gjykonim, nëse do bëhej fjalë për njerëz të zakonshëm. Por nuk është kaq e thjeshtë.

Këtyre njerëzve, u kemi lënë në duar thesin tonë të parave. Deri edhe ato automjetet komode me targa Z, që i sheh si pa të keq edhe të shtunave e të dielave nëpër rrugë, janë blerë me këto para. Kostumet e pavend prej starësh Hollivudi, orët e shtrenjta, këpucët e shtrenjta, celularët e shtrenjtë, drejtpërdrejt ose jo, janë blerë falë kësaj mundësie për të qenë pranë thesit

I gjithë shndërrimi i tyre magjik, deri te llogaritë bankare milionëshe, janë për shkak të afërsisë me “thesin” tonë të përbashkët.

Pyesim: Ç’pësojnë këta? Standardi i komunikimit me publikun që “ata” mund t’ia lejojnë vetes së re, është ekrani, në një dekor të përnatshëm, të mërzitshëm,“Ata” në televizor dhe “Të tjerët” në shtëpi, përballë televizorit. Pasi dalin nga studiot televizive, treten, zhduken deri në debatin e ardhshëm.

Prej tyre, si nga një botë tjetër misterioze, na vijnë dy pamje standarde:

1 - Në lokale luksoze me “dikushët”

2 - Në Kuvend me pozicionin klasik, të celularit në vesh dhe mbajtjes së dorës përpara gojës, ndërkohë që flasin.

T’i marrim me radhë. Ata (prej kategorisë së “të tjerëve”) që munden të frekuentojnë lokale të shtrenjtë, kanë rastin t’i shohin politikanët, përveç se në TV, edhe në këto ambiente lokalesh e baresh. Dhe, gjithmonë, pranë tyre, është një dikush i panjohur, edhe ky, veshur shik. Kush janë këta “dikushët” që shoqërojnë ruajtësit e thesit tonë në dreka?

Ose në TV, në Kuvend, i shohim duke folur me pëshpëshe në celularët që mbajnë në duar (edhe këta, super të shtrenjtë). Dhe pyesim: Kush janë telefonuesit anonimë?

Përgjigjen unë e di! Të panjohurit në tryezat e drekave dhe telefonuesit anonimë, janë damirët e secilit prej qeveritarëve. Edhe ata që ikën, edhe këta që janë sot, kanë damirët e tyre të dashur. Damirët janë miqtë e tyre të ngushtë, sepse damirët, dinë si mbushen xhepat e tyre dhe të rojeve të thesit. Damirëve nuk u refuzohet kurrë ftesa për drekë, damirëve u përgjigjesh gjithmonë në celular. Doni të dini çfarë ndodh nëse dikujt i prekin damirin e vet? Shikoni histerizmin e Berishës këto ditë dhe e kuptoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›