Cristina: Presidenti i ri, një frymëzim për të gjithë botën
Gjatë një interviste për emisionin “Studio e Hapur” në Alsat tv, zv/ambasadorn amerikan në Tiranë, Stephen Cristina, ndalet në impaktin botëror që ka marrja e mandatit presidencial prej Barack Obamës si dhe tek vazhdimësia e politikës amerikane lidhur me Ballkanin, e posaçërisht me shqiptarët
Ceremonia e inaugurimit te presidentit te 44 te SHBA megjithëse në kushtet e krizës ekonomike botërore është më e madhja në histori. Si e shpjegoni këtë?
Është një fatkeqësi, jemi përballë një krizë ekonomike botërore shumë të tmerrshme, por them se presidenti i ri është në dijeni dhe është gati ta përballojë këtë sfidë. Jam i sigurtë se ai ka shumë mbështetje nga ana e popullit amerikan.
Por kjo ceremoni ka marrë përmasa më të mëdha sesa paraardhëset e veta?
Është më e madhja. Inaugurimi i presidentit te SHBA është një ditë e mrekullueshme për amerikanët, përfaqëson kalimin e pushtetit paqësor nga presidenti Bush në duart e presidentit te ri Obama. Është si një traditë në Amerikë dhe është si shenjë e demokracisë. Është një inaugurim shumë i madh, pavarësisht se ka krizë ekonomike në botë.
Një president i ri vjen, një tjetër ikën. A keni refleksionet tuaja personale për gjithë vitet e Xhorxh Ë.Bush në Shtëpinë e Bardhë?
Ishin tetë vjet të rëndësishme. Kemi dëshmuar një ndryshim në politikën ndërkombëtarë sidomos pas sulmeve të 11 shtatorit. Ka patur shumë sfida të reja për të cilat bota nuk ishte përgatitur. Mendoj se tani jemi në një fazë të re dhe kemi shumë shpresë se do t’i përballojmë këto sfida të reja në mënyrë të aftë.
Presidenti Obama, ashtu si në fushatë, edhe për ceremoninë përdori donacionet e mijëra njerëzve. Çfarë mesazhi përcjell kjo mënyrë e re financimi në SHBA?
Së pari mendoj se sistemi amerikan ka qenë gjithmonë një sistem në të cilin qytetarë të thjeshtë kanë kontribuar me para e me kohën e tyre për zgjedhjen e kandidatëve të tyre. Por Z.Obama në fushatën e tij, më shumë se kudo tjetër, ka përdorur fuqinë e internetit për të mbledhur para dhe ndihma nga qytetarët. Por në përgjithësi është sistemi amerikan që ka qenë i gjithi në të njëjtën linjë.
Kanë qenë lobe të fuqishme financiare ndoshta, ato që kanë kontribuar më shumë në fushatë, por tek fushata e zotit Obama u vu re një përfshirje e njerëzve të thjeshtë?
Po. Por edhe në të shkuarën ka patur njerëz të thjeshtë që kanë kontribuar - por jo kaq shumë sa tani - nëpërmjet internetit, një teknologji e re që ndihmon kandidatët të kërkojnë para nga njerëzit e thjeshtë, nga studentë. Presidenti Obama e ka përdorur shumë mirë këtë fenomen. Mendoj se do të vazhdojmë ta shohim edhe në të ardhmen këtë mënyre të mbledhjes së parave nga kandidatët.
Çdo të thotë për amerikanët fakti se Presidenti Obama po evokon vazhdimisht ish-presidentin Linkoln?
Është fort interesante. Presidenti Linkoln njihet si presidenti që ka emancipuar skllevërit dhe zoti Obama është presidenti i parë afro-amerikan. Mendoj se për shumë njerëz ëshët mjaft emocionuese kjo lidhje. Është normale fakti se zoti Obama po evokon ish-presidentin Linkoln
Ka një mesazh të veçantë?
Mesazhi është i qartë; kanë kaluar 140 vjet qysh nga presidenti Linkoln, dhe tani për herë të parë kemi një president afro-amerikan. Hera e parë kjo që ndodh.
Barak Obama prej më shumë se një viti është bërë frymëzues i miliona njerëzve në Amerikë dhe në të gjithë botën. Kjo duket një bazë e mirë për një lidërship të ri amerikan në botë. Çfarë mund të bëjë Presidenti Obama për ta fituar praktikisht këtë lidërship?
Nuk mund të flas për Presidentin, por ju keni të drejtë kur thoni se është frymëzues jo vetëm për amerikanët por edhe për njerëzit në të gjithë botën. Mendoj se me rinovimin e presidentit të ri pavarësisht kush është ai, kemi një mundësi të rishikojmë çfarë do të thotë SHBA me rinovimin e presidentit të ri. Por zoti Obama duke qenë më i ri, përfaqëson një brez të ri, ka mundësi më shumë të ndryshoj pikpamjet e njerëzve në të gjithë botën, siç ka bërë presidenti Kenedi i cili gjithashtu përfaqësoi një brez të ri.
A mendoni se Ballkani do të zërë në administratën Obama atë hapësirë që ka patur në administratat e mëparshme të presidentëve Bush dhe Klinton?
Politika amerikanë ndaj Shqipërisë dhe rajonit nuk do të ndryshojë shumë sepse situata në Ballkan është siç është pavarësisht kush është president. Kemi parë se që nga vitet ‘90 ka patur zhvillim shumë të madh në rajon. Ky rajon do të ketë të njëjten hapësirë, pak a shumë sa në administratën Bush. Natyrisht ka patur shumë ndryshime në rajon dhe politika amerikane do të varet nga këto situatat e sotme.
Në Shqipëri si në të gjithë botën është ndjekur me vëmendje fushata historike elektorale në SHBA. Çfarë ju ka mbetur në mendje nga atmosfera shqiptare deri në ditën e zgjedhjeve?
Personalisht kam folur me shumë njerëz, brenda dhe jashtë ambasadës, dhe kishte shumë prej tyre në fillim që kishin preferenca për zonjën Klinton, dhe kjo për shkak të rolit të presidentit Klinton në rajon. Shqiptarët ishin shumë të interesuar gjatë fushatës elektorale, më shumë dukej se sa shumë amerikanë, shenjë kjo e rëndësisë që Amerika ka jo vetëm për amerikanët, evropianët dhe shqiptarët.
Mendoni se kjo atmosferë e krijuar për fushatën elektorale ishte për shkak të mungesës së saj në fushatat elektorale shqiptare?
Mendoj se zgjedhjet presidenciale amerikane kanë rënë në sy të gjithë botës. Është normale se njerëzit të ndjekin më vëmendje çfarë do të ndodhë në Amerikë. Për sa u përket zgjedhjeve, këtu mendoj se shqiptarët janë të interesuar për rezultatin, por më shumë për mënyrat se si ai do të ndikojë në gjendjen ndërkombëtare. Kur shikojnë në SHBA, ata mendojnë kryesisht se si ky rezultat do të ndikojë në ngjarjet në botën mbarë.
Sa të vëmendshme dhe sa reflektuese e keni parë politikën shqiptare ndaj mesazheve të fushatës elektorale?
Parapëlqej të flas mbi njerëzit, qytetarët, e jo mbi politikën. Dhe ka patur shumë vëmendje. Për mua ishte një çudi si shqiptarët kishin ndjekur ditë për ditë çfarë ishte duke u zhvilluar në fushatë. Dhe unë si amerikan isha shumë krenar për këtë, shumë krenar që shqiptarët janë miq të SHBA-ve kishin kaq interes.
Ç’mendoni që politika shqiptare duhet të adoptojë nga të gjitha mesazhet që ka dhënë fushata dhe mënyra se si Obama u zgjodh president?
Do të flas hapur. Për amerikanët Obama përfaqësonte një mënyrë të re të zhvillimit të politikës amerikane. Ai kërkonte shumë nga njerëzit që të mos vazhdojnë me politika partizane. Për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të thjeshtë duhet ta tejkalojnë tendencën për të përsonalizuar të gjitha grindjet politike, t’i tejkalojnë politikat partizane. Mendoj se ky mesazh nuk është vetëm për amerikanët, por për të gjithë, edhe për shqiptarët. Kemi shumë sfida përpara, si ajo ekonomike dhe ato do t’i kalojmë me bashkëpunim mes partive. Ky është shembulli i Barak Obamës.