E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri-Dallku, vëzhgim të plotë nga Herta e Berlinit

Grumbullimi 9-ditor me kombëtaren, u ka shërbyer futbollistëve kuqezi si një vitrinë e mirë. Në miqësoren e humbur 1-0 përballë Polonisë, pjesëmarrëse në fazën finale të Euro 2008, në stadiumin e qytetit gjerman Roitlingen të pranishëm ishin edhe një numër i konsiderueshëm menaxherësh. Në prag të hapjes së merkatos së verës, detyra e tyre ishte e thjeshtë: evidentimi i sa më shumë lojtarëve për skuadrat që militojnë në kampionatet e rëndësishme të Evropës Perëndimore, kryesisht atyre nga Bundesliga.

Rrjetave të "skautëve" nuk u kanë shpëtuar Debatik Curri dhe Armend Dallku, dy prej shtyllave të mbrojtjes shqiptare. Për të ndjekur nga afër paraqitjen e dy lojtarëve të Vorskla Poltavës në kampionatin ukrainas, në tribunë ishte i pranishëm menaxheri i Hertës së Berlinit, Dieter Hënes. Lajmi është bërë i ditur nga "bild.de", sipas të cilës, përfaqësuesi i klubit gjerman ka vëzhguar Currin (24-vjeçar) dhe Dallkun (23-vjeçar) dhe sipas vlerësimeve të tij, dy lojtarët mund të përfshihen në listën e objektivave të merkatos së Hertës. Skuadra berlineze e mbylli kampionatin në vendin e dhjetë, shumë larg synimeve të fillimsezonit dhe tashmë synon të përforcohet, për t‘u ngritur mes ekipeve të para dhe të sigurojë një vend në kupat e Evropës. "Herta e Berlinit është vënë në kërkim të një mesfushori ofensiv dhe për këtë arsye menaxheri i klubit, Dieter Hënes do të udhëtojë drejt Amerikës Jugore", citonte sajti elektronik. "Nën vëzhgimin e përfaqësuesit të klubit gjerman janë edhe dy mbrojtësit e kombëtares shqiptare dhe Vorsklas, Debatik Curri dhe Armend Dallku".

Ofertat për dy lojtarët kuqezinj janë të shumta dhe largimi i tyre nga Vyscha Liga gjatë merkatos së verës duket pothuajse i sigurt. Kosovarët mund të ishin larguar nga Vorskla Poltava që prej janarit 2008, megjithatë pozitat e vështira të klubit bënë që ata të prisnin mbylljen e sezonit. Pasi ishin protagonistë absolutë në mbijetesën e skuadrës në elitën e futbollit ukrainas, tashmë për Currin e Dallkun rruga është e lirë. Klubet që ishin interesuar gjatë merkatos së dimrit vazhdojnë të jenë në garë për të siguruar shërbimet e tyre. Kjo është konfirmuar pak ditë më parë edhe nga menaxheri i futbollistëve kuqezinj, Nexhmedin Haxhia: "Për Dallkun, vazhdon interesimi nga Sandërlendi në Premiershipin anglez, tha ai. Pasi nuk arritën ta afronin në merkaton e janarit, drejtuesit e këtij klubi shpresojnë që më në fund transferimi të realizohet". Kalimi në elitën e futbollit britanik është mirëpritur nga mbrojtësi i krahut, që e vlerëson këtë si një mundësi ideale për t‘u bërë pjesë e elitës së futbollit botëror. Ofertat nuk mungojnë as për Debatik Currin, ku Gjermania e Ukraina mund të jenë destinacionet e tij të ardhshme: "Energie Kotbus, ku luan edhe Ervin Skela mbetet e interesuar për Currin, ndërkohë që nuk duhet anashkaluar edhe Shaktjor Donjetsku në Ukrainë", theksoi menaxheri Haxhia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›