E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela dhe Lala, "spiunë" të Gjermanisë ndaj Polonisë

Dy futbollistët e kombëtares shqiptare, Altin Lala dhe Ervin Skela, të martën kanë kryer një detyrë të dyfishtë në ndeshjen kundër Polonisë. Fillimisht ata kanë luajtur për kombëtaren shqiptare të futbollit, duke u munduar të gjejnë pikë të dobëta në mesfushën dhe mbrojtjen kundërshtare. Por pas ndeshjes, ata janë kthyer menjëherë në "spiunë" të Gjermanisë, skuadër e cila do të luajë kundër Polonisë në ndeshjet e EURO 2008. Të dy lojtarët që aktivizohen në kampionatin gjerman, në përfundim të ndeshjes janë takuar me shefin e skautëve të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Urs Sigentaler, të cilit i kanë raportuar gjithçka që kanë parë në fushën e lojës.

Dy futbollistët shqiptarë janë emra të njohur në Bundesligë, ku militojnë prej disa vitesh dhe janë kthyer në idhuj të skuadrave të tyre. kjo ka shtyrë përfaqësuesit e Federatës Gjermane të Futbollit t‘u kërkojë ndihmë atyre për të mësuar diçka më shumë rreth Polonisë. Pavarësisht faktit se në tribunën e stadiumit të Rojtlingen ishin vetë përfaqësuesit e DFB-së, këta të fundit kanë preferuar të njohin edhe opinionin e futbollistëve shqiptarë rreth lojës së polakëve. Si rrjedhojë, Skela dhe Lala janë takuar me Sigentaler, duke i raportuar atij pikat e dobëta që kishin parë në repartet e ndryshme të Polonisë gjatë kësaj ndeshjeje.

Për sa i përket takimit, kuqezinjtë kanë qenë të ndarë mes atyre që ishin optimistë dhe atyre që ishin pesimistë nga rezultati i ndeshjes me Poloninë. Vetë Ervin Skela e ka komentuar si të pabesueshëm golin e pësuar që në minutën e tretë të kësaj ndeshjeje, që më pas rezultoi deciziv. "Nuk duhej të pësonim një gol të tillë", ishin fjalët e fantazistit të kombëtares, i cili në këtë takim provoi dy herë të rrezikonte portën e mbrojtur nga Fabianski. Ndërsa trajneri Ari Han ka qenë më optimist, duke deklaruar për mediat gjermane se kjo kombëtare kishte mundësi të jepte më shumë. "Kombëtarja ime ka shumë mundësi përmirësimi", ishin fjalët e teknikut holandez, i cili në këtë sfidë doli i mposhtur nga bashkëkombësi i tij, Leo Benhaker. Han do të nisë punën e tij për përmirësimin e kuqezinjve pikërisht nga kjo ndeshje, ku ka provuar një pjesë të lojtarëve me të cilët do të përballojë edicionin e eliminatoreve të Botërorit 2010.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›