Do të zgjerojmë kufirin e zonave arkeologjike
Petrika GROSI
Në fjalën e tij, gjatë hapjes së seminarit “Arkeologjia e shpëtimit në Shqipëri dhe eksperienca europiane”, drejtori i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik tha ndër të tjera se së shpejti do të ketë sërish ndryshime përsa u takon zonave të banuara, të cilat konsiderohen si “zona arkeologjike” ose jo. Natyrisht, ndryshimet do të bëhen në varësi të zbulimeve të reja dhe të gjykimit të institucioneve dhe komisioneve përkatëse. Sipas drejtorit të ASHA-së, Roland Olli, pas bashkëpunimit me Drejtorinë e Trashëgimisë Kombëtare (MTKRS) ka filluar puna për hartimin e Rregullores për Administrimin e Zonave Arkeologjike “A” dhe “B” brenda qyteteve. Kjo rregullore do të bëjë përcaktim të qartë të kufijve me koordinata të sakta të zonave arkeologjike sipas zonifikimeve arkeologjike të miratuara me VKM Nr. 6, datë 07.01.2005, ”Për miratimin e zonave arkeologjike brenda zonave të banuara, në Shkodër, Lezhë, Krujë, Durrës, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Sarandë”. Ai tha: “Bazuar në intensitetin e gjetjeve, aty ku është e nevojshme do të propozojmë edhe rishikim të kufijve në të mirë të vlerave që ato paraqesin”. Pra, kjo do të thotë që në zonat e fundit ku janë bërë gjetje arkeologjike, ose ku pritej të bëheshin dhe nuk ka dalë rezultati i kërkuar, do të bëhen propozimet përkatëse për një rishikim të kufirit. Për njerëzit që mund të banojnë në këto zona ose bizneset përkatëse, lajmi “përkthehet” në vendosje të rregullave të reja. Kush mendonte që të ndërtonte një shtëpi më të madhe apo një pallat në një zonë, e cila tashmë cilësohet si “arkeologjike”, nuk mund ta bëjë më një gjë të tillë sepse ligji nuk e lejon. Megjithatë ngushëllohuni, pasi ekzistojnë dhe rastet specifike. Por ende nuk është bërë e ditur përfundimisht dhe me detaje se në cilat zona do të zgjerohen kufijtë arkeologjikë. Gjithashtu, drejtori i ASHA-s vijoi të flasë edhe për punën e agjencisë që ai drejton. “Nuk është e lehtë që puna e një institucioni, që e nis gjithçka nga zero, të fillojë në muajin gusht, më shumë personifikim i pushimeve. Por në kohë rekord, me mbështetjen e MTKRS-së, u pajisëm me zyra dhe gjithçka tjetër të domosdoshme për të konkretizuar atë që “de jure” ishte krijuar prej majit të vitit 2008. Puna nisi më shpejt se të gjithë ne e kishim menduar. Peshën më të madhe të rëndesës e krijonte Durrësi, një metropol që ndryshon fytyrën e vet çdo ditë ashtu siç ka bërë që prej Antikitetit”. Drejtori Olli u bëri thirrje edhe bashkive të qyteteve përkatëse ku ka zona arkeologjike për një bashkëpunim më të ngushtë me ASHA-në. Sipas tij, mungesa e ASHA-së në projektimin dhe më pas zbatimin e planeve të rëndësishme që lidhen me rregullimin e territorit do të sillte pasoja të hidhura financiare, ligjore dhe kulturore. Veprimtaria e ASHA-s, përgjatë gjysmë vitit të parë të ekzistencës së saj, ka qenë e përqendruar në aspekte që lidhen me plotësimin dhe përmirësimin e legjislacionit të trashëgimisë kulturore për çështje që kanë të bëjnë me mbikëqyrjet paraprake në terren, mbikëqyrjet arkeologjike, vëzhgimet paraprake dhe përpilimin e raporteve përfundimtare; mbrojtjen dhe konservimin e gjetjeve, oponenca të shumta mbi projektet e veprave të infrastrukturës madhore në vend dhe paraqitjen e tyre për miratim në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë.
17 Shkurt 2009