Rohan: “Mosnjohja e pavarësisë zvarrit stabilitetin e rajonit”
Ish-zëvendësndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, ka deklaruar se roli i BE-së rreth çështjes së Kosovës është zbehur, për shkak se nuk ka një qëndrim të përbashkët. Në një intervistë, Rohan ka thënë se qëndrimi i disa vendeve të BE-së për të mos njohur pavarësinë e Kosovës zvarrit stabilizimin e rajonit, rrezikon vetë misionin e BE-së në Kosovë, si dhe inkurajon Serbinë në rezistencën e saj ndaj shtetit të ri të Kosovës. Sipas Rohan, një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka aspekte pozitive dhe më pak pozitive. “Ajo që është pozitive është se nuk kishte një shkallë të gjerë të dhunës gjatë këtij viti. Kishte disa incidente, por asgjë shumë serioze. Nuk kishte eksod të serbëve nga Kosova, siç kishin parashikuar disa”. Nga aspektet negative, Rohan përmend faktin se Kosova ende nuk është pranuar nga shumë vende dhe, më e dhimbshmja, - konsideron ai, - është fakti se pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Ai mendon se ky qëndrim e zvarrit stabilizimin e rajonit dhe inkurajon Serbinë në rezistencën e saj aktive ndaj shtetit të ri të Kosovës, si dhe ndaj misionit të BE-së.
Gruevski, shpresa për emrin pas zgjedhjeve në Greqi
Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, është shprehur se ekziston shpresa se pas zgjedhjeve në Greqi pritet të arrihet në një përfundim për çështjen e emrit të Maqedonisë. Gruevski theksoi se konkluzioni i takimit të fundit për emrin në Nju Jork ka pasur si parësor konkluzionin që të pritet për zgjedhjet e ardhshme në Greqi. Sipas tij, negociatori i Greqisë, Ademantios Vasilakis, ka mbështetur qëndrimin se në këto kushte nuk mund të gjendet një zgjidhje e përshtatshme për të dyja palët. Lidhur me negociatat e deritanishme të palës greke, kryeministri tha se Greqia kërkon ndryshim për gjithçka. “Qëndrimi i tyre dhe vërejtjet që shprehën në muajin tetor ishin të drejtimit që duhet të shkohet në ndryshim të identitetit, të emrit dhe gjuhës, emrit të kombit, Kushtetutës së shtetit, pasaportave dhe shfrytëzimin e emrit IRJM. Ky është pozicioni i tyre dhe është e vështirë që të shihet ndonjë kompromis apo dëshirë për kompromis”,- ka thënë Gruevski.
Ai tha se shpreson për zgjidhje pas zgjedhjeve të fqinjit jugor. “Unë shpresoj se pas zgjedhjeve Greqia do të gjejë forca të fillojë të mendojë seriozisht për gjetjen e zgjidhjes. Për shkak se ne dëshirojmë zgjidhje. Prioriteti ynë është që vendi të bëhet anëtare e NATO-s dhe e BE-së. Ne jemi të përgatitur për kompromis, por jo për punë të tilla që nuk i ngjajnë kompromisit”, - theksoi kryeministri Gruevski.
17 Shkurt 2009