Lacio, gati “detyra B” për Igli Taren
Dash Frashëri
Kur në verën e vitit të kaluar Igli Tare u emërua si një nga drejtuesit e lartë të Lacios, jo të gjithë lojtarët e klubit kryeqytetas të Serisë A e pritën mirë, ndoshta dhe për shkak të raportit të veçantë të shqiptarit me shoqërinë laciale.
Megjithatë, presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, vendosi ta promovojë Igli Tare, që nga ana e tij vari “këpucët në gozhdë” për të veshur “kostumin e zyrtarit”.
Tare, një futbollist i respektuar në Itali dhe me një “background” ndërkombëtar si kapiteni i Shqipërisë, kishte detyrë të bënte ndërmjetësin midis shoqërisë e presidentit dhe lojtarëve në dhomat e zhveshjes, por sipas gazetës italiane “Leggo”, deri më sot emërimi i tij duket se nuk ka dhënë efektin e pritur.
Gjatë këtij sezoni në shumë raste “le lamentele” (ankesat) e lojtarëve kanë shpërthyer shumë polemika. Kulmi arriti me shfryrjen e dufit i transmetuar direkt në televizionet italiane, kur Tare në një mënyrë shumë të hapur, përpara miliona shikuesve, debatoi me futbollistin Zarate, i cili nuk e kishte pritur mirë zëvendësimin.
Sipas goal.com, presidenti Lotito, ka gati për Taren “detyrën B”, tavolinë e drejtorit Teknik, rol që pas lamtumirës së Sabatinit, deri në këtë moment është ende bosh.
Tare do të jetë nga vera e ardhshme, njeriu që do të udhëheqë të gjitha operacionet e merkatos për të “krijuar” Lacion e re, atë që duhet të “kthehet në pozicionet e sipërme të klasifikimit”.
Statistikat kundër
Dy pikë në gjashtë ndeshjet e fundit, dhjetë në 13 të fundit. Vetëm një gol në 270 minuta kampionat dhe tre në 5 ndeshje të luajtura në fazën e dytë. Shifrat dëshmojnë për një Lacio në krizë dhe një realitet vërtet negativ për skuadrën e Rosit.
Për më tepër, në nëntor Lacio ishte e katërta në renditje me 22 pikë, dy pikë larg Interit kryesues. Më e keq paraqitet situata, nëse fokusohemi vetëm te faza e dytë, ku Lacio është praktikisht e fundit, me vetëm 1 pikë në 5 ndeshje. Për t’u rinisur, trajneri Rosi duhet që para së gjithash të rikuperojë lojtarët.
Zarate ka vuajtur skualifikimin të dielën dhe do të jetë ndaj Leçes, ndërsa për Ledezmën rikthimi duket i vështirë, por jo i pamundur. Gjithashtu, tekniku duhet të punojë shumë edhe në aspektin psikologjik, sepse shifrat e ecurisë së deritanishme frikësojnë vërtet.
Skela, i mërzitur: “Mund të merrnim tri pikë”
Ervin Skela u shfaq plotësisht me petkun e protagonistit absolut te Energi Kotbus në barazimin e rëndësishëm në transfertë me Borusian e Dortumundit (1-1). Fantazisti 32-vjeçar i Kombëtares ishte pjesë e golit të skuadrës së tij. Në minutën e 31-të Skela gjuajti fuqishëm nga një distancë prej 24 metrash, topi u përplas në shtyllë, duke përfunduar më pas te Kagdas, i cili më pas shënoi me portën bosh. Frei barazoi për Borusian e Dortmundit. Skela pati dhe një rast tjetër për gol (38’). I cituar nga faqja gjermane Bild.de, Skela është shprehur: “Ne dëshironim të merrnim çfarë të mundnim nga Dortmundi. Pjesa e parë ishte sensancionale për ne. Me pakëz fat dhe nëse ne më mirë do të ishin përqendruar, mund të merrnin edhe tri pikët”. Kotbus renditet në vendin e 16-të me 17 pikë në 20 ndeshje.
SALIHI - Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi, aktualisht në forcë me SV Ried në Austri (Superligë), mund të transferohet në Gjermani te Hanoveri (Bundesliga 1) gjatë merkatos së verës. Lajmi jepet nga faqja e specializuar e merkatos tuttomercatoëeb.com. Te Hanoveri luan kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Altin Lala. Vlera e kartonit të Salihit (16 gola në kampionatin austriak) është 750 mijë euro.
17 Shkurt 2009