30 ditë festë kulturore kombëtare
Një sërë aktivitetesh artistike e kulturore do të zhvillohen në kuadër të muajit kulturor “Shqipëri-Kosovë”, duke nisur që nga koncerti i ansamblit popullor “Bozhuret e lirisë” deri te maratona e lirë për të gjitha grupmoshat, nga bulevardi “Zogu i parë” deri në monumentin “Nënë Tereza”, ku do të ngrihet flaka olimpike, e cila do të pritet nga personalitete të larta të shtetit dhe të jetës politike shqiptare. Mes aktiviteteve të ndryshme të këtij muaji, një prej tyre është hapja e ekspozitës së koleksionistëve dhe bukinistëve shqiptarë, e cila do të mirëpresë personalitete të shumta të politikës dhe kulturës e vizitorë të ndryshëm në tri ditët që kjo ekspozitë do të jetë e vizitueshme. Ekspozita ka për qëllim njohjen në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet fakteve, objekteve të ndryshme dhe dokumenteve të panjohura më parë mbi veprimtarinë e rilindësve, patriotëve dhe luftëtarëve shqiptarë, të cilës çuan me pushkë e me penë kombin shqiptar drejt pavarësisë. Në këtë ekspozitë do të paraqiten eksponate, dokumente, mbi 400 libra të shekujve XVII-XIX, ndër ta libra të rilindësve dhe albanologëve vendas dhe të huaj, flamuj të rrallë shqiptarë të viteve 1910-1920, emblema të klubeve patriotike, fotografi origjinale të patriotëve e ngjarjeve të mëdha si Kongresi i Manastirit, Elbasanit, Kuvendit të Dibrës etj., fotografi të ndryshme të epokës së Rilindjes, të cilat përbëjnë vlera unikale përsa i përket kujtesës kombëtare. Gjithashtu, një pavijon i veçantë do të jetë për ekspozimin e kartëmonedhave të ndryshme, hartave gjeografike, fizike e etnografike, vula e stampa origjinale. Të gjitha objektet që do të paraqiten në këtë ekspozitë, janë ekzemplarë të rrallë të koleksionistëve të ndryshëm nga qytetet si: Tirana, Vlora, Korça, Gjirokastra, Shkodra dhe Struga. Sot pritet që në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit të organizohet “Mbrëmja gala për pavarësinë”, koncert me krijimtari të zgjedhur nga vepra të kompozitorëve shqiptarë, ndërkohë që në Gjakovë do të realizohet koncerti i përbashkët i Ansamblit Popullor Shqipëri dhe ansamblit “Shota” Kosovë, “Një komb – një kulturë”. Më tej, 20 shkurti do të sjellë një tjetër ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar në nderim të
viktimave të terrorit komunist dhe gjenocidit ndaj popullsisë shqiptare në vitet ‘44-‘90. Në këtë ekspozitë është përfshirë edhe një pavijon i rëndësishëm mbi vrasjet e popullit kosovar, të trajtuara në një mënyrë të re konceptimi, ndërthurur me komponentë të rinj, që do të kalojnë kornizat e të zakonshmes përmes efekteve të ndriçimit, zërit, formave etj.
Në datat 20-21-22 shkurt, në sallën “Kadri Roshi” të Teatrit Kombëtar, do të vihet në skenë premiera e dramës “Filomena Marturano”, e cila do të mbahet nën okelion e Festës Kombëtare të Kulturës Shqipëri-Kosovë. Gjithashtu, gjatë muajit kulturor “Shqipëri – Kosovë”, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë do të roganizojë një ekspozitë me hyrjet më të fundit të botimeve të Republikës së Kosovës. Kjo ekspozitë do të realizohet në MTKRS, në galerinë “Ibrahin Kodra” dhe do të jetë e hapur për publikun në datën 23 shkurt 2009. Po kështu, në fillim të muajit mars, si rezultat i nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes tre teatrove kombëtare shqipfolës, në Teatrin Kombëtar në Tiranë do të shfaqet premiera e dramës “Çifti Martin”, e autorit Jonesko, si dhe “Tartufi” i Molierit, nga trupa e Teatrit të Prishtinës. Këto janë disa nga aktivitetet më interesante që do të zhvillohen përgjatë 30 ditëve të festës së përbashkët kulturore kombëtare në muajin “Shqipëri-Kosovë”.
17 Shkurt 2009