Frangialli në Shqipërinë turistike
• Kruja, Butrinti, Dhërmiu, Himara janë disa nga pikësynimet e sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Francesko Frangialli dhe Cordula Wohlmuther, të cilët që dje ndodhen në Tiranë.Gjatë një takimi të veçantë me ministrin e Turizmit dhe Kulturës, Ylli Pango, dy përfaqësuesit e lartë kanë vlerësuar potencialet turistike të vendit tonë dhe zhvillimin e tyre në të ardhmen. Frangialli siguroi ministrin shqiptar se do të ketë forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me qëllimin e vetëm, zhvillimin e turizmit shqiptar dhe promovimin e tij në botë. Numri një i Turizmit në botë zhvilloi takime dhe me personalitetet më të larta të shtetit dhe qeverise shqiptare, si Kryeministrin Sali Berisha, Presidentin e Republikës, Bamir Topi, si dhe ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Më pas vizita u zhvendos në qytetin e Krujës, ku Frangialli dhe Wohlmuther vizituan muzeun historik “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si dhe Muzeun Etnografik, ku u njohën me vlerat historike dhe kulturore që ato mbartin. Gjatë prononcimit për mediat kreu i OBT-së u shpreh se, “është hera e parë që ndodhem në vendin tuaj, ku mbeta i impresionuar nga progresi i Shqipërisë”. Gjatë këtyre ditëve pas Krujës ata do të vizitojnë edhe qendrat historike dhe kulturore si Butrintin, Himarën apo edhe Dhërmiun. Të dy përfaqësuesit e OBT-së do të qëndrojnë në Shqipëri deri në datën 20 shkurt. Dita e sotme do ti gjej ata sa në kalanë e Lëkurësit, sa në Butrint po aq edhe në Porto-Palermo, Himarë, Jal, Dhërmi, Llogara, Orikum, po aq edhe në Amfiteatrin e Durrësit, apo edhe Muzeun Arkeologjik po aty.