E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza, asi nën mëngët e politikës

• Kombi në nevojë për krenari e zhvendos gjithë besimin e tij në një shenjtore. Shumë shqiptarë, me sa duket, ia kishin nevojën një figure si ajo e Nënë Terezës gjatë viteve ’90-të.Të njohur nëpër botë më shumë si emigrantë ekonomikë, arratisur nga varfëria e Shqipërisë dhe si refugjatë politikë në arrati nga persekutimi serb në Kosovë, shqiptarët gjetën tek personi, besimi, statusi “celebrity” dhe bamirësia e Nënë Terezës një burim të pafund krenarie dhe frymëzimi. Ata ndjenin se ajo, në njëfarë mënyre, riparoi dinjitetin e tyre të dëmtuar. Përmes saj shqiptarët mund t’i tregonin botës se ata nuk duhet të gjykohen vetëm në bazë të varfërisë së tyre; se megjithëse të varfër, ata janë, gjithashtu, njerëz gjerësisht shpirtërorë dhe humanistë, të cilët “mund të prodhojnë figura frymëzuese të staturës botërore”. Por, ndërsa krenaria që shqiptarët e zakonshëm ndjenin për Nënën Terezën përgjatë fund viteve ’80-të dhe ‘90-të, ishte sa shelbuese aq dhe e sinqertë, interesi i fortë i treguar nga qarqe të ndryshme shqiptare ishte qartësisht i motivuar nga qëllime politike, nacionaliste dhe fetare. Vëmendja e përshkallëzuar që shqiptarët filluan të tregonin për bashkatdhetaren e tyre të famshme, veçanërisht pas vizitës së saj në Tiranë në vitin 1989, u mor shënim nga disa studiues perëndimorë të Nënë Terezës.* * *“Pa kaluar një vit nga vizita e saj”, thotë Emma Johnsosn, “ajo u kthye në hero kombëtar në Shqipëri, lëvduar si nga të krishterët ashtu dhe nga myslimanët, duke u shfaqur në pullat postare dhe në librat e historisë”. “Historia e dashurisë” së Shqipërisë me Nënë Terezën, paradoksalisht, nisi në fund të viteve ’80-të nga udhëheqësit ateistë të vendit. Me sa duket, Nënë Tereza qe përpjekur disa herë prej fillimviteve ’60-të e në vazhdim për të marrë leje nga qeveria shqiptare për të vizituar vendin. Kërkesat e saj, sidoqoftë, u refuzuan çdo herë, sepse thuhet se udhëheqësi komunist Enver Hoxha këmbënguli për ta mbajtur larg. Pas vdekjes së Hoxhës në vitin ’85, pasardhësi i tij, Ramiz Alia, gradualisht e ndryshoi qëndrimin zyrtar, prej kohësh negativ, kundrejt saj, sepse ai besonte se qeveria e tij mund të përfitonte duke u treguar miqësore me murgeshën. Duke e lejuar atë të vizitonte Shqipërinë në vitin 1989, udhëheqësi i ri komunist i vendit donte të sinjalizonte Perëndimin se, megjithëse ishte paracaktuar në post nga një paraardhës ateist, ai ishte në gjendje dhe i gatshëm për ta drejtuar Shqipërinë në një kurs krejtësisht të ri me liri politike dhe tolerancë ndaj feve.* * *Pas vizitës së Nënë Terezës në vitin 1989, të gjithë politikanët shqiptarë, ata në pushtet dhe ata që po përpiqeshin të vinin në pushtet, qenë të gatshëm për të bërë publike sa herë të mundeshin adhurimin e tyre të madh për “patriotin” e sapozbuluar dhe, bënin çmos për ta nderuar atë. Një dekret presidencial i vitit 1992 i dha Nënë Terezës pasaportë diplomatike shqiptare. Komunisti i shndërruar në president demokratik, Ramiz Alia, krijoi çmimin “Nënë Tereza”, i cili u jepej humanistëve dhe bamirësve të njohur. Më 27 nëntor 1996, një tjetër president shqiptar, Sali Berisha, i dha Nënë Terezës dekoratën “Nderi i Kombit”. Qeveria shqiptare shpalli tri ditë zie kombëtare kur murgesha vdiq më 5 shtator të vitit 1997. Pak pas funeralit të saj, aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit iu dha emri “Nënë Tereza” dhe në Tiranë spitali qendror dhe një prej shesheve kryesore, gjithashtu u pagëzuan me të njëjtin emër. Lartësimi i murgeshës prej shqiptarëve, pothuajse u kthye në mani kombëtare në muajt para lumnimit të saj në vitin 2003. Qeveria shqiptare ngriti një “komision special” kryesuar nga një ministër për organizimin e veprimtarive para dhe pas lumnimit. Aktivitete të publikuara me tepri rreth Nënë Terezës - konferenca, simpoziume, ekspozita, dokumentarë dhe filma, promovime albumesh dhe koncerte mbaheshin ngado. Shqiptarët, veçanërisht ata të fesë katolike, qenë në ankth për të marrë vesh se ku donte të varrosej Nënë Tereza që në çastin kur ajo u bë ndërkombëtarisht e famshme.   * * *Shumë shqiptarë të njohur me banim jashtë vendit, publikisht kanë shprehur dëshirën e tyre për t’u varrosur në Shqipëri. Por, Nënë Tereza, me sa duket, nuk ishte një prej tyre. Vendimi i saj për të mos u varrosur në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni u pa nga disa prej bashkatdhetarëve të saj në Ballkan si “jopatriotike”.  Ndërsa zgjedhja prej Nënë Terezës e Kalkutës si vend për varr ishte një tjetër testament i lidhjes së saj me njerëzit e qytetit dhe të Indisë, që ajo donte palëkundshëm dhe së cilës i shërbeu për pothuajse 70 vjet. Arsyeja kryesore se pse ajo vendoi të varrosej këtu, lidhej së pari me misionin e saj të përjetshëm në shërbim të Krishtit. Pavarësisht asaj se Krishterimi mund të hedhë rrënjë në Indi ose jo, varri i Nënë Terezës ka gjasa të mbetet për një kohë të gjatë një vend i shenjtë për të krishterët, posaçërisht katolikët, në mbarë botën, një outpost që vazhdimisht do të ftojë e frymëzojë ndjekës të devotshëm të Krishtit, të cilët do vazhdojnë t’i shpërndajnë mësimet e Tij aty dhe në pjesë të tjera të botës. Fakti se Nënë Tereza vendosi të mos varrosej në Kosovë, vendlindja e prindërve të saj, apo në Shkup, qyteti i saj i lindjes, tregon se ajo, me sa duket, nuk kishte për qëllim të bëhej një tjetër mollë sherri ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe sllavëve maqedonas.  Varri i saj në Kosovë apo Maqedoni do të shihej nga fanatikët serbë dhe maqedonas si Mekë e patriotizmit shqiptar. Nënë Tereza ende lartohet nga shqiptarë të zakonshëm të të gjitha feve, por entuziazmi me të cilin politikanët shqiptarë folën rreth saj në publik në prag të lumnimit të saj në tetor të vitit 2003, u fashit konsiderueshëm një vit më vonë.  * * *Në përvjetorin e parë të lumnimit të saj, shumë shqiptarë kishin harruar se 19 tetori duhet të ishte festë kombëtare. Por, shpejt u kuptua se ata nuk ishin me qëllim të parespekt. Qeveria shqiptare, me sa duket, thjeshtë, kishte dështuar t’i lajmëronte njerëzit rreth domethënies së kësaj date të shënuar.  Ky gabim, sigurisht, nuk i shpëtoi vëmendjes të disa politikanëve opozitarë që e përdorën për të marrë pikë për partitë e tyre. Autoritetet shqiptare, për çudi, ngurruan për të organizuar ndonjë festë publike për të përmbyllur çka ishte lajmëruar me shumë zhurmë dhe ngazëllim mediatik 12 muaj më parë si “Viti i Nënë Terezës”. Disa gazeta të përditshme shqiptare botuan komente therëse rreth mungesës së dukshme të interesit të politikanëve shqiptarë për të marrë pjesë në ndonjë ceremoni kushtuar shenjtit të kombit më 19 tetor 2004, ndërkohë që një vit më parë ata - miq e armiq njëlloj - u dyndën në turma për në Vatikan për të marrë pjesë në ceremoninë e lumnimit. Media shqiptare, gjithashtu, shprehu pakënaqësi e, madje, edhe zemërim se një vit pas lumnimit qeveria shqiptare nuk kishte vendosur ende ku të ngrinte një monument kushtuar Nënë Terezës. Statuja, më në fund, u shpalua më 9 dhjetor 2004 në prani të jo më pak se gjashtë presidentëve ballkanikë dhe kryeministrit të Norvegjisë. * * *Ashtu si politikanët shqiptarë, Kisha Katolike është duke e përdorur figurën e Nënë Terezës për qëllimet e saj. Krerët e kishës, me sa duket, besojnë se motra e shenjtëruar mund të jetë shumë e nevojshme në sjelljen e institucionit më afër, jo vetëm katolikëve, por edhe njerëzve të feve të tjera. Një mënyrë efektive e të bërit të kësaj është mëshimi i vazhdueshëm mbi “përkushtimin” e murgeshës ndaj Shqipërisë. Kur arqipeshkvi shqiptar Rrok Mirdita u kthye nga varrimi i murgeshës në Kalkutë në shtator të vitit 1997, ai solli me vete një qilim të cilin ia patën dhuruar gratë shqiptare si dhuratë kur Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë në vitin 1989.  Na u tha se Nënë Tereza lutej në këtë qilim deri në çastin e fundit të jetës. Ky qilim talismanik që është vendosur në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, shihet nga disa prej adhuruesve të Nënë Terezës si shenjë se ajo gjithmonë pat qenë një “atdhetare e konfirmuar”. (Marrë nga revista “Fletore”)Sherri për grupin e gjakut të shenjtoresNënë Tereza predikoi paqe, mirëkuptim, tolerancë dhe mëshirë në Indi dhe në krejt botën gjatë pjesës më të madhe të shek. 20, por ajo me sa duket nuk mundi të injektonte të njëjtin shpirt në Ballkanin ku u lind. Në sherrin e hidhur rreth “grupit të gjakut” disa shqiptarë dhe maqedonas treguan sa intolerantë janë. Në përpjekjet e tyre për ta bërë të vetën atë, apo për të sfiduar “të drejtën e autorit” të palës tjetër, atyre u shpëtoi një mundësi unike për të festuar e përkujtuar bashkë jetën, punën dhe trashëgiminë e bashkëqytetares së tyre botërisht të njohur. Të vetmes figurë botërore të shekullit të njëzetë të dalë nga Ballkani që paraqet këtë rajon tradicionalisht të trazuar në një formë të re dhe premtuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›