Korçë, arrestohet shoferi i policisë
• KORÇE – Grindet për vendin e parkimit, arrestohet gjatë detyrës shoferi i grupit të gatshëm të policisë së Korçës.Burime të policisë pohuan se ngjarja ndodhi mesditën e djeshme gjatë momentit të transportit të një të paraburgosuri drejt spitalit. Mësohet se makina e grupit të gatshëm, drejtuar nga 29-vjeçari Aurel Xhafa, është nisur drejt spitalit me të arrestuarin rreth orës 13:30. Me të mbërritur në hyrje të urgjencës së spitalit, Xhafa i ka kërkuar drejtuesit të mjetit që ishte parkuar aty, Ilir Taçi, që të largohej menjëherë. Ky i fundit i irrituar nga toni urdhërues nuk i është bindur. Fjalët e replikat kanë vazhduar deri në një moment kur Xhafa ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe ka qëlluar disa herë në ajër. Krismat e armës i kanë kapur në befasi gjithë njerëzit që ndodheshin në mjediset spitalore, një pjesë e të cilëve janë larguar të tmerruar. Menjëherë kanë ndërhyrë punonjësit e policisë të shërbimit spitalor dhe të grupit të gatshëm, të cilët kanë çarmatosur shoferin e tyre. Pas kryerjes së shërbimit shëndetësor ndaj të paraburgosurit, drejtuesit e komisariatit kanë firmosur arrestimin e shoferit Xhafa. j.gj