E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë masive kundër mbeturinave

• Shndërrohet në një protestë masive ajo e banorëve të lagjes “1 Maji” në Vlorë kundër grumbullimit dhe djegies së plehrave pranë shtëpive të tyre.VLORE/ QEMAL BIRAKU Në ditën e tretë të protestës, të mbështetur dhe nga përfaqësues të mjedisit dhe politikës, ata kanë bllokuar për disa orë shkarkimin e makinave të mbeturinave. Në këtë zonë të mbipopulluar kalojnë çdo ditë mjetet e pastrimit, të cilat derdhin aty plehrat e të gjithë qytetit të Vlorës. Veç faktit se nga dita në ditë grumbulli i mbeturinave rritet, persona të papërgjegjshëm i vënë flakën atyre, duke krijuar ndotjen e mjedisit. Banorët prej vitesh kanë kërkuar zhvendosjen e vendit të grumbullimit të plehrave, por ndonëse është premtuar shumë herë nga pushtetarët vendorë e qendror, ende nuk është gjetur zgjidhje. Për pasojë, banorët kanë zgjedhur protestën dhe bllokimin e mjeteve të pastrimit, derisa bashkia të zbatojë kërkesën për të larguar nga lagjja e tyre plehrat. Vendi ku hidhen mbeturinat e Vlorës është përcaktuar që para 30 vjetësh, kur zona ishte e pabanuar. Por, që prej vitit 1990, lëvizjet demografike, brenda dhe jashtë qarkut sollën aty përqendrimin e qindra familjeve, të cilat u përballën me problemin e mbeturinave. Sipas banorëve, nga djegia e mbeturinave, zona mbulohet nga tymi si dhe kundërmon një erë shumë e keqe, si ditën ashtu dhe natën. “Mbyllim dyer dhe dritare, por era e tymit futet në banesa. Ndotja që vjen prej tyre na krijon probleme shëndetësore, si dhimbje koke, marrje mendsh e vështirësi në frymëmarrje. Por, më shqetësim kemi për fëmijët, të cilët që kur lindin kanë shfaqur sëmundjen e anemisë”, thonë banorët. Ata i kërkojnë kryebashkiakut të Vlorës të mbajë premtimin e dhënë në kohën e fushatës për zhvendosjen e pikës së grumbullimit dhe përpunimit të mbeturinave. “Nëse nuk do të merren masa sa më shpejt, do të bllokojmë mjetet për të mos i lejuar të shkarkojnë mbeturinat në këtë zonë, ato mbeturina që sjellin vdekje”. Kryetari i Zyrës Rajonale të Mjedisit, Niko Dumani, shprehet se djegia e mbeturinave në këtë zonë është e dëmshme jo vetëm për banorët e kësaj lagje, por për të gjithë qytetarët e Vlorës, sepse tymi dhe oksidi i karbonit, si dhe gazrat dhe helmet e tjera të çliruara përhapen më gjerë. “Ne kemi ngritur shumë herë zërin për këtë katastrofë, por askush nuk e ka vënë ujin në zjarr, për të ndaluar hedhjen e mbeturinave në këtë zonë të banuar, ku rrezikohet jeta e qytetarëve”. Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Halim Dervishi, shprehet se bashkia ka kryer një studim për të larguar mbeturinat që nga ky vend dhe përcaktimin e një zone tjetër për grumbullimin dhe përpunimin e tyre në zonën e Panajasë. Por, ende nuk janë çelur fondet për të konkretizuar këtë studim. Sipas Dervishit, i është bërë kërkesa qeverisë dhe donatorëve për të siguruar paratë, pasi bashkia nuk ka mundësi financiare, por mungesa e përgjigjes e ka lënë projektin në letër. Përballë pamundësisë së pushtetit vendor, banorët deklarojnë se do të bllokojnë mjetet për t’u zbrazur pranë shtëpive të tyre, si e vetmja mënyrë për të shmangur fenomenin që shqetëson jetët e tyre.LSI e LRI mbeshtesin banoretProtestën e banorëve të lagjes “1 Maji” në qytetin e Vlorës e kanë mbështetur gjatë ditëve të zhvillimit të saj dhe përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe asaj Rinore për Integrim. Bashkë me banorët ata kanë kërkuar largimin e mbeturinave nga zona ku janë tani, për të evituar përhapjen e sëmundjeve të ndryshme të rrugëve aspiratore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›