Curri: U lodha më shumë se kundër Ibrahimoviçit

Jetmir Halilaj (Panorama Sport) -Malta i ka surprizuar të gjithë dhe pas ndeshjes kanë pohuar se kundërshtarët më të lehtë në letër, kanë qenë shumë problematikë. Madje Debatik Curri nuk e fsheh se dje i është dashur të lodhet më shumë se sa në ndeshjen kundër Suedisë, ku kishte kundërshtar Ibrahimovicin. "Sulmuesit e tyre ishin shumë problematikë, sepse ishin të shkurtër e mjaft të lëvizshëm. Luanin mirë dhe shumë më fort se sa suedezët, ndaj mund të them se pata më tepër vështirësi se sa në ndeshjen kundër Suedisë. Megjithatë jam i kënaqur për tri pikët, sepse ky është një fillim vërtet shumë i mirë. Shpresojmë të ruajmë këtë ritëm edhe në dy ndeshjet e ardhshme kundër Hungarisë dhe Portugalisë", u shpreh qendërmbrojtësi i përfaqësueses shqiptare. Fantazisti Ervin Skela ka pohuar gjithashtu se Malta u shfaq më rezistente nga sa pritej, por nuk e fsheh se fitorja e djeshme ishte për t'u përgëzuar. "E patëm paksa të vështirë, sepse ata luanin lirshëm me idenë se nuk kishin asgjë për të humbur. Përvec kësaj luanin shumë fort dhe rrezikshëm. E patëm të vështirë të dilnim në lojën tonë, sepse kundërshtarët mbroheshin me shumë forca dhe përvec kësaj shpërdoruam disa raste, cka na bëri të mos ishim fort të qetë e të kthjellët. Megjithatë ishte një fitore shumë e merituar dhe jam i kënaqur që arritëm të merrnim tri pikët. Tani duhet të shohim përpara", tha fantazisti. Kapiteni i kuqezinjve, Altin Lala, i cili bëri dje një paraqitje shumë të mirë, pohoi se Shqipëria e pati të vështirë të dilte në lojën e saj, por vlerësoi punën e bërë nga të gjithë, e duke theksuar më pas se Shqipëria i meriton katër pikët. "Mendoj se Malta u shfaq më problematike nga sa e prisnim, por për fat të mirë ekipi shënoi në fund të pjesës së parë, kështu që në pjesën e dytë ishim më të qetë. Skuadra si Malta janë gjithnjë problematike, sepse janë të ndërgjegjshme se nuk kanë cfarë të humbasin. Gjithsesi, ndihemi vërtetë të kënaqur, sepse ky është një fillim shumë i mirë. Shpresojmë që të vazhdojmë me këtë ritëm. Duhet përgëzuar edhe fakti që Shqipëria deri tani nuk ka pësuar asnjë gol, pasi ky është një tregues që skuadra është rritur. Pas këtij rezultati mendoj se Shqipëria mund të synojë vendin e dytë", deklaroi pas ndeshjes, kapiteni i Shqipërisë. Ndërsa Besart Berisha nuk ka dashur të prononcohet për mediat, madje është dukur i mërzitur pas ndeshjes. "Nuk kam se cfarë t'ju them, sepse luajta shumë pak", ishte gjithcka që tha biondi i përfaqësueses shqiptare. Sa për Ansi Agollin, i cili zuri vendin e Vangjelit në këtë takim dhe luajti si titullar, paraqitja që bëri në këtë ndeshje e kënaqi vërtetë, e gjithashtu edhe loja e kombëtares kuqezi: "Jam i kënaqur me paraqitjen time dhe jam shumë i lumtur për fitoren e skuadrës, sepse nuk e patëm aspak të lehtë. Fanella me numrin 7? Është një fanellë me shumë peshë, sepse më parë e ka mbajtur një lojtar i madh si Edvin Murati, prandaj unë do të mundohem të jap më të mirën time që ta meritoj atë".
Dallku
"Jam i lumtur për golin që shënova, sepse ishte goli im i parë me kombëtaren. Megjithatë jam më tepër i gëzuar për tri pikët, sepse duhet thënë se nuk ishte edhe aq e lehtë të mundje Maltën që mbrohej me tetë apo nëntë vetë. Jam shumë i lumtur për paraqitjen që ka bërë skuadra sot", u shpreh mbrojtësi i djathtë i Shqipërisë.
Cana
"Më mirë në qendër apo në mbrojtje? Unë luaj aty ku të më caktojë trajneri dhe ku të jetë e nevojshme. Mendoj se sot kam bërë një paraqitje të mirë jo vetëm unë, por e gjithë skuadra. Ishte një ndeshje që duhet ta fitonim dhe ia arritëm qëllimit. Mendoj se është një fillim i mbarë, që na inkurajon për të ardhmen", ka thënë ylli i përfaqësueses shqiptare.
Hyka
"Jam i mahnitur nga mbështetja e tifozëve dhe shpresoj që t'ua shpërblej gjithnjë me paraqitje sa më të mira. Sot ishte një ndeshje e vështirë për ne, sepse duhej të fitonim patjetër dhe jam shumë i lumtur që morëm tri pikët, ndonëse ekipi mund të mos ketë bërë një ndeshje ashtu sic prisnin të gjithë. Gjithsesi, në fund janë pikët ato që duhen", nënvizon mesfushori i talentuar.
Shpërblimi
Lojtarët, nga 5 mijë USD për kokë
Kuqezinjtë do të shpërblehen me nga pesë mijë dollarë secili për katër pikët që arritën të merrnin në dy ndeshjet e para në këto eliminatore të Botërorit 2010. Burime të sigurta pranë Kombëtares bënë të ditur se drejtuesit e institucionit më të lartë të futbollit kanë vendosur një shpërblim të majmë për kuqezinjtë, në rast se këta do të mund të merrnin katër pikë në dy ndeshjet e para, e meqë ata e kanë arritur këtë qëllim, pritet që premiot t'u shpërndahen gjatë ditëve të ardhshme.
Salihi
"Jam i kënaqur që arritëm të fitonim. Pak rëndësi ka nëse luajta titullar apo e nisa nga stoli, sepse të gjithë duam që të fitojë Kombëtarja. Ishte shumë e rëndësishme që të merrnim tri pikët dhe tani mund të themi se kemi bërë një punë të mirë në këto dy ndeshje. Gjyqtari? Ua thashë se kërkon të jetë gjithë protagonist", ka thënë bomberi shkodran i përfaqësueses.
Vangjeli
Kristi Vangjeli dhe Besart Berisha nuk kanë preferuar që të shprehen për median pas fitores së djeshme kundër Maltës. Mbrojtësi nuk u aktivizua në këtë takim, sepse në vend të tij luajti Agolli. Ndërkaq, edhe Besart Berisha nuk ka preferuar të japë komente. "Nuk kam cfarë të them, sepse luajta shumë pak", ka thënë biondi.
Beqiri
"Mendoj se për aq minuta sa luajta e justifikova besimin e trajnerit. Skuadra duhet përgëzuar sot (dje) për atë cka dha në fushën e lojës, sepse kundërshtari nuk ishte edhe aq i lehtë sa mendohej. Jam shumë i lumtur për pikët që kemi marrë dhe për gjendjen që po kalon skuadra", ka thënë qendërmbrojtësi i përfaqësueses.