Pikëllim në Maltë për humbjen

Media malteze e ka përjetuar me pikëllim të madh humbjen e thellë 3-0 me Shqipërinë në Tiranë. "Kapitullimi i Maltës përballë Portugalisë në ndeshjes hapesë të Grupit 1 kualifikues të shtunën, mund të ketë krijuar panik e frikë për një tjetër shkatërrim në kazanin e stadiumit ‘Qemal Stafa' mbrëmjen e kaluar (të mërkurën)", - shkruan gazeta malteze "Times of Malta".
"E trimëruar pas barazimit pa gola kundër Suedisë, Shqipëria erdhi në ndeshjen e dytë në shtëpi duke kërkuar një goleadë, duke e arritur objektivin e tyre duke i dhënë një shpullë të fortë në fitoren 3-0 kundër Maltës", - shkruan gazetari maltez Kevin Azopardi, i cili përjetoi "live" në tempullin shqiptar, shkatërrimin e ekipit të vendit të tij. "Megjithatë, atyre iu desh të luftonin fortë për pikët që i cuan në majë të Grupit 1, falë edhe humbje shokuese të Portugalisë në shtëpi (me Danimarkën)", - vazhdon "Times of Malta", që vlerëson edhe disa momente të mira të skuadrës malteze.
"Pak futboll të rrjedhshëm dhamë edhe ne, duke e hutuar mbrojtjen shqiptare". 100 tifozë maltezë ishin në "Qemal Stafa" përballë më shumë se 11 mijë fansave kuqezinj, por sipas gazetës malteze mbështetën trimërisht lojën e djemve të Dushan Fitzelit. Dimech, Brifa e Skembri kanë marrë edhe notat më të larta për skuadrën malteze: 7.
"Edhe sikur të mundeshim 6-0 nuk do të përbënte ndonjë diferencë",- thotë një komentues i shkrimit me "nikun", J. Mizzi. "Duke konsideruar shumën e burimeve që konsumojmë (humane, materiale, përfshirë edhe hapësirën e fushave dhe ato financiare), duket sikur gjithcka funksionoi për humbjen".