E Diel, 1 Nëntor 2026

Curri goleador, Kapllani rrjeta e parë me Karlsruhe

Debatik Curri dhe Armend Dallku vazhdojnë të jenë decizivë në ecurinë e Vorskla Poltavës. Dy lojtarët e kombëtares kanë qenë sërish protagonistë në fitoren 3-0, që skuadra e tyre arriti në fushën e Kharkiv. Seria e golave është hapur pikërisht nga Curri, që në të 38-n ka përshëndetur rrjetën pas një penalltie të akorduar. Ky është goli i dytë radhazi për 24-vjeçarin, pas penalltisë që i dha Vorsklas tri pikët në përballjen e fundjavës së kaluar me Krivbas Krivji Rig. Aksioni i goli të parë është iniciuar nga Armend Dallku dhe nga krosi i tij i saktë nga krahu i djathtë. Në të 42-n, pas një tjetër harkimi të saktë të mbrojtësit kuqezi ka ardhur edhe goli i dytë, që mban firmën e Çiçikov. Rezultati final i ndeshjes është vendosur pas golit të Dimitrit, në minutën e 57-të. Ndërkohë, fundjava nuk ka qenë aspak e mirë për shqiptarët e tjerë që militojnë në Ukrainë: Hidin, Bulkun, Bylykbashin e Ndrekën. Kjo sepse Krivbasi i tyre është mposhtur 3-0 në shtëpi nga Metalist Kharkiv.

E shtuna ka sjellë edhe zhbllokimin e Edmond Kapllanit, që në barazimin 3-3 përballë Verder Bremenit ka realizuar rrjetën e tij të parë në Bundesligën gjermane. Sulmuesi është aktivizuar si titullar, pas dëmtimit të Kenedit, e nuk ka zhgënjyer. Në minutën e 67-të, kur rezultati ishte në barazim 2-2 (2 gola të Frais për Karlsruhen dhe Diego e Ozil për miqtë), kuqeziu ka përshëndetur rrjetën. Festa e tij për golin e parë sezonal ishte aq e madhe, saqë Kapllani është ndëshkuar edhe me karton të verdhë. Sanogo në të 86-n ka barazuar shifrat në 3-3. Në elitën e futbollit gjerman, fitore 2-1 ka arritur edhe Energie Kotbus: skuadra ku militon Ervin Skela. Në përballjen direkte për mbijetesë me Hansa Rostok shqiptari nuk ka shënuar, por gjithsesi ka qenë deciziv. Pasimet që sollën golat e Rost (82‘) dhe Rangelov (90‘) kanë ardhur nga këmbët e fantazistit. Pasimet e arta të Skelës kanë shërbyer për të përmbysur disavantazhin 0-1, në një kohë kur Kotbus luante në inferioritet numerik pas kartonit të kuq të Mitreskit pas 42 minutave lojë. Vlerësime të mira ka marrë edhe mesfushori Altin Lala, që është aktivizuar përgjatë gjithë 90-minutëshit në barazimin 2-2 që Hanoveri arriti me Hertën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›