E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët akuzojnë Presidencën: E shitët!

Humbja 3-2 me Besën nuk është kaluar lehtësisht në Shkodër. Gjatë ndeshjes dhe pas saj, tifozët e Vllaznisë protestuan në mënyrë të vazhdueshme kundër drejtuesve të klubit dhe futbollistëve. Mbështetësit që kanë paguar për një vend në "Loro Boriçi", shkuan deri aty sa akuzuan se ndeshja e djeshme, ku kavajasit morën tri pikë që i konsoliduan në vendin e tretë, ka qenë e shitur. Kuqeblutë janë të përqendruar te Kupa e Shqipërisë, por në asnjë mënyrë, paraqitja e djeshme nuk mund të justifikohej me këtë fakt. Ata nuk mund të fshiheshin as pas sloganit të përdorur nga Dinamo, që kur i falën Vllaznisë kalimin pa djersë drejt finales deklaruan se ishin të përqendruar te kampionati. Shitja e ndeshjes sipas asaj që pretendojnë tifozët, ose më saktë tolerimi përballë një rivali direkt për vendin e tretë në kampionat ka ardhur mbi të gjitha për një tjetër arsye: kthimin e "favorit" ndaj Besës, që nuk kishte bërë shumë rezistencë në çerekfinalet e Kupës. Pas barazimit 2-2 në Kavajë, shkodranët kanë fituar "bindshëm" 5-1 në fushën e tyre, e tashmë janë në garë për të fituar një trofe, por mbi të gjitha atë që lakmojnë të gjitha skuadrat shqiptare... Kupat e Evropës.

Vllaznia e ka filluar shumë lehtë ndeshjen, ku thuajse dukej se skuadra nuk e kishte mendjen në fushë. Protestat filluan pas 24 minutave, moment kur Besa mori avantazhin pas një penalltie të fituar e të shndërruar në gol nga Manca0ku. Në fillimin e pjesës së dytë, tekniku Haxhiosmanoviç ka tentuar të ndryshojë diçka në skuadrën e tij dhe hedh në lojë portierin Olsi Bishani për Grimën (portieri titullar kishte shkaktuar 11-metërshin) dhe Rraboshtan në vend të Hotit. Megjithatë, janë miqtë ata që gjejnë sërish rrugën e rrjetës, këtë herë me Gerard Prognin, i cili përfiton nga përgjumja e mbrojtjes dhe dërgon topin në rrjetë. Vllaznia duket sikur zgjohet, por mbi të gjitha sikur kërkon të hedhë poshtë akuzat për tolerim. Në minutën e 54-t Sinani shkurton shifrat, duke devijuar saktësisht drejt portës një harkim të Sukajt. Në të 60-n është Rraboshta, i aktivizuar vetëm 15 minuta më parë, që shënon me kokë dhe risjell baraspeshën. Dy golat e barazimit të kuqebluve kanë ndezur sfidën dhe krejt ndryshe nga pjesa e parë, Vllaznia luan dhe provon të fitojë, por pa qenë e saktë përpara portës. Megjithatë, iluzioni i atyre pak çasteve futboll të bukur dhe tentativave për fitore është zhdukur në të 79-n, kur Progni i vetëm në zonë nuk e ka pasur të vështirë të devijonte drejt rrjetës harkimin e Mancakut. Edhe pse me kurriz nga porta, sulmuesi mposht Bishanin dhe shënon dygolëshin e parë si profesionist. Me këtë fitore Besa ngjitet në kuotën e 50 pikëve, 4 më shumë se Tirana e vendit të katërt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›