Kaka e Bekham, bashkë me Milanin në Tiranë më 12 maj
Jetmir Halilaj
Milani rikthehet për herë të dytë në Shqipëri më 12 maj.Kuqezinjtë e drejtuar nga Ançeloti do të luajnë kundër lojtarëve më të mirë të kampionatit shqiptar, në trofeun e vlefshëm për “Taçi Oil Albania Reads”. Lajmin e kanë konfirmuar burime pranë kompanisë së karburanteve, e cila bëri të mundur edhe ndeshjen Tirana-Milan të luajtur në “Qemal Stafa” më 14 tetor të vitit të kaluar. Këtë herë nuk është përzgjedhur një skuadër e kampionatit shqiptar, por është vendosur që 7 herë kampionët e Evropës të përballen me lojtarët më të mirë të kampionatit tonë. Pritet që në këtë takim miqësor të marrin pjesë edhe disa nga legjionarët e përfaqësueses, të cilët kanë përfunduar sezonin me skuadrat e tyre. Duro dhe Vangjeli do të jenë të lirë në atë datë, por duhet të marrin lejë nga klubet që të aktivizohen në këtë ndeshje, pasi 12 maji nuk është datë zyrtare.
Yjet
Kuqezinjtë do të vijnë në Shqipëri me skuadër të plotë dhe nuk do të mungojnë yjet si Kaka, Bekham, Pato, Ronaldinjo etj. Lajmin e konfirmojnë burime pranë kompanisë “Taçi Oil”, e cila ka marrë përsipër organizmin e kësaj ndeshjeje. Ndryshe nga miqësorja me Tiranën, kur për shkak të impenjimeve me kombëtaren braziliane munguan Kaka e Pato, këtë herë pritet të jenë edhe dy yjet brazilianë të skuadrës italiane. Një tjetër emër i madh i kësaj skuadre është edhe mesfushori anglez, Devid Bekham, i cili pritet që të jetë pjesë e kuqezinjve në miqësoren e radhës.
Surpriza
Pak ditë më parë, drejtuesit e kompanisë “Taçi Oil” pohuan se Milani do të vinte edhe këtë vit në Shqipëri, por pa specifikuar datën dhe skuadrën me të cilën do të përballej ekipi italian. Mirëpo, dje është konfirmuar se yjet kuqezinj do të zbarkojnë në Tiranë më 12 maj, duke iu bërë një tjetër dhuratë të bukur tifozëve shqiptarë. Pas dy ditësh, drejtuesit e kompanisë do të dalin në një konferencë për shtyp, ku do të bëjnë publike detaje të tjera në lidhje me orarin, apo çmimin e biletave për këtë sfidë. Ndërkaq, klubi i Milanit pritet të bëjë publike listën e emrave të lojtarëve që do të zbarkojnë në Tiranë, vetëm pasi të publikohet zyrtarisht nga kompania “Taçi Oil” ndeshja miqësore me ekipin italian. Ardhja e një prej skuadrave më të mëdha të planetit, pritet që të ngjallë sërish një interesim të jashtëzakonshëm të sportdashësve shqiptarë.
Italianët të gjithë, Shqipëria është pa yje
Një sfidë si ajo me Milanin, edhe pse thjesht një miqësore, askush nga futbollistët e Kombëtares shqiptare nuk dëshiron ta humbasë, por ja që këtë herë, shumica e tyre do të mungojnë për shkak të angazhimeve me klubet. Si për ironi, Milani i madh vjen më 12 maj në Tiranë me gjithë yjet që ka në përbërje, duke filluar nga braziliani Kaka e deri tek anglezi Bekham, por kuqezinjtë shqiptarë do të jenë me pak lojtarë titullarë. Kështu është e sigurt mungesa e Altin Lalës, Ervin Skelës, Lorik Canës, Erjon Bogdanit, Edmond Kapllanit, e deri tek lojtarët që luajnë në kampionatin ukrainas. As Isli Hidi, Dorian Bylykbashi, Ervin Bulku, gjithashtu dyshja e Vorsklës, Armend Dallku e Debatik Curri, nuk do të jenë në këtë miqësore luksi për Shqipërinë. Gjithsesi, nga titullarët e përfaqësueses ka edhe nga ata, të cilët janë me fat. Duke qenë se kampionati grek ka mbaruar, mbrojtësi Kristi Vangjeli me siguri do të jetë në fushë kundër 7 herë kampionëve të Evropës. Edhe Klodian Duro, që aktivizohet në Qipro me Omonia Nikosian, pritet të marrë pjesë në këtë miqësore. Kampionati i vendit ishullor përfundon më 9 maj, kështu që mesfushori ka shans për të qenë, edhe pse nuk dihet, sepse mund të hasë pengesë nga klubi.