Cyber-lufta serbe pro Gaddafit
Disa mijëra shfrytëzues serbë të internetit filluan një luftë virtuale kundër kryengritësve libianë, njoftoi Lëvizja e Rinisë Opozitare në Libi.
Sipas agjencisë serbe të lajmeve, Tanjug, kjo lëvizje opozitare pohon se në aksionin për dhënien e ndihmës Gaddafit marrin pjesë plot 50,000 cyber-luftëtarë nga Serbia.
"Shfrytëzuesit e internetit nga Serbia kanë nisur lëvizjen pro-gaddafiane në Facebook, Twitter, MySpace, Youtube dhe në disa rrjetet tjera sociale”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes së Rinisë Libiane.
Mediat po i kushtojnë vëmendje të madhe aktiviteteve të përkrahësve të Gaddafit nga shtetet e tjera, ndërkohë që televizioni shtetëror libian transmeton rregullisht atë që shkruhet nga përkrahësit e Gaddafit nga Serbia, për të treguar kështu se ai edhe më tej gëzon përkrahje nga shtete tjera, thekson Lëvizja libiane.
"Pas konsultave me administratorët e këtyre rrjeteve, vlerësojmë se ekzistojnë mbi 50,000 shfrytëzues interneti nga Serbia që janë përfshirë aktivisht në dhënien e përkrahjes për Gaddafin”, precizohet tutje në kumtesë.
Në fakt, një numër i madh shfrytëzuesish serbë të internetit po zhvillon ‘luftë’ të ashpër kundër grupeve anti-gaddafiane dhe web-faqeve të ndryshme që kanë lidhje me forcat ushtarake që luftojnë kundër Gaddafit (si NATO, SHBA, Franca, Britania e Madhe, etj), duke i sulmuar ose bllokuar plotësisht ato.
Lëvizja e Rinisë Libiane tërheq vërejtjen se për një vend aq të vogël si Serbia, e cila, gjithashtu, ka një numër modest të shfrytëzuesve të internetit, organizimi i mbi 50,000 përkrahësve aktivë të Gaddafit paraqet një ndërmarrje grandioze, që kërkon punë, vullnet dhe mjete të bollshme financiare, gjë që tregon se i gjithë ky aksion është iniciuar dhe financuar nga qendra të caktuara brenda Serbisë.
"Ne dyshojmë se prapa kësaj lëvizjeje pro-gaddafiane qëndrojnë organizatat të fuqishme politike, andaj edhe i apelojmë bashkësisë ndërkombëtare që urgjentisht të ndërmerr diçka në këtë drejtim”, përfundon Lëvizja e Rinisë Libiane.