D me Qëndresën

Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor vjen kësaj radhe me ekspozitën e Qëndresa Dedës, e cila është kuruar nga Albert Heta.
Ekspozita emërtohet ‘D me Qëndresa Deda’ dhe do të hapet sonte (e enjte) në Qendrën për Art Bashkëkohor – Stacion në ora 19 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 29 janar të vitit të ardhshëm.
‘D me Qëndresa Deda’ është ekspozitë e dizajnuar rreth një veprimi minimal - operacionit të zhvendosjes së përmbajtjes (me ndjeshmëri) prej një platforme virtuale, e përshkruar si një platformë e shërbimit social, në tjetrën; operacion i bartjes së imazheve prej Facebook, punë të parameditume për internet, në një web faqe të një institucioni të bazuar në projekte për art bashkëkohor dhe arkitekture.
Në realitet, që nga ora 19:00, në ditën kur kjo ekspozite zyrtarisht hapet, të gjitha punët që janë në shënjestër të kësaj ekspozite, të cilat deri vonë kanë mundur të shihen në profilin personal në Facebook të Qëndresa Dedës, do të bëhen të padukshme. Një përzgjedhje e këtyre veprave të artit do të shfaqen në web faqen e Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, duke filluar prej orës 19:00, në ditën kur kjo ekspozitë zyrtarisht do të jetë e hapur.
Qëndresë Deda (1988) ka lindur në Prishtinë. Ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, Dega e Dizajnit Grafik (2008 - 2010).