Electric blue, fundi i shoqërisë së spektaktlit
Spektakli, i kuptuar në tërësinë e vet, është njëherazi rezultati dhe projekti i mënyrës aktuale të prodhimit. Është pohimi i gjithëpranishëm në prodhim dhe konsumimi pauses. Spektakli është gjithashtu pjesa më e madhe e kohës së jetuar brenda produksionit modern...
Po përpiqem ta shoh filmin e fundit të Adrian Pacit “Electric Blue”, brenda konceptit të “Shoqëria e Spektaklit” të Guy Ernest Debord. Ky film mund të konvertohet si një bashkësi imazhesh, si abuzim i një bote pamore, produkt i teknikave të shpërndarjes masive. “Electric Blue” trajton nëpërmjet realizmit të kulluar historinë e një individi, i cili ndodhet midis katër rrugëve pas ndryshimit të sistemit në Shqipërinë e fillimit të viteve ’90.
Për të mbijetuar ai kryen gjithfarë profesionesh ambulante si filmues dasmash dhe funeralesh, duke arritur kulmin e produksionit të vet trash në shumëfishimin e filmave pornografikë. Fundi është tipike europiane, shumë larg klisheve të Hollywood-it, me një finale të hapur: the secret of being boring is to say everything. — Voltaire.
Nuk është një shtojcë e botës reale, ky fund është zemra e surrealizmit të shoqërisë reale. Informacion a propagandë, publicitet a konsumim i drejtpërdrejtë i argëtimeve, spektakli i “Electric Blue” përbën modelin e pranishëm të jetës mbizotëruese. Gjuha tek ky film përbëhet nga disa shenja të prodhimit mbretërues, që janë njëherësh finaliteti i mbrapshtë i këtij prodhimi.
Ky dublim është në vetvete i dubluar. Adrian Paci edhe këtë herë kërkon të tregojë histori të cilat duket se janë zverdhur arkivave, por në të vërtetë ato janë memoria e pranishme, spektakli autonom. Gjithçka që jetohet drejtpërsëdrejti është lëvizja autonome e të pajetës. “Electric Blue” është një raport social mes personash dhe kohës së tyre, i ndërmjetësuar nga imazhet.
Në një botë realisht të përmbysur e vërteta shfaqet si një maratonë imazhesh pornografike, si një ndjesi e rreme që shpjegon një larmi të madhe fenomenesh të dukshme. Kontrastet e tyre janë aparenca dhe afirmimi i çdo jete njerëzore. Autori është gjithmonë aty.
Kurse spektatori mungon. Pas autorit është historia e një momenti historik që na përmban. Kurse pas spektatorit nuk ka asgjë… lufta nuk është asgjë, zhvillimi gjithçka… fundi i shoqërisë së spektaklit dhe forcat që gjakojnë për zhbërjen e tij, të kombinuara.
“Electric Blue” është mbështetja në shoqërinë aktuale.