Sytë kah Kosova

Klubi suedez Kalmar e ka kthyer kokën kah futbolli kosovar. Skuadra skandinave e ka autorizuar skautin e saj, Kjell Nyberg, për t’i përcjellë ndeshjet kampionale të Superligës së Kosovës, me qëllim që t’i vëzhgojë nga afër futbollistët kosovarë për t’u përforcuar më pas me ndonjërin nga ta.
Madje, Nyberg veç i kishte përcjellë disa ndeshje futbollistike në Kosovë në fund të pjesës së parë të këtij kampionati.
Në Kosovë ai ishte i shoqëruar nga selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, i cili ka marrëdhënie të mira me këtë klub, pasi në sezonin 2006/07 ishte ndihmës-trajner i Kalmarit.
Menaxheri i Kalmarit, Nyberg, ishte befasuar me potencialin që e kishte vërejtur te disa futbollistë kosovarë. “Po, është e vërtetë ishim atje. Sigurisht, atje ka lojtarë të mirë”, ka thënë Nyberg për ueb faqen aftonbladet.se.
Ai ka sqaruar se, falë ndërmjetësimit të Albert Bunjakut, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë veç ishte takuar me disa futbollistë kosovarë, emrat e të cilëve nuk i ka bërë të ditur.
“Alberti na dha neve mundësinë që të kontaktojmë me futbollistët që luajnë atje dhe që nuk kanë rënë ende në sy të klubeve të mëdha evropiane. Janë futbollistë që do t’i kishim në dispozicion, vetëm pas kontakteve të rregullta me klubet e tyre”, ka shpjeguar Nyberg.
Deri më tani, Kalmar ishte përqendruar te futbollistët e shumtë brazilianë. Mirëpo, lojtarët si Silva Ferreira, Daniel Sobralense e Cesar Santin kanë zhgënjyer, duke mos i sjellë suksese ekipit suedez.
Andaj, sipas aftonbladet.se, Kalmar ka ndryshuar strategjinë dhe po kërkon talente në Kosovë dhe Shqipëri.
Aktualisht, në këtë skuadër aktivizohet një kosovar. Ai është portieri Etrit Berisha, i cili pati sukses të madh në sezonin e kaluar.
Mirëpo, sipas Nyberg, ka mundësi që Berishës t’i bashkohen edhe disa bashkëkombës të tij. “Të shohim. Për momentin ka shumë ‘topa në ajër’ dhe çdo mundësi është e hapur”, përfundoi Nyberg.