E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton Shpresa Beçajn si kryetare të Gjykatës së Lartë dhe Altin Ndroqin anëtar të KKRT-së



Deputetët e pozitës dhe të opozitës bashkuan votat dje në seancë për miratimin e dekretit të presidentit Topi, Shpresa Beçaj për postin e kryetares së Gjykatës së Lartë. Kandidatura e Beçajt mori plot 122 vota pro dhe asnjë votë kundër. Ndërsa emri i Altin Ndroqit për postin e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve mori 74 pro dhe 39 kundër. Pra deputetët e opozitës votuan kundër propozimit të Partisë Demokratike. Disa orë para seancës deputetët e Partisë Demokratike kanë votuar të vetëm dy kandidaturat e propozuara nga kjo parti për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve në një mbledhje pa praninë e mediave të Komisionit Parlamentar të Mediave. Gjatë mbledhjes së zhvilluar me dyer të mbyllura të Komisionit Parlamentar të Medias, opozita ka kundërshtuar miratimin e dy propozimeve të PD-së, duke konstatuar se dy kandidaturat janë politike. Deputetët e opozitës kanë bërë të ditur se maxhoranca do të përpiqet t’i kalojë në seancë të dy kandidaturat, me forcën e kartonit. I njëjti debat u zhvillua disa ditë më parë në Komisionin e Medias, ku pas mungesës së kuorumit për t’i miratuar, shumica ra dakord të kërkojë kandidatura edhe nga shoqatat joqeveritare. Sipas opozitës, në këtë mënyrë shumica vendos kontroll politik edhe ndaj një institucioni siç është KKRT-ja. Si Ndroqi dhe Kureta janë të dyja propozime të Partisë Demokratike për vendin e lënë bosh në KKRT pas shkarkimit të nënkryetarit të këtij Këshilli, Frano Kulli, me pretendimin e PD-së se kishte prejardhje nga politika, konkretisht nga Partia Demokristiane. Gjatë seancës së djeshme kryeministri Berisha është shprehur se qeveria ka respektuar lirinë e mediave dhe se në raportet e fundit të ndërkombëtarëve Shqipëria ka bërë hapa përpara në këtë drejtim.

Çipa-Olldashi: Çfarë u diskutua në tryezën e qeverisë me Fazlliçin

Deputeti i Partisë Socialiste, Stefan Çipa, hodhi akuza ndaj qeverisë për zbardhje të sekreteve shtetërore në një tryezë të organizuar në praninë e Damir Fazlliçit dhe të Tom Rixhit. Ai bëri të ditur se sekrete që lidhen me sigurinë kombëtare, në mënyrën më absurde iu servirën biznesmenit boshnjak. Por kjo deklaratë e tij është kundërshtuar nga ministri Sokol Olldashi. Ai bëri të ditur se në tryezën me Tom Rixhin dhe me biznesmenin Fazlliç është diskutuar mbi mënyrën e ruajtjes së kufijve të territorit të Shqipërisë. “Çështje të sigurimit të kufirit të territorit të Shqipërisë. Këto programe ne i ndjekim me asistencën e miqve tanë europianë dhe amerikanë. Kemi diskutuar për vrojtimin e hapësirës ajrore sepse kemi një marrëveshje me kompanitë amerikane. Tom Rixh është ish-sekretar i Mbrojtjes së SHBA-ve dhe na duhej asistenca dhe ndihma”, - është shprehur Olldashi. Ai gjithashtu bëri të ditur se ekspertiza e Rixhit ishte e nevojshme dhe për kartat e identitetit të shqiptarëve.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›