E Diel, 1 Nëntor 2026

ALUIZNI: Nga sot mund të paguani me bono detyrimet



Nga sot, të gjithë ata që duan të legalizojnë objekte informale me funksion banimi, apo të përzier, dhe që pagesën duan ta bëjnë me bono privatizimi, duhet të paraqesin një kërkesë pranë Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-t. Në të qytetarët duhet të përcaktojnë saktë masën e pagesës që do të shlyhet me bono privatizimi. Më pas, ALUIZNI do të shqyrtojë çdo kërkesë për shlyerje me bono, duke lehtësuar kështu procedurat për qytetarët. Afati i paraqitjes së kërkesave për këtë kategori të interesuarish është nga sot deri në përfundim të procesit të legalizimeve. Në një njoftim për shtyp, Agjencia e Legalizimeve bën me dije se ka filluar zbatimi i ndryshimeve që iu bënë ligjit disa javë, të cilat u diskutuan gjerësisht para miratimit. Këto ndryshime që tashmë do të zbatohen në praktikë nga ALUIZNI, pritet që të përshpejtojnë procesin. Siç edhe sanksionon ligji i ri i legalizimeve, objektet pa leje me funksion banimi apo të përzier, jashtë vijës kufizuese të ndërtimit, për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² mund të paguhen deri në 70% të vlerës me bono privatizimi. Përjashtohet pjesa e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila shlyhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare sipas çmimeve të tregut. Për sa i përket objekteve pa leje, brenda vijës së verdhë ligji përcakton se sipërfaqja që mund të paguhet deri në 70% të vlerës me bono privatizimi është 1-300m2. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², pagesa mund të kryhet për deri 50% të vlerës me bono privatizimi. Ndërkohë që nga pagesa me bono përjashtohen objektet informale me destinacion social-ekonomik dhe shtesat informale në objekte me leje, për të cilat pagesa e parcelës ndërtimore do të kryhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare dhe kjo gjithmonë sipas çmimeve të tregut.
Rimbursimi
Të gjithë ata që kanë legalizuar më parë parcelat, duke paguar me lekë në dorë por që duan të rimbursohen në këmbim të bonove, mund ta bëjnë këtë përmes një kërkese. Agjencia e Legalizimeve informon se të interesuarit duhet që të paraqesin një kërkesë me shkrim pranë Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-t. Atyre ju lihet një afat tre mujor për të paraqitur këto kërkesa, duke filluar nga sot. Më pas agjencia do të shqyrtojë çdo rast për të bërë rimbursimin. Edhe ata që kanë ende një pjesë të mbetur parcele të palegalizuar, mund ta legalizojnë duke bërë pagesën në bono privatizimi siç parashikon ligji. Ndërkohë që në qershor mbyllet afati për paraqitjen e kërkesave, duke qenë se është lënë në dispozicion periudha 3 mujore.

500 metra katror
Parcelat ndërtimore nën këtë vlerë, që ndodhen jashtë vijave të verdha, mund të paguhen deri në 70% të vlerës me bono privatizimi.

50 për qind
Deri në këtë masë mund të paguhen me letra me vlerë parcelat ndërtimore brenda vijave të verdha që janë mbi 300 metra katror.

300 metra katror
Sipërfaqet nën këtë vlerë brenda vijës së verdhë mund të bëjnë pagesën deri në 70% të detyrimit me bono privatizimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›