Sesilia Plasari: I kthehet skenës shqiptare, por jo përgjithmonë
Pas 20 vitesh mungesë në skenën teatrore shqiptare, rikthehet aktorja që mbahet mend për rolin e Almës në filmin artistik “Dhe ashtu, dhe kështu”. Pasi i ka munguar për një kohë të gjatë publikut shqiptar, Sesilia Plasari rikthehet si një regjisore, përkthyese dhe aktore. Në karrierën e saj profesionale, krijimtaria e saj artistike është e larmishme dhe e suksesshme sepse përfshin tri fusha. Këtë herë ajo do t’i shfaqet publikut në rolin e një vejushe, në shfaqjen “Playboy i trojeve tona”, në skenën e teatrit “Metropol”. Sesilia në këtë pjesë të përkthyer nga vetë ajo ka dhe një rol kryesor. Për Sesilian ky është roli i parë pas largimit nga Shqipëria, por jo projekti i parë. Si fillim ajo bashkëpunoi me teatrin e Korçës “Andon Zako Çajupi”, si regjisore e komedisë franceze “Nina”. Aktorja që prej vitit 1991 i mungoi skenës për 20 vite me radhë. Aktorja shqiptare që ka punuar përkrah emrave të mëdhenj të kinematografisë franceze, si Alen Delon e Zhan Pol Belmondo, kthehet tashmë me bagazh të pasur, pas një karriere profesionale në Francë.
E filloi duke përkthyer në shqip me kërkesë të teatrit “Metropol” librin “Hapësira boshe” të regjisorit Piter Brook. Më pas u angazhua si pedagoge për vënien në skenë të një shfaqjeje me studentët e vitit të tretë të degës së Teatrit në Akademinë e Arteve. Edhe kësaj here vuri në skenë një vepër që e kishte përkthyer vetë. Ndërkohë që Shqipëria për Sesilian nuk është vendi ideal i saj për të jetuar një jetë të pasur me aktivitete. Më tej ajo tha: “Mua më pëlqen jashtëzakonisht të jetoj në Shqipëri. Por nuk mund të jetoj dot në Shqipëri duke humbur kohën pa bërë një gjë që më tërheq, që më pasuron, që më bën të evoluoj, të eci përpara. Kështu që do të qëndroj në Shqipëri për aq kohë sa do të kem gjëra interesante për të bërë”.
Çfarë sjell për ju rikthimi në skenë?
Në skenë në Shqipëri, sepse në Francë unë kam luajtur, edhe pse kisha gati dy-tre vjet pa luajtur një rol dhe është goxha e vështirë kur kalon një hapësirë kohe të gjatë pa luajtur; e kisha me frikë, me emocion. Si të gjithë, kur dal në skenë kam emocione të papërshkruara.
Si ka arritur bashkëpunimi me Kiço London dhe me kastën e aktorëve?
Bashkëpunimi më Kiçon ka filluar prej shumë kohësh, që do të thotë që bashkëpunimi ka filluar qëkur ma propozoi veprën dhe ma dha ta përktheja. Ne kemi shkëmbyer vazhdimisht opinione, kemi bërë biseda, kështu që pjesa e punës ka qenë një vazhdim prove, një vazhdim i një dialogu që ka nisur me kohë. Ka qenë një punë interesante. Unë jam shumë e kënaqur që kam qenë pjesë përbërëse e kësaj trupe të rinj aktorësh. I kam përjetuar shumë mirë këto bashkëpunime më të rinjtë, më kanë dhënë shumë freski, më kanë dhuruar shumë emocion, më kanë dhënë shumë dashuri. Për mua është shumë i veçantë ky moment, sepse të shikosh nga afër si zgjohet një aktor i ri, si e përjeton marrjen e rolit, afrimin e personazhit, më kujtoi rininë time, periudhën e shkollës. Në fakt ka shumë gjëra që ma kanë rinuar jetën këtë periudhë kohe.
Sa i vështirë ka qenë shqipërimi i veprës së autorit John Millington Synge
nga ju?
Shqipërimi i veprës për mua ka qenë shumë i vështirë, aq më tepër që kisha në dispozicion një kohë shumë të shkurtër, që do të thotë se dorën e parë e kam bërë për 20 ditë dhe më vonë e kam përmirësuar. Kjo është një vepër shumë e vështirë, pa frikë do të thosha, sepse duhet vite për ta përkthyer mirë. Përkthimi i kësaj vepre nuk mbaron asnjëherë dhe në të gjitha vendet e botës është përkthyer, janë bërë libra të shumtë rreth këtij autori si dhe për vështirësitë e përkthimit. Kjo është një sprovë që të lë për të dëshiruar, por unë e kam bërë me pasion, pa diskutim, kam dhënë maksimumin tim për aq kohë sa kisha në dispozicion.
Pas një rikthimi prej 20 vitesh, si e shikoni situatën teatrore sot në Shqipëri?
Kam përshtypjen se ka gjëra që lëvizin, sidomos rrotull Teatrit Kombëtar, pasi duket sikur ka mbetur pak në gjurmët e jo të një tradite, nuk vazhdohet po ajo traditë, po me një repertor, me shfaqje të rregullta. Më duket pak sporadike përpjekja që bëhet në Teatrin Kombëtar. Aktori humbet shumë në qoftë se nuk luan, humbet aftësitë e veta autoriale. Prandaj e them me bindje që për teatrin shqiptar duhet bërë akoma më shumë. Mundësitë për të luajtur dhe për t’u perfeksionuar janë shumë të pakta dhe sadopak duhet dhënë hapësirë brezit të ri, në mënyrë që të zëvendësohen aktorët e sotëm, që numërohen me gishta. Domethënë aktorët titullar.
Si e shpjegon që shumë personalitete të teatrit dhe të aktrimit mbeten ato të viteve ’80 dhe shumë pak gjatë kësaj periudhe?
Them se deri në atë kohë bëhej një punë më e kujdesshme për formimin e një kaste aktorësh të rinj dhe kjo punë bëhej pak a shumë e planifikuar. Edhe në teatër zgjidheshin më të mirët, bëhej një punë organizative, kishte një konkurrencë, pasi aktorët e rinj mundoheshin të jepnin më të mirën për të mbajtur vendin e punës. Kam përshtypjen se tani kjo konkurrencë nuk ka dhe hapësirë ku të bëhet, nuk kanë vend ku të luajnë dhe ta tregojnë veten. Edhe pse ata mund ta tregojnë se janë të zotët, përsëri nuk ka vende pune, është një numër i vogël vendesh pune që mbesin. Kështu që aktorët që janë konfirmuar, që kanë qenë gjithë kohës në punë, të gjithë regjisorët mund të mbështeten më kollaj. Mund të ketë shumë aktorë të talentuar që nuk i njeh ose ke frikë, dhe nuk u beson dot atyre një vepër të rëndësishme, pasi ata nuk kanë qenë gjatë gjithë kohës në punë. Me pak fjalë, mund të kenë talent, por nuk mund të kenë përvojën e duhur. Të vetmit që kanë pasur edhe përvojën e duhur dhe një talent të konfirmuar ka qenë brezi i viteve ’80.
Përveçse përkthyese e veprës kishit dhe një rol, atë të vejushës. Çfarë mund të na thoni më shumë?
Vejusha Crin është vejusha që unë jam munduar bashkë me regjisorin, duke studiuar edhe veprën, ta trajtoja ashtu siç e sugjeron edhe autori si një grua, duke qenë se ka vuajtur dhe i ka parë të gjitha gjërat e kësaj jete, ka pësuar, si të thuash, një fyerje brenda vetes dhe e bën që ta shikojë jetën ndryshe nga çfarë mund ta shohin njerëzit e tjerë. Ajo është një njeri që nuk emocionohet dot kollaj, që nuk impresionohet kollaj dhe nuk e merr jetën si të tjerët që sot janë në humor të mirë dhe iu duket gjithçka mirë; nesër janë në humor të keq dhe iu duket gjithçka keq, por të ketë një ekuilibër në mënyrën se si e shikon jetën dhe gjërat e tjera. Këtë lloj figure jemi munduar të ndërtojmë. Se sa e kemi realizuar këtë, nuk e di, këtë e vendos spektatori.
Sa ka arritur gama juaj e roleve dhe çfarë hapësire zë roli i vejushës?
Nuk është se kam luajtur shumë, gjithsej mund të kem 15 role. Ndërsa roli i vejushës është një rol që e pëlqej shumë për faktin se çdo fjalë të saj e kam vënë me duart e mia gjatë përkthimit. Më duket sikur e kam përjetuar dy herë këtë rol dhe më duket i rëndësishëm.
Si e kujtoni rolin e Almës pas kaq vitesh, edhe pse sot në Shqipëri ngelet një ndër filmat më të dashur për publikun?
Roli i Almës ka qenë krejtësisht një rastësi. Unë atëherë sapo kisha mbaruar Akademinë e Arteve dhe isha pedagoge e re. Në atë kohë ka pasur një rregull që studentët e rinj të vitit të parë dhe të dytë nuk kishin të drejtë të luanin nëpër filma. Pasi kjo mendohej se mund t’ua deformonte aftësitë, t’u bënte më shumë keq sesa mirë si aktorë. Bujar Kapexhiu kishte ardhur për të kërkuar në shkollë një vajzë që ishte në vit të parë apo të dytë, që të luante atë rol. Në ato momente po bënte debat me shefin e katedrës, që insistonte që ajo vajza nuk e kish të drejtën për ta luajtur këtë rol dhe ishte një “jo” e prerë. Ndërkohë isha në zyrën e shefit dhe flisja në telefon. Bujari më pa sepse dhe në skena kishte telefon dhe i tha Gëzimit: “Mirë s’ka gjë, s’po debatojmë më”. Më kapi për dore, më nxori jashtë dhe më pyeti nëse doja ta luaja unë atë rol. “Çfarë roli?” - e pyeta. Dhe më tregoi rreth rolit. E gjitha kjo ishte një rastësi.
Si nis një ditë e zakonshme për Sesilia Plasarin?
Në fakt nuk ka ditë të zakonshme për mua.
Si ka lindur bashkëpunimi në interpretimin që keni pasur me aktorin Zhan Pol Belmondo?
Unë kam qenë asistente regjisore në atë shfaqje dhe gjatë gjithë procesit të shfaqjes isha në punë si asistente. Në momentin e fundit, kur do të përcaktohej e gjithë kasta, se ishin përcaktuar të gjitha rolet kryesore, por ishin dhe ca role të vogla, të papërcaktuara. Zakonisht ne asistentët shkonim në agjenci të ndryshme, zgjidhnim aktorët dhe ia prezantonim regjisorit. Në fakt kisha shkuar dhe gjeta disa propozime për rolin që mora unë dhe ai tha që kjo s’bën, kjo s’bën dhe unë e pyeta: “Po si duhet ky personazh?”. Ai më tha: “Ja është si ty. Pse mos ta bësh ti këtë rol?”. Ishte një rastësi dhe ftesë në momentin e fundit.
Ka ndonjë moment të veçantë për Sesilian që e kujton dhe i ka lënë mbresë?
Ka shumë momente të tilla. Por një moment që më ka lënë shumë mbresa ka qenë ndërrimi i shekullit. Hyrja e vitit 2000 na ka zënë në skenë dhe kemi festuar të gjithë së bashku, e gjithë trupa që loznim te shfaqja e Belmondos dhe e festuam kalimin e shekullit me shampanjë. Ishte një kujtim i bukur.
Po ndonjë moment të vështirë?
Momentet e vështira kanë qenë vetëm kur kam pasur probleme me shëndetin dhe më kanë penguar për periudha relativisht të gjata. Për dy vjet nuk kam qenë aktive dhe këto momente për mua kanë qenë shumë të dhimbshme, të vështira, por përgjithësisht kam marr vetëm kënaqësi nga profesioni.
Çfarë të ka dhuruar Franca?
Ikja në Francë ka qenë një fat shumë i madh për mua. Sepse unë nga natyra jam kureshtare, dua të mësoj gjëra të reja. Kur ika në Francë bëra një vit shkollë teatri, bëra institut teatral në Sorbon, kam bërë formime me mjeshtër, kam luajtur, kam punuar si asistente me regjisorë shumë të mirë dhe e gjithë kjo, edhe pse nuk është parë nga publiku, për mendimin tim profesioni jetohet në një mënyrë krejt tjetër. Unë kam marrë kënaqësi të vërteta profesionale për faktin se gjatë gjithë kohës kam akumuluar dhe kam mësuar. Kjo ishte e gjithë jeta ime.
Roli i Almës goditi te publiku. Pse nuk e vazhduat më tej karrierën në Shqipëri?
Kinemaja për mua ishte një rastësi totale, pasi nuk kam pasur fizik të prerë për kinematografi. Zakonisht kinematografia pranon vajzat më të holla, më fine; unë kam pasur një fizik si të thuash që nuk hynte kollaj nëpër klishe. E kam parë vetën gjithnjë të lidhur me skenën me teatrin sesa me filmin. E them me bindje se roli i Almës ka qenë thjesht një rastësi. Në Francë nuk më ka shkuar ndonjëherë ndër mend të bëj përpjekje për të tentuar në kinematografi.
Pas një përvoje të gjatë në Francë, sipas teje, çfarë i mungon para se gjithash filmit dhe teatrit sot në Shqipëri?
Sa për filmin, nuk mund të flas, sepse e kam ndjekur shumë pak. E dyta, edhe sikur ta kisha ndjekur, nuk jam personi i përshtatshëm për të folur për kinemanë. Përgjithësisht them që ajo çfarë mungon sot në Shqipëri është kultura. Kultura në teatër pasqyrohet edhe në mënyrën si interpretohet, në mënyrën se si shfaqet dhe pa bërë një punë përzgjedhëse. Një regjisor që është gjatë gjithë kohës në kontakt me veprat që lexon, e di se pse e vë këtë vepër dhe pse nuk e vë në skenë. Ndërsa në Shqipëri veprat zgjidhen sapo të bie në dorë, pa ndonjë afeksion të veçantë për këtë vepër.
Çfarë është për ju familja?
Familja për mua është diçka e veçantë, familja ime janë ato me të cilët komunikoj në një mënyrë më të thellë. Familja për mua ka marrë kuptimin e një familjeje shpirtërore.
Rikthimi juaj do të jetë për shumë kohë në Shqipëri?
Mua më pëlqen jashtëzakonisht të jetoj në Shqipëri. Por nuk mund të jetoj dot në Shqipëri duke humbur kohën pa bërë një gjë që më tërheq, që më pasuron, që më bën të evoluoj të eci përpara kështu që do të qëndroj në Shqipëri për aq kohë sa do kem gjëra interesante për të bërë.
Kush janë projektet që do ta shfaqin Sesilia Plasarin pas premierës “Playboy i trojeve tona”?
Jemi në diskutim e sipër me Kiçon, por akoma nuk e kemi vendosur krejtësisht për vënien e një komedie që ndoshta do ta shohë dritën e skenës në Metropol.
13 Mars 2010