Veshjet intime, pranvera vjen me linja shumëngjyrëshe
Pranvera kërkon dritë, harmoni ngjyrash dhe materialesh. Një trup sa i veshur aq edhe i zhveshur ndien dëshirën për veshje intime rrëzëllitëse për stinën e re plot diell. Me stampime lulesh, materiale seksuale për t’u ndier romantike, komplete me efekt “duket nuk duket” për t’u ndier sa më seksi. Veshje intime shumëngjyrëshe dhe me motive frymëzuese nga natyra e virgjër. Veshjet intime joshin, pavarësisht nga stina apo momenti. Megjithatë, pranvera po afron dhe stilistët propozojnë modelet e reja të cilave nuk mund t’u rezitosh. Me ditë të tëra keni ëndërruar dhe planifikuar që të kaloni mbrëmjen vetëm me të dashurin tuaj. Jeni kujdesur për çdo detaj, për gjithçka. Lulet, shampanja, muzika romantike, ledhatimet, puthjet. Por asgjë nuk ka më shumë rëndësi se veshjet juaja intime. Ato nuk mungojnë asnjëherë dhe duhet të jenë joshëse dhe provokuese, në mënyrë që të nxisni edhe fantazitë e partnerit tuaj. Disa thonë që veshjet intime tregojnë “unin” tuaj të brendshëm, tregojnë se kush jeni në të vërtetë. Ja disa ide nga firmat më të njohura për të ndryshuar tërësisht stilin e veshjeve intime për t’u dukur plot dritë në stinën e ngrohtë.
Lovable
Materiale transparente për një efekt të plotë joshjeje, stampime të këndshme me lule nga natyra e gjelbëruar, copa të lehta dhe delikate të mbuluara me buqeta lulesh pranvere. Por jo vetëm kaq, natyrës shumëngjyrëshe, “Lovable” i shton edhe materialet me stampime leopardi për një moment intim të paharrueshëm, për një karakter të fortë dhe në të njëjtën kohë epshor. Gjithçka për të zgjuar instiktin primitiv të një kafshe grabitqare në kërkim të prejës. Ky stil u shkon për shtat të gjitha femrave që duan të ecin në një hap me modën dhe për t’u ndier komode.
Benetton
Një libër i hapur për të gjitha momentet e magjishme është koleksioni i ri i gjigantit të modës “Benetton”. Atmosfera qetësuese e një pasditeje pasqyrohet në mikro stampimet e luleve shumëngjyrëshe, ndërsa modelet variojnë nga më të thjeshtat deri te kompletet super seksi dhe pantallonat e shkurtra me materiale mëndafshi. Ngjyrat që dominojnë janë e kuqja dhe bluja e errët. Nota provokuese reflektohen në kompletet me materiale të shndritshme ndërthurur me elegancë dhe komoditet.
Tezenis
Shpërthim ngjyrash, materialet e zgjedhura nga “Tezenis” janë vërtet unike. Lejla dhe e bruztë, e kuqe dhe rozë për stampime e lule, modele romantike që dallohet për rikthimin në kohë. Kjo linjë e re e veshjeve intime i është përkushtuar stilit të mëparshëm për një femër që dëshiron të joshë me thjeshtësi dhe elegancë. Bukuria jo gjithmonë ka nevojë për ekstravagancë. Ajo mjaftohet edhe me modele të thjeshta, përshtatur për femra të brishta dhe seksuale. Interesante duken modelet e krijuara nga materiale të pambukta me stampime luleshtrydhesh, ndërsa vijëzimet e kaltra të rikujtojnë dallgët e detit.
Intimissimi
Thjeshtësi me një prekje të lehtë luksi: stampime pranverore që të çojnë larg, aty ku vetëm natyra mund të prekë shpirtin. Lule të vogla delikate të vizatuara në materiale perfekte, por edhe lule të mëdha për efekt rrëzëllitës. Materiale delikate, ngjyra harmonike, stil i pastër për të shkuar larg, në vitet 50’, aty ku bukuria quhej brishtësi. “Intimissimi” nuk mund të mos mendonte edhe për një karakter më ekspresiv, të cilit i ka dedikuar modele luksoze me stampime kafshësh.
Yamamay
Reçipet sensual, të thjeshtë dhe eksitues, perizoma dhe kostume, gjithçka e përshtatur në materiale tërësisht organike. “Yamamay” prezanton një koleksion të tërë ekologjik, gjithçka natyrale për femra që mendojnë përtej çastit. Ngjyrat e zgjedhura për të bërë përshtypje janë ato delikate, stampime lulesh apo me kuadrata.
Etam
Mes tendencave të viteve të kaluara risillet edhe njëherë suksesshëm stili joshës i divës së spektaklit, Merlin Monro. Vitet 50 ishin momente më një rëndësi të vëçantë porsa i përket stilit dhe ikonave femërore që u kthyen në simbole të bukurisë. Bustier, perizoma, dekorime të ëmbla pa e tepruar në asnjë çast. Ngjyrat më të preferuara për këtë koleksion janë: portokalli, karamel dhe e kaltër. Tjetër stil i këtij koleksioni është edhe ai që përfshin ngjyrat e nxehta si: e zëzë dhe e kuqe, por në sasi të limituar, pasi pravera kërkon më shumë dritë.
13 Mars 2010