Thyhet sërish rekordi/Edvini shpik sëmundje familjare për të fshehur bredhjet okulte nëpër Europë
Kryetari i Partisë Socialiste vazhdon të fshihet pas gjoja dramave familjare që sajon me vend e pa vend. Shpikja më e fundit është sëmundja e re në vatrën e vet familjare që thotë se i ka rënë vëllait të tij që jeton aktualisht në SHBA. Sajesa e kësaj radhe po përdoret që të justifikohet mungesa e tij e gjatë në Shqipëri, ndërkohë që Kryeministri shqiptar dhe kundërshtari i tij i drejtpërdrejtë politik po vazhdon turin e tij të suksesshëm në të gjithë vendin. Dje kryetari i mazhorancës përmbushi një premtim tjetër dhënë banorëve të Pilurit duke i bërë ata me rrugë bashkëkohore dhe duke i lidhur me aksin kryesor të bregdetit. E ndërsa beteja politike në terren e ka fituesin e vet tashmë, Edi Rama vazhdon të pushojë jashtë vendit duke imituar vazhdimësinë e liderëve të majtë që e kalonin kohën më të madhe në fluturime e pushime sesa në vendin e tyre apo në punë. Përpjekjet e bëra për të kontaktuar me z. Rama si kryetar i opozitës kanë rezultuar të pasuksesshme dhe kjo ka detyruar dje Olta Xhaçkën që të mundohet të plotësojë mungesën e kryetarit duke dalë në një konferencë shtypi sa për të thënë. Pas Francës, Dubait, ishujve të Spanjës, jogave dhe seancave kurative anembanë botës, Edi Rama po viziton vende ekzotike, por edhe shtete në të cilat është përqendruar vëmendja e organeve ndërkombëtare për shkak të rritjes së perversitetit dhe trafiqeve.
Të gjithë brenda Partisë Socialiste kanë marrë vetëm një mesazh të thatë dje se Rama ka vëllanë të sëmurë, pa asnjë sqarim tjetër. Hulumtimi i mëtejshëm i çështjes të çon në SHBA ku ndodhet vëllai i vet,por si në rastin e nënës së tij, djalit dhe tani vëllait, mundësitë janë që Rama të përdorë rastin për keqardhje politike dhe për të shmangur të gjitha kritikat që e duan atë në krye të punëve të opozitës. Të gjitha këto lidhen së bashku me qëndrimin e çuditshëm të uzurpuesve të opozitës shqiptare që nga njëra anë flasin për nisma parlamentare dhe për aktivitet të shtuar parlamentar dhe nga ana tjetër nuk mund të mbrojnë dhe as inicojnë as edhe ndonjë mocion formal mosbesimi ndaj qeverisë që në fund të fundit do t’i ndihmonte të mbanin të mbërthyer pas ekranit elektoratin e vet. E pikërisht që të shmangë të gjitha këto z. Rama ka zgjedhur si gjithmonë rrugën e të frikuarit politik,shmangien e përgjegjësive dhe hartimin larg mëmëdheut të lëvizjeve të tij të dështuara politike. Ai tashmë po përdor familjarët e vet që të shpëtojë nga kritikët brenda partisë në një përpjekje tjetër dëshpërimi. Hendeku i krijuar mes tij, mënyrës së të bërit politikë, përzgjedhjes së shpurës së re të deputetëve që ende nuk dinë gjeografinë e Shqipërisë, kërkesave të elektoratit të vërtetë socialist e shumë gjëra të tjera nuk mund të mbushen me ndjelljen e keqardhjes për “robtë e shpis”. Nëse z. Rama kërkon qetësinë jashtë vendit bën mirë të lerë të qetë familjen e tij dhe të dorëhiqet nga të gjitha funksionet e tij partiake e bashkiake që të shijojë deri në fund pushimet e verës. Ai me siguri që pas një akti të tillë do të sigurojë edhe pak dinjitet për veten, vëllanë, nënën apo djalin e tij.