DASH: Shqipëria, vendburim trafiku për gra dhe fëmijë

Hilari Klinton gjatë prezantimit të raportit
“Shqipëria është kryesisht vendburim për burra, gra dhe fëmijë që bëhen pre e trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe për punë të detyruar, përfshirë edhe lypjen me detyrim për fëmijët”. Ky është konstatimi hyrës në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë për vitin 2011. Sipas raportit, ka ende gra dhe fëmijë shqiptarë që janë objekt trafikimi me qëllim shfrytëzimin seksual brenda vendit. Departamenti i Shtetit thekson se viktimat shqiptare u nënshtrohen kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit me qëllim shfrytëzimin seksual në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Serbi dhe në gjithë Europën Perëndimore. Fëmijët shfrytëzoheshin për qëllime seksuale, lypje me forcë dhe akte kriminale të detyruara, si për shembull grabitje dhe shpërndarje droge. Vajzat gjithashtu kanë qenë objekt prostitucioni apo pune të detyruar pas martesave me mblesëri. Raporti thekson se ka të dhëna se burra shqiptarë i nënshtrohen punës së detyruar në bujqësi në Greqi dhe vende të tjera fqinje. Ritrafikimi i viktimave shqiptare vazhdoi të ishte problem gjatë vitit 2011, vëren raporti. Sipas tij, qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për zhdukjen e trafikimit. Megjithatë, po bëhen përpjekje domethënëse për ta realizuar këtë gjë, thekson DASH. Raporti thekson se gjatë vitit 2011 qeveria rriti kapacitetet për të identifikuar paraprakisht viktimat e trafikimit, përdori programin e mbrojtjes së dëshmitarëve për të mbrojtur viktimat e trafikimit dhe siguroi fonde afatshkurtra për OJQ-të me qëllim mbrojtjen e viktimave. Nga ana tjetër, mungesa e përgjithshme e fondeve të qëndrueshme për OJQ-të kundër trafikimit të personave çoi në mbylljen e përkohshme të një qendre rehabilitimi gjatë vitit, duke krijuar kështu një ndikim negativ në ndihmesën e viktimave. Korrupsioni i përhapur, në veçanti në sektorin gjyqësor, vazhdoi të pengonte përpjekjet e përgjithshme kundër trafikimit, vijon raporti. Në kapitullin për rekomandimet, Shqipërisë i kërkohet të zbatojë paraprakisht procedurat e reja standarde për identifikimin e viktimave me qëllim rritjen e gamës së viktimave të identifikuara në Shqipëri dhe, veç të tjerash, të vazhdojë të marrë masa për rritjen e mbrojtjes së dëshmitarit-viktimë për viktimat që janë gati të bashkëpunojnë në zbatimin e ligjit. DASH kërkon që vendi ynë të ndjekë më fuqishëm rastet e trafikimit që ndodhin brenda vendit dhe të hetojë paraprakisht bashkëpunimin e zyrtarëve qeveritarë në lidhje me trafikimin. Departamenti i Shtetit vëren se gjatë vitit 2011 vazhduan përpjekjet për zbatimin e ligjit kundër trafikimit, megjithëse u dënuan më pak trafikantë krahasuar me një vit më parë. Korrupsioni i përhapur në të gjitha nivelet dhe sektorët e shoqërisë shqiptare vazhdoi të ndikonte seriozisht aftësinë e qeverisë për të shqyrtuar e zgjidhur problemin e trafikimit të qenieve njerëzore.
TRAZHGIM SOKOLAJ