E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet përjashtimi i gjyqtarit të Dajtit

Dritan Dajti në gjyq

TIRANE Prokuroria për Krimet e Rënda kërkon përjashtimin e gjyqtarit Gurali Brahimllari nga pesëshja gjykuese e dosjes në ngarkim të Dritan Dajtit, të akuzuar për vrasjen e katër policëve në vitin 2009. Kërkesa për përjashtim është paraqitur në seancën e djeshme gjyqësore ndaj Dajtit dhe dy të bashkëpandehurve të tij, Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muça. Procedurat e shqyrtimit të kësaj kërkese në një proces të veçuar dhe rrjedhojat që mund të vijnë pas saj duket se do të thellojnë akoma më shumë ngërçin në të cilin ka ngelur ky proces gjyqësor. Sipas prokurorëve, kërkesa për përjashtim kishte lidhje me një kallëzim të depozituar nga ana e gjyqtarit në Prokurorinë e Tiranës pak kohë më parë. Në këtë kallëzim, gjyqtari Brahimllari akuzon të pandehurin Dajti për fyerje dhe shpifje. Kallëzimi i gjyqtarit ka për fillesë seancën gjyqësore të 2 prillit, ku i pandehuri lëshoi kërcënime dhe fraza fyese ndaj trupës gjykuese. Sipas Prokurorisë, për këtë shkak, çështja mund të paragjykohet nga ana e gjyqtarit Brahimllari. Në anën tjetër, pas seancës konfliktuale, gjyqtari Brahimllari kërkoi dorëheqje, por ajo nuk u pranua nga kryetari i Gjykatës. Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit Brahimllari vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata për Krimet e Rënda pranoi përjashtimin e kryesueses së dosjes Dajti, gjyqtares Nertina Kosova. Gjyqtarja Kosova u përjashtua me kërkesë të të pandehurit Dajti. Pas largimit të saj nga pesëshja, vendi bosh u plotësua nga gjyqtari Fran Prendi. Ndërsa kryesues i pesëshes u caktua gjyqtari Idriz Mulkurti.                     ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›