DASH: Zgjedhjet ishin të qeta, rikuperoni problemet
Departamenti amerikan i Shtetit reagoi dje zyrtarisht për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Zyrtarët amerikanë i dhanë një notë pozitive votimeve dhe ecurisë së deritanishme. Një zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit, e cituar nga "Zëri i Amerikës", thekson se qytetarët e Shqipërisë meritojnë të lavdërohen që dolën në votime në një numër të konsiderueshëm dhe për zhvillimin e zgjedhjeve në mënyrë paqësore dhe me rregull. "Zhvillimi i zgjedhjeve përbën përparim real në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Vlerësimi paraprak i OSBE/ODIHR-it vë në dukje se zgjedhjet në vetvete demonstruan përmirësime, por gjithashtu vëren se u konstatuan disa shkelje në procesin zgjedhor. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë së Shqipërisë t‘i analizojë ato", tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit. Në fund të fjalës, zëdhënësja vuri theksin në rëndësinë që ka edhe procesi i numërimit, duke kërkuar që edhe ky proces të mbyllet në mënyrë të rregullt dhe transparente. Sakaq, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë vlerësoi se zgjedhjet në Shqipëri kanë treguar përmirësime, por thotë se ka pasur edhe shkelje. Misioni Ndërkombëtar Vëzhgues i Zgjedhjeve tha se zgjedhjet kanë shënuar progres të prekshëm, por në veçanti gjatë fushatës janë vërejtur shkelje që minonin besimin e publikut në procesin elektoral. Jens-Hagen Eschenbacher, zëdhënësi i ODIHR-it, konstatoi dje se "vërtet ne kemi arritur në përfundimin, të paktën në këtë etapë, meqë procesi nuk ka përfunduar dhe ende jemi në mes të numërimit të votave e të përpunimit të rezultateve që duhet të përfundohen, por në këtë etapë mund të themi se ka pasur përmirësime dhe këto në veçanti kanë të bëjnë me futjen në zbatim të procedurave të reja të regjistrimit të votuesve e identifikimit të tyre".