Dy ambasadorë takojnë Ramën dhe Berishën
Kreu i Ambasadës Gjermane në Tiranë, Bernard Borchard, ka zhvilluar takime dje me "të mëdhenjtë" e dy partive më të mëdha politike. Ambasadori Borchard, i shoqëruar nga ambasadori i Suedisë në Tiranë, ka zhvilluar takime paraditen e djeshme fillimisht në selinë e Partisë Demokratike rreth orës 11.00 dhe më pas në atë të Partisë Socialiste. Dy krerët më të mëdhenj të politikës janë treguar të matur e të kujdesshëm, por ndërkohë duket se lëvizjet e tyre të maturuara monitorohen nga ndërkombëtarët. Në një prej konferencave për shtyp në selinë blu, kreu i PD-së, Sali Berisha, bëri me dije pas takimit me ambasadorin Borschard, se ka marrë "përgëzimet më të mira nga miqtë tanë të mëdhenj, ndërsa Kryesia e Bashkimit Europian përshëndeti qytetarët shqiptarë dhe zhvillimin e zgjedhjeve; Komisioni i Helsinkit pranë Kongresit të Shteteve të Bashkuara, përshëndeti zhvillimin e këtyre zgjedhjeve".