E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gallack: Të krijohet një qeveri që të funksionojë

Cristina Gallack, zëdhënësja e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, i vlerëson zgjedhjet si pozitive. Sipas saj, në këtë moment ne nuk mund të kemi një verdikt, por ajo që mund të themi është se mirëpresim përmirësimin e përgjithshëm që është arritur në zgjedhjet, të cilat u zhvilluan të dielën. "Në veçanti duam të theksojmë se administrimi i procesit të zgjedhjeve ishte pozitiv. Megjithatë duam të presim edhe pak për të pasur një pikëpamje më të përgjithshme", u shpreh ajo në një intervistë për BBC-në. Gallack mendon se për Shqipërinë zgjedhjet janë shumë të rëndësishme dhe ne jemi të kënaqur se udhëheqja i mori ato mjaft seriozisht, organizimi dhe fakti që vëzhgimi po nxjerr vlerësime pozitive deri tani. Pra, vijoi Gallack, së pari, duhet të urojmë popullsinë e vendit për angazhimin në një proces që ne dëshironim që të ishte i drejtë dhe transparent, që ne mendojmë se ashtu ishte. "Megjithatë do të presim edhe pak më shumë për të pasur një vlerësim të përgjithshëm. Ne e kuptojmë dhe e vumë re se udhëheqja e mori këtë proces zgjedhor shumë seriozisht", u shpreh ajo. "Do të dëshironim shumë që të gjitha aspektet që misioni vëzhgues i ODIHR-it po vë në dukje, të merren në shqyrtim dhe ndoshta pas kësaj do të mund të bëjmë komente më të qarta", theksoi Gallack. Ajo insistoi se zgjedhjet janë një moment për të qenë pozitiv, sepse është populli që shpreh dëshirat individuale dhe pozicionet individuale. "Prandaj udhëheqja duhet të jetë e hapur, duhet të garantojë që pasi të numërohen votat të krijohet një qeveri që të funksionojë, të respektojë vullnetin e popullit dhe të ketë një përparësi të qartë, atë të përparimit drejt Bashkimit Europian", tha Gallack.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›