E Diel, 1 Nëntor 2026

Kutitë e fundit, duel i ashpër PD-PS

Dy koalicionet e majta shënojnë epërsi përballë së djathtës, deri dje në orët e vona të natës. Në orën 11.28 të darkës u numëruan 4532 kuti votimi nga 4753 që janë në total. Koalicioni "Bashkimi për Ndryshim" 45.46% dhe "Aleanca Socialiste për Integrim" 5.58% duke e çuar rezultatin në 51.04% kundrejt 46.73% të koalicionit "Aleanca e Ndryshimit". Gara në disa qarqe si Tirana, Korça apo Elbasani e Fieri ishte mjaft e fortë. E përkthyer me mandate, koalicioni i Partisë Demokratike ka marrë 68 mandate, PS 65 mandate, katër mandate LSI, 1 Partia Republikane, 1 Partia e të Drejtave të Njeriut dhe 1 mandat Partia Drejtësi për Integrim.

Sipas këtyre të dhënave, deri në 11.28 të natës së mbrëmshme, rezultati varionte 70 me 70. Barazimi u shënua për shkak të rezultatit në Qarkun e Fierit. Pasi deri në numërimin e këtyre kutive, pra 4529, PS-ja shkoi në 9 mandate, duke i marrë mandatin PDI-së. Deri në këtë moment ishin numëruar 4529 kuti votimi, nga 4753. Procesi i numërimit të votave është konsideruar mjaft i ngadaltë dhe me ndërprerje të herëpashershme në mjaft KZAZ në të gjithë vendin. Në orët e vona, probleme u vërejtën në Elbasan dhe në Fier, ndërsa numërimi po shkon drejt fundit. Sipas Partisë Socialiste, ky lloj tensionimi i palës kundërshtare vinte për shkak të epërsisë për të dyja rastet me një mandat më tepër se ecuria e rezultatit gjatë gjithë ditës. Por dy KZAZ-të kanë shkaktuar më shumë probleme, saqë Partia Socialiste paralajmëroi ankimimin në Komisionin Qendror të Zgjedhor. Tri mbledhje të herëpashershme të KQZ-së nuk kanë mundur t‘i japin zgjidhje të menjëhershme. Anëtarët e grupit të numërimit të votave në Bushat kishin rënë dakord që dje në mëngjes për të lënë numërimin në mes dhe për t‘u kthyer në orën 14.00 të drekës. Shqetësimi u ngrit në KQZ dhe në mbledhjen e pasdrekës, ku Ristani propozoi nëse ishte e nevojshme të ndërhynte policia, por nuk u pa me vend nga ana e nënkryetares Subashi. Në një mbledhje të mëvonshme u propozua që të shkonte në këtë KZAZ një prej anëtarëve të KQZ-së, por u kundërshtua nga përfaqësuesi juridik i PS-së, Gjonçaj, i cili deklaroi se kishte dhe shumë KZAZ të tjera me probleme. Një tjetër KZAZ në të cilën u shkaktuan probleme, ishte ajo e Beratit për shkak të një kutie votimi. KZAZ nuk i dha zgjidhje këtij problemi. Anëtarët e PS-së kërkuan hapjen e kësaj kutie, ndërsa anëtarët e PD-së pretenduan se kutia është votuar një herë, por ajo ka një parregullsi për shkak të një vule që nuk është vënë në vendin e duhur. Pas shumë debatesh, KZAZ nuk mori asnjë vendim për shkak të abstenimit të anëtarit të PSD-së. Por më vonë KQZ-ja sqaroi se në rast të tillë ligji nuk njeh abstenim, por vetëm pro ose kundër. Bllokime, kryesisht lodhje, por edhe probleme teknike janë vënë re në disa KZAZ, si në Laç, Vlorë, Lushnjë etj. Sakaq Vlora, Durrësi dhe Gjirokastra i kanë dhënë fund numërimit të votave. Ndërkohë, LSI-ja ka shprehur pakënaqësitë e saj në disa KZA, kryesisht në Fier, ku rezulton me zero vota, edhe pse aty ka një anëtarësi të sajën të konsiderueshme. Njëkohësisht, LSI-ja shprehu shqetësim për njësinë N. 1 në Tiranë, që sipas tyre, është vënë re fenomeni se në kutitë e votimit në shumicën e tyre ka rreth 30-40 fletë votimi të pashkruara dhe ka pasur përpjekje që ato të ndahen 50 me 50, midis PD-së dhe PS-së.

Meta hyn në Kuvend, PDI e çamëve

bëhet surpriza e zgjedhjeve

Deri tani mbeten jashtë Parlamentit Gjinushi, Veliaj, Ceka, Milo, Ndoka etj.

48 orë ankthi dhe shprese rezultuan ogur i mirë për kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, i cili mori votat e duhura për të qenë deputet. Sakaq, surpriza e këtyre zgjedhjeve, bazuar në rezultatin e deritanishëm, natyrisht është Partia për Drejtësi dhe Integrim me kryetar Tahir Muhedinin. Teksa dy forcat kryesore, të përfshira në një luftë nervash për faktin se treguesit e tabelave ishin njësoj, pas mesditës së djeshme u dhuruan surprizat e para të zgjedhjeve. PDI-ja për herë të parë arriti të futet në Parlament, madje bindshëm, me një mandat në Vlorë. Sakaq, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mundi të marrë frymë lehtësisht për fitoren e tij personale, përqindja e koalicionit të LSI-së shënoi rritjen e mjaftueshme me shifrën 5%. Ndër tri sfida, rezultati në vendlindjen e tij, synimet e LSI-së për këto zgjedhje, Meta arriti të fitojë vetëm mandatin e tij. Sakaq, nuk mund të jesh i bindur se sa besonte zoti Tahir Muhedini në deklaratën e tij dy javë më parë në gazetën "Shqip", kur tha se "do të jemi surpriza e Parlamentit". Deklaratë e cila atëherë u mor me rezerva, por sot, tri ditë pas datës së zgjedhjeve, mund të thuhet me plot bindjen se PDI-ja ka qenë vërtet surpriza e këtyre zgjedhjeve dhe për rrjedhojë edhe e këtij Parlamenti. Në këto zgjedhje, deri më tani PDI-ja ka mundur të marrë një deputet, në Qarkun e Vlorës. PDI-ja është një parti relativisht e re, e krijuar para pesë vitesh dhe pa ndonjë eksperiencë të madhe politike. Drejtuesit e saj vijnë nga fusha e biznesit dhe nuk kanë ndonjë të kaluar që lidhet ngushtë me politikën, por duket se puna e madhe, ashtu siç u shpreh në intervistë edhe kryetari i kësaj force politike, Tahir Muhedini, ka bërë që kjo forcë të votohet mjaftueshëm në këto zgjedhje. Një mandat i tretë? Gjithçka mbetet e hapur për vetë faktin se ende ka kuti votimi të cilat janë në proces numërimi dhe surprizat mund të vazhdojnë. PDI-ja ka garuar në këto zgjedhje përkrah koalicionit "Aleanca e Ndryshimit", e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha, pas refuzimit që i është bërë kësaj force politike nga drejtuesit e koalicionit të majtë. Fitorja e PDI-së ka tërhequr vëmendjen e demokratëve, duke i bërë ata menjëherë pjesë të qeverisë së re. Kandidati demokrat për deputet në Vlorë, numri dy i PD-së, Astrit Patozi, përgëzoi suksesin e PDI-së në këto zgjedhje. Ndërsa kandidati socialist në Vlorë, Shpëtim Idrizi, nuk e mendon si humbje mosbashkimin me PDI-në në një koalicion parazgjedhor. "Unë do të luftoj për çështjen çame, pavarësisht se në cilin kah politik është forca politike që e përfaqëson komunitetin dhe që fatmirësisht tani do të jetë edhe në Parlament", u shpreh Idrizi. PDI-ja njihet si partia e çamëve dhe kreu i saj, Tahir Muhedini, ka premtuar se përfaqësimi i tyre në Kuvend do të jetë një zë i fortë për t‘i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, e cila ka 18 vjet që zvarritet nga politika shqiptare nga njëri Parlament në tjetrin. Ndërsa Meta dhe Muhedini mund të vijojnë të jenë në pritje për mandate të tjera, rezultati i mbrëmjes së vonë tregoi se shumë prej drejtuesve të hershëm të politikës shqiptare nuk do të jenë në Parlamentin e ardhshëm, si kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së, Paskal Milo, kreu i PAA-së, Neritan Ceka, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, Arjan Starova, kreu i G99-ës, Erion Veliaj etj.

Numërimi i votave, replika Rama-Berisha

Opozita: Veprime kërcënuese të pushtetit. PD: Komisionerët, të përgjegjshëm

Socialistët dhe demokratët u përplasën dje paradite për komisionerët në qendrat e votimit. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi nga komisionerët të tregojnë përgjegjësi maksimale deri në fund të procesit. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, bëri me dije se ka "veprime kërcënuese të pushtetit për të frenuar e deformuar procesin". Rama dhe Berisha kanë ndjekur dje orë pas ore zhvillimet më të fundit të procesit të numërimit të votave nga zyrat e tyre në zyrat respektive, në PS dhe PD. Apeli i radhës i Berishës, mesditën e djeshme në selinë e PD-së, ishte: "Ftoj komisionerët e të gjitha zonave të vendit, numëruesit që e kanë tërësisht në dorë të tyre procesin, të tregojnë përgjegjësinë më maksimale, të respektojnë ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin". Pas daljes së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në selinë rozë ka mbajtur konferencën për shtyp kreu i socialistëve, Edi Rama: "E shoh të nevojshme ta bëj këtë komunikim me publikun, pas komunikimit të papranueshëm të Kryeministrit të Shqipërisë, i cili, me sa duket, është në krye të një operacioni, që jo vetëm po i cenon, por po i kërcënon zgjedhjet në Shqipëri", tha Rama. Sipas tij, "një operacion është shtrirë në të gjitha ato qendra numërimi ku rezultati është qartësisht duke u thelluar për Partinë Socialiste dhe me shërbëtorët e tij të oborrit qeveritar ka nisur një mësymje për bllokimin e qendrave të numërimit në Lushnjë, Fier, Elbasan". Ndërkohë që Berisha u bëri apel zyrtarëve të piramidës zgjedhore që të respektojnë ligjin, duke thënë se "një lak që na vinte nëpër këmbë, e hoqëm, e lamë mënjanë". Nga ana tjetër, Rama e vuri theksin te qendrat e numërimit të votave, duke thënë se "në ato qendra numërimi ku ne presim qetësisht numrat që dalin nga kutitë e votimit, e që nuk kanë të bëjnë me numrat që ndiqen në rezultatet paraprake të kompanisë, e cila në rrugë operative merr dhe i servir numra publikut prej kthjellimit të procesit të numërimit". "Lejomëni të shijoj rezultatin parazgjedhor", tha Berisha, ndërkohë që Rama nga selia e tij, duke dhënë një shembull të rezultatit në Berat, theksoi se në faqen e ECA është publikuar që PS-ja ka 4 mandate në këtë qytet, ndërkohë që PS-ja realisht ka fituar 5 prej tyre. "Jap shembullin e Beratit, kompania që publikon rezultatin në ekran ka katërfishuar një rezultat që i jep 4 mandate Partisë Socialiste. Unë ju them se jo në bazë të të dhënave të Partisë Socialiste, por në bazë të të dhënave që janë të shkruara në procesverbaleve të qendrave të numërimeve, Partia Socialiste ka 5 mandate", tha Rama. Nga ana tjetër, kreu i PD-së, Sali Berisha, u shpreh: "Më lejoni pak ta shijoj fitoren pararezultative. Më lejoni ta shijoj, ua them me bindjen më të thellë, ka qenë qëllimi madhor i jetës sime, ndihesha i lënduar, ne që e nisëm, e nisëm këtë të votonim si njerëz, me të gjitha standardet". Kryetari i PS-së, Edi Rama, u ka mëshuar fort rezultateve zyrtare, më shumë se sa atyre operative. "Dua të theksoj edhe një herë për të gjithë se rezultatet paraprake të marra në rrugë operative nga ana e kompanisë që po i publikon ato qysh në fillim të procesit të numërimit, nuk janë rezultatet zyrtare dhe nuk përbëjnë asnjë arsye për askënd që të thërrasë fitore", tha Rama. Apo që për më tepër, shtoi ai, duke qenë Kryeministri i Shqipërisë, Berisha nuk duhet të nxisë në emër të fitores, apo për alibinë e fitores, shërbëtorët e tij, që po bëjnë atë që po bëjnë në Lushnjë, në Fier, në Elbasan në radhë të parë, por edhe në qendra të tjera numërimi ku ka pasur jashtëzakonisht shumë probleme dhe jashtëzakonisht shumë stres për njerëzit që po kryejnë aty një detyrë qytetare.

Bregu:

Nuk ka bllokim procesi,

drejtohuni në KQZ

Partia Demokratike mohoi në mënyrë kategorike që të kishte tentativa për bllokimin e procesit të numërimit të votave. Selia blu sugjeroi që ato raste që ka parregullsi, duhet t‘i paraqiten KQZ-së. Zëdhënësja e fushatës së demokratëve, Majlinda Bregu, tha se PS-ja nuk duhet të krijojë furtunë në gotë, të gjitha bllokimet në procesin e numërimit duhet t‘i dërgohen KQZ-së. "Më lejoni të konfirmoj nga selia e PD-së, duke iu kundërpërgjigjur dhe përgënjeshtruar lajmet të cilat vijnë në mënyrë kakofonike nga PS-ja, se nuk ka ndodhur asnjë bllokim i procesit të numërimit të votave në Paskuqan, nuk ka pasur asnjë largim të komisionerit të PD-së, ka pasur vetëm një moment pushimi krejtësisht normal për shkak të lodhjes dhe mbingarkesës nga ana e komisionerëve. Në këto momente procesi ka rifilluar", theksoi Bregu. Zëdhënësja e fushatës së PD-së, kërkoi nga kampi kundërshtar që të mos akuzojë dhe t‘i qëndrojë një referimi krejtësisht korrekt të këtij procesi. "Të gjitha problematikat të cilat mund të vërehen gjatë procesit të numërimit të votave nëpër QNV dhe ndonjë problematikë nëpër KZAZ, duhet zgjidhur duke respektuar Kodin Zgjedhor shqiptar, institucionet shqiptare që ligji i njeh si institucione respektive përgjegjëse për zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve", tha Bregu. Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses së fushatës, bëri me dije një kërkesë për të gjithë komisionerët dhe numëruesit e votave që të vazhdojnë detyrën pa u penguar, pa u frikësuar dhe me qetësi, sepse ky proces zgjedhor është një proces që garanton një punë të qetë, të sigurt dhe plotësimin e të gjitha standardeve.

Xhafa:

PD po krijon probleme

me komisionerët

Partia Demokratike të lejojë komisionet e saj të mbarojnë misionin e marrë përsipër të numërimit të votave. Kjo ka qenë thirrja që i ka adresuar selisë blu sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj. Sekretari socialist ka deklaruar se "kam dalë këtu me shqetësimin si rrjedhojë e përpjekjeve të komisionerëve të PD-së, kandidatëve të saj në listën shumemërore, si edhe militantëve të kësaj partie, për të ndikuar mbi këtë proces, për të ndikuar mbi vendimmarrjen e KZAZ-ve në vendet e numërimit të votave". Sipas tij, konstatohen largime komisionerësh, përfaqësues të PD-së nga grupet e numërimit të votave. Në disa raste është ushtruar dhunë psikologjike ndaj komisionerëve brenda dhe jashtë mjediseve të numërimit të votave dhe zvarritje të qëllimshme nga komisionerët e PD-së të procesit të numërimit në disa VNV. Xhafaj theksoi se ka probleme në zonën e Lushnjës, Qarku Fier, VNV 22 dhe VNV 23, ku PD-ja ka tërhequr komisionerët pa asnjë arsye nga procesi i numërimit. Në VNV Paskuqan, është shfaqur zv/ministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, së bashku me 3 agjentë krimesh, duke bërë presion mbi numëruesit e PS-së. Në Qarkun e Elbasanit, numërimi në KZAZ 14 është bllokuar prej 3 orësh nga komisionerët e PD-së, një skenar që synon të shtrihet në të gjitha KZAZ-të e Qarkut Elbasan. "Ky skenar udhëhiqet nga ministri i Jashtëm Lulëzim Basha, i cili po tenton ta shtrijë këtë sistem në të gjitha qendrat e numërimit të votave, për shkak se ndihet diferenca në rezultat midis PS-së dhe PD-së në këtë qark, probleme ka pasur edhe në qarqe të tjera të vendit", nënvizoi Xhafaj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›