E Diel, 1 Nëntor 2026

DASH per terrorizmin Shqiperia OK por miratoni ligjet

Shqipëria ka marrë nota pozitive vlerësimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit përsa i përket luftës kundër terrorizimit. Raporti më i fundit për publikuar nga DASH nis me faktin që qeveria e Shqipërisë ka punuar nga ana ligjore, duke arritur të mbajë të bllokuara asetet e dy personave dhe 13 fondacioneve. Në raport thuhet se qeveria shqiptare identifikoi subjektet që ishin në listën e Këshillit të Sigurisë të  OKB-së dhe kreu bllokimet.

“Në fund të vitit fiskal 2010 qeveria kishte nën administrim asete me vlerë rreth 6.9 milion dollarë dhe kishte konfiskuar asete të tjera me vlerë mbi 850 mijë dollarë.”- thuhet në raport. Vlerësim tjetër vjen dhe për Policinë e Shtetit në punën e kryer për sigurinë e kufijve dhe shtimin e kontrolleve në pikat e kalimit.

Po për vitin 2010, raporti thotë se është vërejtur përmirësim i kuadrit ligjor, por drafti që prej nëntorit të shkuar ka ngelur pezull duke pritur miratim nga Parlamenti. Ky draft ligjor i hartuar nga qeveria shqiptare rishikon disa nene të Kodit Penal që kanë të bëjnë me bllokimin e aseteve.

Departamenti thekson në raportin për vitin 2010 se këto ndryshime që bëri qeveria janë të bazuara dhe në përputhje me atë që kërkohet nga disa institucione ndërkombëtare që luftojnë terrorizmin.

Vlerësime ka dhe për gjykatat të cilat gjetën dhe dënuan si fajtorë dy persona. Konkretisht në raport citohet rasti i imamit Artan Kristo, i dënuar me 5 vjet për nxitje publike dhe propagandë terroriste dhe rasti i Hamzeh Abu Rayyan i cili ka fshehur fonde të përdorura për financimin e terrorizmit.

Së fundmi në pjesën për Shqipërinë jepen vlerësime dhe për bashkëpunimin e mirë që vendi ynë ka me organizatat ndërkombëtare dhe shtete fqinjë në luftën kundër terrorizmit. Në raportin për vitin 2010 analizohen dhe zhvillimet në të gjitha vendet e tjera në botë. 

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›